Rama tha se Britania duhet të marrë shembull nga Gjermania në mënyrën se si i trajton refugjatët shqiptarë. Kryeministri tha se nuk ka dëgjuar kurrë një politikan gjerman e as ministër që të flasë për pushtim dhe të cilësojë shqiptarët kriminelë, siç sekretarja e Brendshme britanike bëri.
“Gjermania pati një problem të ngjashëm me valën e madhe të krizës së refugjatëve, mes refugjatëve kishte shumë shqiptarë dhe nuk dëgjova asnjë politikan gjerman të flasë për pushtim. Nuk dëgjova kurrë një politikan gjerman e as ministër që të thojë që shqiptarët janë kriminelë. Në vend të ndizej një narrativë për të maskuar politikat e dështuara, përfaqësuesit britanikë duhet të vijnë në Gjermani të marrin shembull nga Gjermania dhe të ndreqin problemet. Ne nuk jemi në Shqipëri që të ndreqim problemet që kanë në Britani. Qytetarët tanë që kanë mbërritur në Francë kanë qenë të ligjshëm. Ne jemi të lumtur që të bashkëpunojmë dhe të bëjmë çdo gjë të mundur nga ana jonë. Ne nuk mund ta pranojmë këtë lloj retorike. Nuk janë miliona janë 140 mijë shqiptarë. Të shënjëstrosh një komunitet e të flasësh për një komunitet e për kriminale, nuk tingëllon si britanike, por si një britmë në një çmendinë”, tha Rama në konferencën përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kancelarin, Olaf Scholz.
Kujtojmë se sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman ka pohuar se ajo do të trajtojë “pushtimin” nga emigrantët me politikat e saj të reja, duke shkaktuar reagime të mëdha për gjuhën e përdorur.
Në përgjigje të pyetjeve para parlamentit, Braverman tha se duhet përshpejtuar procesi i shqyrtimit dhe të realizohet largimi i shtetasve shqiptarë.