Nga Msc Hasan Rama
Flamuri kombëtar nuk ka ç’ka ban ndër ne,
Po kje se dashtni nuk kem’ për Atdhe!
Duke ju uruar të gjithë shqiptarëve të cilët e ndiejnë veten shqiptarë , gëzuar Ditën e Pavarësisë, do të doja të bëja edhe një analizë të situatës sot!
A keni dëgjuar se shpesh njerëzit ankohen se nuk i ndiejnë më aromat e festave?
Në fakt kudo që të shkosh dhe pothuajse në çdo festë njerëzit e thonë këtë shprehje për të cilën më dhemb shumë.
A thellohet ndokush ta gjeje arsyen e kësaj pyetje? Nuk ju bën përshtypje që njerëzit nuk ndjejnë më ditë të bukura dhe të lumtura por vetëm dhimbje, probleme dhe strese?
Unë mendoj se arsyet të cilat e kanë krijuar këtë situatë janë disa, por më kryesorja është politika e gabuar e qeverive tona ndër vite.
Hallet dhe problemet e familjeve shqiptare sa vijnë e po shtohen. Fëmijet dhe të rinjtë janë larguar duke i kthyer shtëpitë tona në shpella të pabanuara. Edhe ato pak të rinj që janë e kanë mendjen të ikin një ditë e më parë dhe kjo nuk vjen për shkak të mirëqenies, por për shkak të varfërisë dhe mungesës së shpresës. Asgjë në këtë vend nuk të jep kënaqësi sido që ta shikosh.
Papunësi, varfëri, vrasje, vjedhje, përdhunime, grabitje, rrugë të shkatërruara, trafik, ndotje, padrejtësi, shtypje, ndrydhje, presione etj. Nuk mund të gjendet qoftë edhe një gjë e vetme në këtë vend që të thuash: “Ktu po”, në këtë fushë të paktën jemi në rregull.
Por, fatkeqësisht në ASGJË!
Por më e keqja është se nuk ka shpresa, njerëzit janë të shtypur e të ndrydhur, të frikësuar e të pamundur të kundërshtojnë sepse e dinë mirë se çfarë i pret.
Më vjen mirë kur shoh në rrugë dhe në faqe të internetit postimet dhe urimet me rastin e festave, por shtroj pyetjen sa të sinqerta jane këto postime, këto flamuj, këto logo, tullumbace, bluza e makina me logon e flamurit?!
Nuk më bindin dhe nuk më pëlqejnë, sepse bien në kundërshtim me sjelljen tonë.
Urimet i bëjmë në anglisht, lokalet dhe restorantet mbajnë emra të huaj, rrugët kanë emra të huaj, bizneset kanë pothuajse të gjithë emra të huaj, këngët i bëjmë në gjuhë të huaj, filmat dhe telenovelat i shohim në gjuhë të huaja, emrat e spitaleve i kemi të huaj, doktorët i kemi të huaj, , martesat i bëjmë me të huaj, pushimet i bëjmë në vende të huaja, librat që lexojmë janë të huaj, një pjesë mirë e njerëzve nuk dinë as himnin, dëgjojmë muzikë të huaj, modelet i marrim nga jashtë dhe në fund duam drejtues dhe politikanë të huaj ose zot shtëpie në shtëpinë tonë!!!
A mund të më thoni se ku është patriotizmi këtu ju lutem? Cdo të thotë për ju patriot, atdhedashuri?
Nuk e di se si do ndiheshin sot Rilindasit dhe çfarë do të shkruanin ata për patriotët e sotëm dhe për politikanët tonë.
A është kjo Shqipëria për të cilën ata kanë shkruar dhe luftuar kaq fort?
Më poshtë po ju paraqes disa vargje të Gjergj Fishtës, të cilat janë aq të freskëta sikur të ishin shkruar në ditët e sotme.
Ju rrugaçë e sallahana,
Vagabone shakllabana,
Rriqna t’ndyet, mikrobë të këqinj,
Që të mjerës moj Shqipni,
Kthellë hy i keni në mushkni,
Pa dhimbë gjakun tue ia pi,
Po der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbë mbi dhe!-
Der kur ju, tu tallë n’për ne,
Do t’na qelbni fis e Atdhe?
…….
Se tashmë jemi tue ju njoftë,
Se kush jeni e se çka jeni,
……
E sa pare ju ban gjaku:
Se për ju, po duhet laku,
…..
Tue u shitë ju për gjithë treg,
Sot na mbaheni Skenderbeg;
……
Por çfarë do të mendonte Konica?
Sipas Konicës këta njerëz janë të vetë-quajturit “ekspertë” dhe janë një grusht të cilët kanë mundur të mbajnë e të shtojnë rrogët e tyre dhe të rrinë të patundur në mes të fortunave.
Guximi dhe paturpësia e tyre zunë vendin e diturisë, sërviliteti i tyre në të zotërit i bëri të zënë vendin e shërbimeve të kombit.
Dëshpërimi është se të vetëquajturit “ekspertë” s’duan as të mësojnë dhe me djallëzira, me shpifje, me padrejtësi, kanë arritur gjer më sot të ftohin e të largojnë gjithë ata shqipëtar që mund të sjellin ndihmë të vërtetë për lartësimin e vendit.
“Roboti” i lënë i lirë të veprojë, mbetet në vend pa lëvizur ose i harvallosur.
Sadoqë nën administratën e sotme robotësia ka arritur në lulëzimin e plotë të saj, mos kujtoni se rrënjët e kësaj sëmundjeje janë të reja në Shqipëri.
Zoti e bekoftë këtë vend dhe ju dhëntë dashuri të sinqertë, gjë të cilën duhet ta dëshmojmë me vepra e jo me fjalë.
Gëzuar dhe faleminderit Zotit dhe atyre që kanë luftuar me pushkë e me penë për lirinë e Shqipërisë.
Ju kemi një borxh të madh dhe ju kërkojmë falje që e kemi katandisur vendin deri në këtë shkallë.
O Zot na udhëzo në rrugën e duhur!!!