
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar thotë se Shtetet e Bashkuara do të angazhohen gjithnjë e më shumë në rajon dhe se fokusi i tyre kryesor do të jetë lufta kundër korrupsionit. Mediat serbe shkruajnë se në një intervistë për të përditshmen Nova, Escobar theksoi se është e nevojshme të përmirësohen kushtet zgjedhore në Serbi, të përmirësohet qasja në media, por gjithashtu theksoi se në këtë duhet të marrë pjesë edhe opozita.
Escobar tha se Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët evropianë, kërkojnë nga autoritetet në Beograd që të zbatojnë reforma që do të mundësojnë hapjen e hapësirës politike, të ndalojnë sulmet nga organizatat jocivile dhe të krijojnë kushte adekuate për media të pavarura dhe opozitë. Ai hodhi poshtë tezën se SHBA-të do tolerojnë regjimin autoritar të presidentit Aleksandër Vuçiç, por theksoi se as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk janë ato që vendosin për shpërndarjen e forcave politike në Serbi. Ndër të tjera i dërguari Special i Departamentit të Shtetit ka thënë se qëllimi i vizitës në Kosovë dhe Serbi është nxitja e palëve për të vazhduar dialogu nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Escobar ka thënë se palët duhet të dalin mbi dallimet që i kanë dhe të vazhdojnë rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Një prej arsyeve të vizitës së tij në Prishtinë e Beograd është forcimi i bashkëpunimit të SHBA-së me Kosovën dhe Serbinë. Escobar gjithashtu shprehu besimin e tij se Serbia është në rrugën drejt BE-së.
“Ky është qëndrimi zyrtar i qeverisë dhe dëshira e shprehur qartë e popullit, por edhe vendi ku ka qenë Serbia gjatë gjithë historisë dhe kulturës së saj dhe ku ndodhet tani edhe ekonomikisht. Prandaj shpresoj se Serbia do të vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës,” – tha Escobar. Escobar bashkë me Miroslav Lajçak do të vizitojnë Kosovën më 31 janar dhe do të qëndrojnë për dy ditë. Më pas do të udhëtojnë drejt Beogradit.
