
Gazetari i njohur, Flavio Qarri, ka akuzuar Top Channel për censurë. I ftuar para dy ditësh në një emision në TCH, Qarrit i është kërkuar të mos flasë për dhunën e djemve të Tom Doshit. Sigurisht që porosia ka ardhur me urdhër nga drejtuesit e TCH.
“Isha në një emision. Do flisnin për policinë e dobët e më fortët. Temë e nxitur nga incidenti i djemve të Tom Doshit. Pas prezantimit të temës u njoftova që vetëm për djemtë e Doshit nuk duhej të flisnim. Sigurisht e thashë atë që kisha për të thënë, por nëse ja mbyllin gojën një tv kombëtar, çfarë i bëjnë një polici hallexhi që e ka shefin patronazhist të korruptuar?! Si zgjidhet. Fare thjeshtë por këtu ka më shumë nostalgjik diktature se njerëz të lirë. E mos shkruani me keqardhje për familjen e aksidentuar sot ju që komentoni te Rama në fb me “bravo”. Jeni bashkëfajtorë. Duhet t’i mbani në ndërgjegjje”, denoncon Qarri në rrjetet sociale.
Dy djemtë e ish-deputetit Tom Doshi u shpallën në kërkim nga policia më 26 prill.
James dhe Markos Doshi, përkatësisht 22 dhe 20 vjeç akuzohen se kanë goditur, kundërshtuar dhe nuk i janë bindur urdhrit të Policisë në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet
Mbi të rinjtë rëndojnë akuzat: plagosje e rëndë me dashje, goditje për shkak të detyrës, mos-bindje e urdhrit të policisë dhe prishje e qetësisë publike.

