Rregullimi i Lobimit, hap drejt transparencës, por sfidat mbeten

Jepi Share

Nga Evarist Beqiri-Ndikimi i grupeve të interesit në politikat publike dhe normimi i veprimtarisë së tyre është thelbësor për një shoqëri demokratike. Veprimtaria e tyre ngërthen të drejtën kushtetuese të shprehjes dhe të organizimit kolektiv, me parimin e pluralizmit politik. Nga ana tjetër, konflikti i interesit në vendimmarrjen publike është “thembra e Akilit” të demokracisë liberale. Prandaj, normimi i lobimit ndikon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, duke forcuar kështu demokracinë.

Në  disertacionin e realizuar në vitin 2017, mbi ndikimin e grupeve të interesit në politikat publike, ne e kemi trajtuar gjerësisht fenomenin e lobimit dhe domosdoshmërinë e normimit të tij (Shiko:https://unitir.edu.al/en/grupet-e-interesit-dhe-ndikimi-i-tyre-ne-politikat-publike-ne-be-dhe-shqiperi/). Tashmë, pas afro nëntë viteve nga ky studim, Shqipëria po i afrohet një vendimi historik. Për herë të parë kemi një projektligj për lobimin, i cili do të shndërrohet së shpejti në ligj.

Ky hap i bën të dukshme ato procese që deri dje ishin të padukshme. Grupet e interesit ndihmojnë në hartimin e politikave. Dhe nga ana tjetër, ato i çojnë institucionet më afër qytetarit.

Projektligji parashikon krijimin e një regjistri detyrues për lobimin. Raportime periodike për aktivitetet dhe burimet e tyre financiare. Mekanizmat ligjor synojnë që të vendosin rregulla të qarta, duke i dhënë lobimit një fytyrë më transparente dhe të mbikëqyrur. Gjithsesi, ne kemi parë shpesh në Shqipëri, që hartimi i një ligji të mirë, nuk është garancia përfundimtare e funksionalitetit të tij në praktikë. Ajo që çalon historikisht tek ne, është mungesa e kulturës së zbatimit të ligjit.

Vlen të theksohet se, ky projekt-ligj është një instrument drejt rritjes së integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në proceset e vendimmarrjes publike. Rregullimi i lobimit shënon një hap përpara në forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Në këtë kuadër, ky është një lajm i mirë për demokracinë shqiptare, si edhe për procesin e integrimit në BE.

Megjithatë, sfidat mbeten. Ndikimi i grupeve të interesit në Shqipëri shpesh është i padukshëm dhe i paauditueshëm. Ligji nuk do të jap efektet e duhura, nëse nuk shoqërohet me mekanizma të fortë mbikëqyrës dhe sanksione efektive. Njëkohësisht, nevojitet ndërgjegjësim i gjerë qytetar për ndryshimin e kulturës institucionale. Një fokus i veçantë duhet kushtuar rëndësisë që ka transparenca dhe llogaridhënia. Qytetarët duhet të dinë, se kush përpiqet të ndikojë kë, në vendimet që prekin jetën e tyre. Ndërkohë, institucionet duhet të jenë efektive dhe funksionale.

Ky projekt-ligj nuk shënon fundin. Ai është vetëm hapi i parë drejt rrugëtimit, për një administrate publike më të përgjegjshme, më të hapur dhe më të prirur drejt së mirës publike. Për të arritur këtë objektiv, do të duhet vullnet politik, angazhim qytetar dhe mbikëqyrje serioze.

Njëkohësisht, do të duhen burime njerëzore profesionale për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe për hetimin e shkeljeve të tij. Vetëm kështu fenomeni i lobimit mund të transformohet nga një proces misterioz, në një instrument të shëndetshëm të politikës publike. Sot e gjithë ditën, influenca e grupeve të interesit në politikat publike dhe rregullimi ligjor i veprimtarisë së tyre, mbetet një sfidë e madhe edhe për demokracitë me një traditë me të konsoliduar se vendi ynë.

*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Dr. Evarist Beqiri).

Vinkmag ad
Jepi Share

Read Previous

A e ka lëshuar Edi Rama, Belinda Ballukun në “gojën” e SPAK-ut? Çfarë po luhet pas dyerve të qeverisë

Read Next

Rikëndellja e demokracisë shqiptare: midis brishtësisë dhe shpresës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular