
Kryeministri i vendit Edi Rama bëri jehonë në të gjitha mediat botërore kur u përplas me ambasadorin rus në OKB teksa i kërkoi atij që Rusia të ndalë luftën.
Përgjatë takimit të Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Rama përdori retorikën politike duke u shfaqur si lider i një vendi me potencial të atillë politik, ekonomik dhe gjeopolitik për të pasur një qëndrim të tillë edhe pse realiteti flet ndryshe ku vendi vuan nga pasojat e keqqeverisjes së tij.
Megjithëse në parim debati i Ramës ishte i drejtë përballë ambasadorit rus për të ndaluar luftën në Ukrainë, kjo qasje e tij mbeti vetëm në kuadrin e propagandës dhe megalomanisë politike që vetë Rama i jep vetes sa herë diskutohet për çështje të tilla me përmasa ndërkombëtare.
Por sot kur në veri të Kosovës një efektiv i policisë së këtij vendi u vra në krye të detyrës nga grupet serbe, qëndrimi i kryeministri Rama ishte i një gjuhe të drunjtë, që shpeshherë e dëgjojmë nga burokratët e Brukselit.
Sipas Ramës, nevojitet thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen dhe garancinë e BE dhe SHBA.
Po ashtu, kreu i qeverisë shqiptare shton se është domosdoshmëri marrja e masave me KFOR-in, për të mos lejuar përshkallëzimi e mëtejshëm të situatës.
“Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit.
Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, shkruan Rama.
Ngjarjen, kryeministri e konsideron si kambanë alarmi për rrezikun që kjo krizë të përshkallëzohet në një konflikt të armatosur.
“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”, thekson Rama.
