
Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër në rrjetin social Facebook ndaj asaj që ai e cilëson si “propagandë mashtruese” e qeverisë lidhur me menaxhimin e situatës së zjarreve në vend. Në një postim të fundit, Berisha ka denoncuar pretendimet e qeverisë për angazhimin e “mijëra forcave të emergjencave civile lokale” në terren, duke i quajtur ato gënjeshtra të ulëta dhe një përpjekje për të manipuluar opinionin publik.
Në reagimin e tij, Berisha mbështetet në një denoncim të një qytetari dixhital, i cili citon një gazetare nga Vlora. Sipas saj, Drejtoria e Emergjencave Civile në Bashkinë e Vlorës ka vetëm 10 të punësuar, nga të cilët vetëm tre persona (Ardiani, Olti dhe Juri) dalin në terren, dhe edhe këta kryejnë vetëm monitorim, jo shuarje zjarresh. Gazetarja vë në dyshim kapacitetet reale të emergjencave civile, duke theksuar se për shembull, në Vlorë ka vetëm 30 zjarrfikës dhe 4 makina, ndërsa në Selenicë dhe Delvinë ka nga 15 të punësuar dhe vetëm një mjet për secilën zonë.
Berisha e quan këtë situatë një “mashtrim neveritës” dhe dënon me forcë qeverinë, të cilën e akuzon se lë qytetarët në mëshirë të fatit, duke mos investuar në pajisje, personel dhe rritje të pagave për zjarrfikësit. “Këta që mashtrojnë publikun pas zjarrëve janë kriminelët më të ligë!” – shkruan ai, duke ftuar qytetarët të lexojnë denoncimin e plotë dhe të bashkohen në kundërshtimin e kësaj “propagande të Ramaduros”.
Ky reagim vjen në një kohë kur zjarret kanë përfshirë disa zona të vendit, duke ngritur shqetësime për kapacitetet e pamjaftueshme të institucioneve për t’i përballuar ato. Berisha i bën thirrje qeverisë të marrë masa konkrete, si punësimi i më shumë njerëzve, blerja e mjeteve të reja dhe rritja e pagave për punonjësit e emergjencave, në vend të “llafeve të bukura” dhe premtimeve boshe.
