VIDEO/Kur Ilir Meta arrestonte Sali Berishën në mes të natës

Në afërsi të “Ushtarit të Panjohur”, vetëm pak metra larg selisë së Partisë Demokratike, rreth orës 00.20, makina e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, u rrethua nga makina të shumta policie dhe së paku dy autoblinda. Kjo nuk ishte një skenë e papritur për eskortën e ish-presidentit. Qysh në mesditë policia kishte rrethuar selinë e PD dhe gati kishin paralizuar lëvizjet rreth saj.

Rrethimi pasoi një ngjarje të dhimbshme në qytetin Bajram Curri. Ngjarja ka plot mistere dhe e vetmja gjë e qartë është se shteti aty kishte kurdisur një provokacion, ndoshta duke përdorur dhe njerëz afër ose brenda PD. Ka qenë e vendosur që do të bëhej një tubim proteste. Këtë e kishte njoftuar PD lokale. Por, po atë ditë, qyteti u mbush me zëra se një drejtues i PD po dënohej në gjykatë arbitrarisht. Dhe dikush e orientoi turmën e protestuesve andej. Protestuesit ishin në shumicë gjimnazistë dhe disa qytetarë, por papritur mes tyre mbinë disa njerëz me maska, që koordinuan të shtënat e armëve me njerëz brenda komisariatit, në distancë rreth 150 metra larg. Merret me mend tmerri i nxënësve dhe për me tepër paniku që përhapën disa granata ofensive që u hodhën afër tyre. Kjo ndezi situatën dhe njerëzit e egërsuar u drejtuan nga komisariati. Policët e komisariatit u gjendën të befasuar, pasi ishin të papërgatitur për këtë. Ata dyshonin ende në një skenar që synonte eliminimin fizik të tyre. Përleshjet kushtuan disa të plagosur rëndë dhe Syl Lushën të vrarë. Gjimnazistët e plagosur me cifla bombe tronditën qytetin dhe Tiranën. Qeveria po ashtu e ndjente se ishte ciflosur keq skenari për të përdorur Tropojën si qendër për provokim.

Në Tiranë, Ilir Meta filloi t’i jepte zemër vetes. Nxitoi me çdo mjet të përhapte lajmin se ai mbështeste dhe do të shpërblente policët e Tropojës për qëndresën e tyre. Në të vërtetë, policët ishin viktima të një provokimi të ulët. Ata ende nuk kishin një version të tyre se çfarë kishte ndodhur dhe pse ishin gjendur mes zjarrit dhe bombave. Kolegët e tyre në Tiranë ishin më të qartë. Të thirrur nga reparte speciale të vendit, kryesisht nga Dragoti i Tepelenës, ata ishin instruktuar në planin e veprimit me idenë e eliminimit të një bande të madhe që udhëtonte me një eksortë me tri-katër makina, ndaj së cilës do të hapej zjarr. Natyrisht, nuk iu ishte thënë që në makinë ishte Sali Berisha. Ata kishin bllokuar rrugët rrotull PD, para selisë së “ATN1”, te “Ushtari i Panjohur” dhe te “Guva e Qetë”. Sapo u errësua mirë, rreth orës 19.00, lulishtja përpara parlamentit u mbush me njerëz të armatosur me uniforma dhe helmeta, të sjellë aty me kamiona ushtarakë. Pak më përpara dritat që normalisht ndriçonin lulishten, u fikën në të njëjtën kohë me dritat e rrugës. E vetmja gjë që mund të shihej qartësisht për shkak të hënës që ndriçonte shumë atë natë, ishin helmetat e njerëzve të armatosur që zbrisnin nga kamionët dhe rreshtoheshin diku në errësirë mes pemëve matanë kangjellave.

Forcat speciale rrotull PD duke qelluar kalimtaret

Autoblinda që deri në atë moment qëndronte thuajse e parkuar si makinat e tjera në trotuarin përballë ish-bustit të Qemal Stafës, lëvizi dhe mori pozicion në rrugicën përbri godinës së “ATN 1”, duke drejtuar mitralozin e kullës së saj drejt godinës së PD. Pikërisht aty, nën ballkonin e godinës ku ndodhej “ATN 1”, u vendos edhe postoblloku i maskave që godisnin dhe arrestonin çdo individ që vinte nga rruga që të sillte nga PD. Ky postobllok kontrollohej rregullisht në intervale kohe thuajse të rregullta nga komandanti i Gardës së Republikës, Arben Çuko. Pas rreth 45 minutash, në territorin brenda këtij perimetri, lëvizte vetëm një kope qensh rrugaçë, edhe ata të frikësuar.

Ata e kishin më të qartë detyrën e tyre, kur vinte puna te kalimtarët. Duhet të rrihnin dhe qëllonin gjithkënd që gjendej në atë zonë në atë orë. Skenat e filmuara nga kameramani i “ATN1” tronditën Tiranën dhe e lanë atë zgjuar dhe ndoshta e bënë më të frikshëm lajmin për ndalimin e Sali Berishës.

Në ngushticën që krijohet në rrugë prej bustit të “Ushtarit të Panjohur”, makinës së ish-presidentit Berisha, targuar me RSH 054, me ngjyrë jeshile, shenjë dalluese vetëm për personalitetet që ruheshin nga Garda e Republikës, i prenë rrugën duke e rrethuar menjëherë rreth 20 maska, të cilat ulërinin njëkohësisht pa pushim “Ndal! Ndal! Policia, ndal!” Ndërkohë mbushnin armët për të treguar se ishin të vendosur të hapnin zjarr.

Bilbil Mema dhe Niko Brahimaj qëndronin jashtë rrethimit të krijuar prej tyre, duke mos ia kthyer kurrizin asnjërës prej armëve të mbushura që kishin përpara sipas instinktit të vjetër oficerësh, çka e bënte edhe më të frikshëm momentin …

Pasi u ndal makina, një prej oficerëve kërkoi të kontrollonte makinën dhe i kërkoi eskortës të dorëzonte armatimin personal, me shpresë se do të gjenin armë pa leje dhe jo ato të shërbimit.

Në vendndalim ishin drejtues të lartë të Ministrisë së Rendit, Bilbil Mema, zëvendësi i tij, Niko Brahimi, ndërsa pak më tutje, thuajse i fshehur në makinë qëndronte komandanti i Gardës së Republikës, Arben Çuko, personi, i cili me ligj kishte përgjegjësinë e ruajtjes se ish-presidentit, si dhe prefekti i Tiranës, Taulant Dedja, i cili sillej rreth e qark pa guxuar të afrohej, por herëpashere ngrihej në majë të gishtave për të parë se ç’ndodhte me makinën e rrethuar nga maskat. Një makinë tip “Golf 4”, ngjyrë gri metalizato me targa të huaja, u ndal pothuajse ngjitur me makinën zyrtare të Jozefina Topallit, e cila mbyllte vargun prej tri makinash që shoqëronte Sali Berishën. Dy burra që ndodheshin në të, filluan të filmonin gjithçka po ndodhte pa dalë nga makina me një kamera të vogël dixhitale, me sa duket me shpresën për të fiksuar si provë reagimin e dhunshëm të eskortës së Berishës.

Pas kontrollit rutinë, te dera e makinës u shfaq zëvendësdrejtori i policisë, Niko Brahimi, i cili i kërkoi zotit Berisha të vinte në polici, pasi ai nuk kishte më imunitet dhe se me të kishte punë prokuroria. Në një skenë të tillë, ku të gjitha palët kanë qenë me nerva të tendosura dhe qetësia është një dhuratë e shtrenjtë, sidomos për Sali Berishën, ndodhi mrekullia dhe Sali Berisha me qetësi i kërkoi urdhrin e prokurorisë. I zënë ngushtë oficeri i policisë i tha se do ta sillte dhe u largua. Rojet e Berishës dolën nga makina duke qëndruar në këmbë rreth saj, por pa dhënë përshtypjen se do të kundërshtonin. Kishin pamjen e njerëzve të shqetësuar që prisnin të sqarohej keqkuptimi… pritje, e cila zgjati rreth 15 min.

Kjo ishte një fitore e të dyja palëve. Në ato pak sekonda që shoqëronin afrimin dhe largimin e Niko Brahimit nga makina e kryetarit të opozitës, mund të kishte ndodhur masakra. Mjaftonte që maskat që rrethonin vendin ku ishte ndalur autokolona të kuptonin se bëhej fjalë për mosbindje. Ata ishin udhëzuar tashmë se kishin rrethuar një grup kriminal që duhet të asgjësohej, nëse largohej nga vendngjarja. Në të vërtetë, dhe për Niko Brahimin nuk ishte i lehtë afrimi dhe verifikimi i njerëzve në makinë. Nuk jam i sigurt, nëse ai u ndje i lehtësuar, kur pa brenda vetëm Edi Palokën, por me siguri që shpëtoi nga detyrimi për të vazhduar skenarin. Sali Berisha ruajti qetësinë dhe nuk foli.

Në vend të tij, te makina u afruan njerëz me maska në fytyrë. Makina ndërkohë ishte e rrethuar. Niko Brahimaj nuk e kaloi kurrë rrethimin e parë të maskave të armatosura, komunikoi me Arianin, oficerin e Berishës. Kontrolluan me imtësi makinën “Toyota” të shoqërimit që ishte pas “Benz”-it. Urdhëruan fillimisht shoferin të ndiqte pas makinën e policisë. Shoferi nuk iu bind dhe kishte bllokuar dyert e makinës nga brenda. Atëherë, tri njerëz me maska hapën me forcë derën, zbritën andej me forcë oficerin Arian Adhami, komandanti i truprojave të Berishës me gradën Kolonel i Gardës së Republikës. Atë e morën zvarrë, edhe pas përpjekjes së tij për t’iu treguar ligjin dhe se duhej të lidheshin me Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve në Gardë. Një moment më pas bënë të njëjtën gjë me Agron Kuliçin dhe Ibrahim Ndreun, të cilët përfunduan me duart prapa në furgonin e policisë që u afrua në çast. Makina në këtë mënyrë për të paktën 10 minuta mbeti në mëshirë të fatit, e rrethuar me maskat e armatosura gati për të qëlluar dhe shoferin. Një prej maskave hipi në timon dy të tjerët nga pas duke futur në mes Sali Berishën. Dyert e pasme të makinës nuk u hapën kurrë. Berisha mbeti aty ku ishte ulur me Edi Palokën në krah. Vetëm një nga maskat hipi në timon, pasi shoferi zhbllokoi dyert me urdhër të Sali Berishës. Dukej sikur maskat dhe personat që i drejtonin ishin në pritje të urdhrave për veprime të mëtejshme. Fakti është që nga ora 00.20, kur u ndaluan, deri në orën 00.55, kur lëvizën makinat dhe prita u shpërbë, nuk ndodhte asgjë, dukej sikur ora kishte ndalur. Nga telefoni i Gazmend Dibrës u lidhën me Jemin Gjanën e Shaban Meminë që në momentin e parë të ndalimit. Gjatë 35 minutave në vazhdim ata nuk mbërritën dot, të ndaluar me vendosmëri, siç thanë, nga postoblloqet e shumta që shtriheshin deri në sheshin “Skënderbej”.

Makina u fut në radhë si një makinë e marrë peng. Tre furgona policie të vendosur kryq në ngushticën e “Ushtarit të Panjohur” dhe dy të tjerë në drejtim të PD, futën në mes tri makinat e ndaluara. Makina e Jozefina Topallit i ndoqi nga pas duke u përpjekur në një moment të futej midis furgonëve që e ndanin nga makina e Sali Berishës. Turma e maskave që kishin rrethuar vendin zuri pozicion në tri skalione, duke kthyer armët nga godina e PD gati për të qëlluar. Dukej se i trembeshin reagimit me armë të “bandës së armatosur” që ndodhej brenda saj. Qëndruan ashtu edhe për rreth 15- 20 minuta, derisa, me sa duket, morën urdhër dhe u futën nëpër furgonat që kishin rrethuar PD, të cilët u ndezën, por nuk lëvizën nga vendi edhe për rreth 40 minuta të tjera.

Disa prej tyre po i përcillnin lajmin njëri-tjetrit se “ai qenka Sali Berisha”. Pritat u shformuan.

Pyetjes se ku po e çonin makinën, nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej askush.

Në makinë ishte Sali Berisha, Edi Paloka, shoferi dhe njerëz me maska. Makina ndali në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ish-presidenti hyri në zyrat e Drejtorisë së Policisë. Veli Myftari që e priste në korridor ishte hutuar e zverdhur në fytyrë dhe të jepte përshtypjen se nuk e dinte se kë do t’i sillnin në zyrë të shoqëruar. Dialogu i tij me Berishën është një skaner i qartë i tensionit që mbarte ngjarja dhe rrezikut të madh që ajo mund të kthehej në një shkëndijë për t`i rivënë zjarrin Shqipërisë.

Në përpjekje për ta poshtëruar atë, qoftë dhe përmes procedurës së marrjes në pyetje, një kasetë e filmuar u çua në “TV Klan”, në atë kohë ekrani më i egër kundër Berishës. Thashethemi se kaseta do të transmetohej filloi të qarkullonte shpejt. Kryeredaktori i lajmeve të Tv Klan ma përshkroi Berishën e trembur dhe të verdhë në fytyrë që i përgjigjej pyetjeve të zëvendësministrit të brendshëm.  “TV Klan” ishte në konflikt me PD, pasi ajo i kishte hequr akreditimin prej një viti, kur pas një ngjarjeje tragjike në Vlorë në një përleshje mes bandës së Zani Çaushit dhe disa rivalëve, “TV Klan” hapi lajme se njëra palë ishte ish-bodyguard-i i Sali Berishës. Kjo i kishte shkatërruar raportet formale me opozitën. Më pas, në korrik të vitit `99, pasoi një incident i dytë që kishte të bënte me botimin e dëshmisë së Sali Berishës për vrasjen e Azem Hajdarit. Berisha ia kishte dorëzuar këtë dëshmi ambasadorit amerikan në Tiranë dhe ky i fundit prokurorisë. Pas një jave ajo u botua në revistën “Klan”, duke shkaktuar tërmet. Berisha dyshonte se botimi u bë me qëllim eliminimin e tij fizik dhe dëshmitarëve që ai përmendte. Ky acarim i pafre mes tij dhe “TV Klanit” dhe fakti që Ilir Meta kishte vendosur raporte shumë të ngushta me ta bëri që thashethemi se Fatos Klosi kishte çuar kasetën e regjistrimit të Berishës në “TV Klan” të tingëllonte i besueshëm. Vetë Berisha nuk shprehej, nëse kjo ishte gjë e mirë apo e keqe. Spekulimet rreth pyetjeve në polici po rriteshin, por askush nuk transmetoi asgjë. Vetë Berisha sqaroi pak a shumë tipin e pyetjeve që iu bënë dhe përgjigjet e tij.

Sipas tij, në sekondën e fundit, Veli Myftarit i kanë sugjeruar fjalët që duhet të thoshte: “Zoti Berisha, ju kemi thirrur t’ju këshillojmë që në mitingjet që organizoni të mos bëni thirrje antikushtetuese për prishjen e rendit dhe qetësisë publike..” Berisha e ndërpret, duke i thënë: “Ti sot nuk me ke thirrur këtu, por më ke rrëmbyer…dhe kjo është e krejtësisht e paligjshme”. Duke iu referuar radios së policisë që qëndronte e takuar dhe vendosur mbi tavolinë, në mënyrë që dikush të dëgjonte mirë pas saj, Berisha vazhdoi: “Ai që të ka dhënë këtë urdhër ty dhe që tani fshihet pas kësaj radioje, është i paburrë. Ai e di se ç’është duke bërë, prandaj nuk guxon të nxjerrë fytyrën…”

Radioja e policisë që ishte në duart e njërit prej shoqëruesve të Berishës, i cili nuk ishte në makinë, filloi të skanonte thirrjet në radiot e policisë. Ilir Meta shfaqej në të gjitha frekuencat. Dikë kishte në zyrë që e inkurajonte, dikë që i jepte forcë.

Marre nga libri “Perballja me antiopozitarizmin” i Mero Baze. Tirane, 2008

Vinkmag ad

Read Previous

Kjo është arsyeja e vërtetë se pse Berisha sulmon ambasadoren Yuri Kim

Read Next

VIDEO/Përplaset dhe merr flakë autobusi Shkup-Sofje, vdesin 45 persona

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular