Bota me sytë nga Shtëpia e Bardhë-Trump pret Zelenskyn dhe liderët evropianë, ja ç’e pret Ukrainën dhe Rusinë

Jepi Share

Në Shtëpinë e Bardhë ka nisur takimi mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe një numri liderësh evropianë.  

Ata do të diskutojnë mes tyre rrugët dhe alternativat për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe sigurimin e një paqeje të qëndrueshme.

Takimi, i cili ka tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, vjen pas samitit që u mbajt në Alaksa mes Trumpit dhe Presidentit rus Vladimir Putin, takim i cili nuk arriti të prodhojë një marrëveshje konkrete për paqen në Ukrainë.

Axhenda dhe pjesëmarrësit e takimit

Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, takimi ka nisur në mesditë sipas orës lokale (17:00 BST), me mbërritjen e liderëve evropianë.

Presidenti Zelensky është përshëndetur nga Trump për një takim  kokë më kokë i cili do të pasohet nga një takim shumëpalësh në orën 20:0 me të gjithë liderët e pranishëm.

Pjesëmarrësit përfshijnë një grup të rëndësishëm udhëheqësish evropianë, si: 

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer 

Presidenti francez, Emmanuel Macron 

Kancelari gjerman, Friedrich Merz 

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni 

Presidenti finlandez, Alexander Stubb 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Takimi, në moment kritik për Ukrainën

Ky format takimi, i pari i këtij lloji, është cilësuar nga Zelensky si “shumë serioz” dhe një mundësi për të diskutuar çështjet kyçe për paqen në Evropë.

Takimi zhvillohet në një moment kritik për Ukrainën dhe Evropën, pas samitit Trump-Putin në Alaska për të arritur një marrëveshje paqeje.

Liderët evropianë dhe Zelensky ndodhen në Uashington me një qëndrim të unifikuar, duke refuzuar çdo marrëveshje që cenon integritetin territorial të Ukrainës dhe duke këmbëngulur për garanci të forta sigurie për Kievin. 

Zelensky: Paqja duhet të jetë e qëndrueshme, jo si ajo e viteve të kaluara

Presidenti Zelensky, i cili mbërriti më parë në Uashington u shpreh optimist, por i vendosur.

Në një postim në Telegram, ai theksoi se “të gjithë ndajmë një dëshirë të përbashkët: ta përfundojmë këtë luftë shpejt dhe në mënyrë të besueshme. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme – jo si ajo e viteve të kaluara, kur Ukraina u detyrua të lëshonte Krimenë dhe një pjesë të Donbasit.”

Ai rikujtoi dështimin e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, kur Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore në këmbim të garancive të sigurisë, të cilat nuk u respektuan. Evropa, nga ana tjetër, ka përcaktuar tre parime bazë për takimin:  Garanci të detyrueshme sigurie për Ukrainën, të ngjashme me mbrojtjen kolektive të Nenit 5 të NATO-s; Refuzim kategorik i çdo marrëveshjeje që përfshin lëshime territoriale nga Ukraina; Vazhdimi i mbështetjes ushtarake, ekonomike dhe politike për Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme. 

Ursula von der Leyen: Vendimet për Ukrainën nuk mund të merren pa Kievin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qenë e qartë në qëndrimin e saj, duke deklaruar në Bruksel se “kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë” dhe se “vendimet për Ukrainën nuk mund të merren pa Kievin.” Ajo ka paralajmëruar gjithashtu për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë nëse Moska nuk tregon vullnet për paqe. 

Ky takim vjen pas atij që u zhvillua në fillim të këtij viti në zyrën Ovale, takim i cili u cilësua si “katastrofik” për shkak të përplasjeve mbi mbështetjen amerikane për Ukrainën.

Sipas raporteve, Trump ka kërcënuar me tërheqjen e mbështetjes ushtarake për Kievin, ndërsa Zelensky ka insistuar për garanci sigurie dhe ka refuzuar çdo lëshim territorial, veçanërisht për rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit, Zaporizhzhias dhe Krimesë, të cilat Rusia i pretendon. 

Për më tepër, takimi i fundit Trump-Putin në Alaska ka ngritur shqetësime mes liderëve evropianë dhe ukrainas, pasi u perceptua se Zelensky u la jashtë bisedimeve.

Liderët evropianë, përfshirë Macron dhe von der Leyen, kanë theksuar se “e ardhmja e Ukrainës nuk mund të vendoset pa ukrainasit”. Për këtë arsye, ata kanë insistuar për një format trepalësh që përfshin Kievin, Uashingtonin dhe Moskën. 

Trump, entuziast për takimin

Nga ana e tij, Trump është shprehur entuziast për takimin, duke e cilësuar si një “nder të madh” për të pritur “kaq shumë udhëheqës të shkëlqyer evropianë” dhe ka sugjeruar se po bëhet “progres i madh me Rusinë.” Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje konkrete.

Sipas të dërguarit të tij, Steve Witkoff, Putin ka bërë lëshime për pesë rajone të pretenduara nga Rusia, por këto pretendime janë kundërshtuar ashpër nga Zelensky, i cili ka thënë se “Putini po luan blofin” dhe se çdo negociatë duhet të bazohet në vijën aktuale të frontit. 

Komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje takimin, i cili shihet si një moment vendimtar për të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe stabilitetin në Evropë.

‘Nëse s’ka armëpushim, BE të rrisë presionin mbi Rusinë’

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se nëse nuk arrihet një armëpushim, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të rrisin presionin mbi Rusinë përmes sanksioneve dhe mbështetjes së shtuar për Ukrainën.   

Nga ana tjetër, Zelensky ka theksuar nevojën për një armëpushim të menjëhershëm si hap i parë drejt negociatave, duke shtuar se Kushtetuta e Ukrainës ndalon çdo lëshim territorial. Ai ka paralajmëruar se çdo marrëveshje që injoron sovranitetin e Ukrainës do të jetë e papranueshme. 

Në një postim në X, pak orë përpara takimit, Zelensky denoncoi sulmin rus, të cilat i cilësoi si “cinik” dhe të qëllimshëm, duke sugjeruar se Moska po përpiqet të minojë përpjekjet për paqe. 

Takimi pritet të përcaktojë tonin për negociatat e ardhshme, përfshirë një samit të mundshëm trepalësh mes Trumpit, Zelensky-t dhe Putinit, të planifikuar potencialisht për të premten e ardhshme.

Megjithatë, suksesi i këtyre përpjekjeve varet nga aftësia e palëve për të gjetur një kompromis mes qëndrimeve të tyre të ndryshme dhe për të adresuar sfidat e vazhdueshme në terren, ku lufta vazhdon të marrë jetë.

Vinkmag ad
Jepi Share

Read Previous

Berisha: Rama po ju rrjep për së gjalli, ju ka vjedhur 490 mln Euro

Read Next

Skemë mafioze? Zhduket mes Tiranës ish-zëvendësdrejtori i AKSHI-t. Ç’po fshihet pas ‘avullimit’ të Daniel Shimës?  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular