Në një intervistë të fundit për Agora News, pedagogu i shkencave politike në Universitetin CUNY të Nju Jorkut, Grid Rroji, analizoi protestat e vazhdueshme në Shqipëri dhe mundësinë e tyre për të sjellë ndryshime politike, duke theksuar se ato pasqyrojnë dështimin e thellë të projektit politik, ekonomik dhe social të liderëve të Tiranës.
Sipas Rrojit, protestat nuk janë thjesht një përpjekje për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama, por një reagim i gjerë ndaj një sistemi që ai e përshkruan si të dështuar dhe të ndërtuar kundër interesave të shqiptarëve. “Projekti politik, ekonomik dhe social i udhëheqjes së Tiranës ka dështuar, dhe kjo po bëhet e qartë çdo ditë për gjithnjë e më shumë qytetarë,” deklaroi ai.
Rroji argumentoi se qeveria aktuale është detyruar të shesë interesat kombëtare përmes koncesioneve dhe se Shqipëria është kaluar në duart e “një sindikate ndërkombëtare krimi”, ku roli i liderëve lokalë është kthyer në atë të ndërmjetësve që shërbejnë interesa të jashtme për pasurimin personal.
Ai theksoi se situata sociale është dramatike: arsimi, shëndetësia dhe shërbimet publike janë shndërruar në skema përfitimi, ndërsa shteti nuk i shërben më qytetarëve. Protestat, sipas tij, kërkojnë ndryshimin e sistemit drejt një “shteti të shqiptarëve për shqiptarët” – një koncept që ai dhe kolegët e tij e kanë quajtur “Shtetomb” prej më shumë se dy dekadash.
Ky do të ishte një shtet që mbron interesat kombëtare, krijon kushte që shqiptarët të mbeten dhe të kthehen, dhe nuk kapet nga struktura oligarkike apo kriminale.
Rroji vuri në dukje se brenda protestave ka grupe të ndryshme, përfshirë elementë që përpiqen t’i kapin për interesa të veta (disa të lidhur me politika aktive ose me figura si Ilir Meta dhe Erion Veliaj).
Megjithatë, “shpirt i protestës mbetet i drejtë: shqiptarët nuk duan më të jetojnë si skllevër”. Ai theksoi se diaspora është segmenti që elita e Tiranës frikësohet më shumë, pasi nuk është e kapur plotësisht nga interesat e tyre.Sipas analizës së tij, protestat deri tani nuk kanë arritur të artikulojnë qartë një mesazh ideologjik të unifikuar për një shtet-komb.
“Shtatori do të jetë momenti ku do të ndahet gruri nga byku,” tha Rroji. Ose shqiptarët që ndihen vërtet si të tillë do të rebelohen në mënyrë qytetare (përmes bojkoteve dhe formave të tjera), ose protesta do të zbehet në diçka që i shërben pakkujt.
Ai paralajmëroi se elita e Tiranës po përpiqet të krijojë konflikte fetare, sektare, rajonale dhe etnike, që do të ishin shumë më të rrezikshme. “Nuk është thjesht çështje e heqjes së Edi Ramës nga pushteti – ai nuk e ka merituar kurrë. Problemi themelor është mbijetesa e shqiptarëve si komb. Nëse duan të mbijetojnë, duhet të rebelohen sot, jo nesër.”
Rroji theksoi se përplasjet fizike të fundit brenda protestës janë shenjë e papjekurisë dhe dashakeqësisë së disave, por thelbi mbetet ideologjik: nevoja për një shtet që u shërben shqiptarëve.
Ai këshilloi që të mos i jepet shumë rëndësi konflikteve të brendshme, pasi elita do të përpiqet t’i kanalizojë protestat drejt temave dytësore.