
Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka publikuar një foto të momentit kur Aleksandër Vuçiç është qëlluar me gurë e mjete të tjera të forta më 11 korrik 2015.
Spahiu e cilëson këtë si një foto historike dhe deklaron se ngjarja ka ndodhur në kohën kur Vuçiç ishte kryeministër i Serbisë.
Qytetarët e mbushur me inat e urrejtje qëlluan me sende të forta Vuçiçin, teksa ai po mundohej të largohej nga ceremonia në varrezat e Bosnjë-Hercegovinës, për të shënuar 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
“FOTO HISTORIKE: Në fotografi momenti kur kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç goditet me gurë e mjete të tjera të forta më 11 korrik 2015. Gjithçka ndodhi ndërsa mijëra vetë ishin mbledhur në varrezën e Bosnjë-Hercegovinës për të shënuar 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku 8 mijë burra e djem myslimano-boshnjakë u vranë nga trupat paraushtarake serbe. Kryeministri serb u pa të largohej më pas me shpejtësi nga ceremonia, i ndihmuar e mbuluar nga dhjetëra truproja e forca të tjera sigurie, ndërsa një turmë e irrituar vijonte ta godiste pa pushim, ndër të tjerë edhe me shishe me ujë e madje këpucë”, shkruan Spahiu në rrjetet sociale.
