
Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, Paskal Milo: Mundësi për t’u bërë zëdhënëse e Kosovës dhe rajonit
Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo vlerësoi rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Ai tha në Publikisht në RTSH me gazetaren Blerta Tafani se me pozicionin e saj Shqipëria mund të bëhet zëdhënëse e mbrojtjes së të drejtave të Kosovës dhe rajonit në tërësi.
“Është gjë shumë e mirë që Shqipëria është në Këshillin e Sigurimit sepse do bëhet zëdhënëse e mbrojtjes së të drejtave të Kosovës. Do të thotë fjalën e vet për rajonin. Do vijë çështja e Bosnjes, do ketë një vend të rajonit atje që do thotë fjalën e saj. Do ketë një raport për Kosovën. Kjo është shumë e rëndësishme. Shqipëria në këtë klimë të përgjithshme të mosbesimit në Këshillin e Sigurimit nuk është se do i zgjidhë ajo problemet. Por do të thotë fjalën e vet. Prandaj janë krijuar edhe organe”, u shpreh Milo.
Ndërsa ish-deputeti Ralf Gjoni deklaroi se ky rol i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit nuk sjell asnjë përfitim tjetër përveç prestigjit në diplomaci. Ai u shpreh se përballë aktorëve të mëdhenj si Rusia apo Kina, Shqipëria është e pafuqishme.
“Unë mendoj që përveç rritjes së prestigjit tonë në diplomaci nuk mendoj se mund të arrijmë ndonjë gjë më të madhe. Mendoj se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Sepse jemi një vend ku ka një eksod të vazhdueshëm nga viti në vit. Nuk mendoj që të rinjtë që duan të largohen nga ky vend gjejnë shpresë të pozicioni i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Kur miku im dhe kolegu Etjen Xhafaj flet për eksportim të stabilitetit. Sot kemi disa situata shumë më pranë në rajon. Kemi Bosnjen. Unë mendoj që ne përballë këtyre lloj presionesh nga aktorë të mëdhenj si Rusia dhe Kina ne do jemi të pafuqishëm. Ne duhet të ruajmë stabilitetin tonë”, u shpreh Gjoni.
