Vetëm dorëheqja e Edi Ramës e ndal protestën!

Jepi Share

Nga Enver Bytyçi/Sot Tiranës iu vu flaka. Protestuesit, kryesisht studentë, duke parë se protesta e flamingove po dobësohej vazhdimisht, vendosën që të protestojnë ndryshe. Në kuptimin simbolik kryeqytetit iu vu flaka, sepse kudo që u shpërndanë protestuesit dogjën disa gëra, kosha plehrash, ngritën barrikada, dogjën edhe disa tezga tek pazari kryesor i Tiranës. Isha vetë në këtë protestë. Për herë të parë kam parë një revoltë, të cilën nuk e sheh as në barrikadat e luftës. Për herë të parë dëgjova që turma me qindra, në mos mijëra vetësh, e cila thërriste me sharje për robt e shtëpisë së kryeministrit. Për herë të parë pashë se studentët dhe rinia e Tiranës nuk do të sprapsen. Pse ndodhi e gjitha kjo?

Sepse pushteti i Edi Ramës po e zhbën Shqipërinë. Analistë ekranesh u ankuan menjëherë për dhunën e protestuesve. Janë të njëjtit analistë që nuk e kanë thënë asnjë fjalë për faktin se kryeministri Edi Rama po e shet dhe e zhbën Shqipërinë. Ndërkohë që dhuna e protestuesve është me një kosto një milion herë më e vogël sesa kostoja e qeverisjes së Edi Ramës. Nesër shqiptarët do të ngrihen më optimistë për të ardhmen e këtij vendi. Energjia negative që shihnim deri sot te qytetarët, tashmë me shumë mundësi do të shndërrohet në pozitivitet. Ata që thonë se “u prish prona”, se “ngjarja është nxitur nga armiqtë e Shqipërisë, pasi që u bë ditën e mbylljes së kapitullit 20 në Bruksel”, këta analistë dhe politikanë në fakt duan që ta paralizojnë nervin e protestës në Shqipëri. Kjo i intereson vetë pushtetarëve tanë të korruptuar deri në atë masë sa tashmë për ta shpëtuar lëkurën e tyre po shesin Shqipërinë te të fortët e botës.

Protesta e sotme ishte me zemëratë të panjohur kurrë më parë. Ishte vazhdimi ose rigjallërimi i protestave 135 ditëve të protestës kundër shitjes së Shqipërisë. Protesta e sotme shpreh vullnetin e padiskutueshëm të rinisë shqiptare për ta ndryshuar Shqipërinë. Kjo protestë e 13 tetorit 2026 ishte pasojë e arrogancës së Edi Ramës. Kjo arrogancë e tij ishte simboloke dhe jo vetëm simbolike. E fundit pati simbolikën e luanit, me të cilin Edi Rama krahasonte veten. Ndërkohë që protestuesve u thoshte “sorra, korba, laraska”! Kjo protestë është kundër qeverisë dhe jo vetëm kundër qeverisë. Eshtë edhe kundër politikave të derisotme prej 35 vitesh në Shqipëri.

Përballë protestuesve tashmë është i dhunshmi Edi Rama. Nuk besoj se ai do të heqë dorë nga dhuna e tij. Por protestuesit kanë vendosur që të mos e përkëdhelin më kreun e ekzekutivit me xhiron e radhës në bulevardin e Tiranës. Goditja që u bëri studentëve dhe protestuesve të tjerë policia e shtetit ishte refleksion i dhunës së pashembullt të kryeministrit kundër shqiptarëve.

U dhunuan egërsisht të rinjtë në protestë, por edhe mbështetësve të tyre. Shqiptarët panë me këtë rast fytyrën e vërtetë të këtij shteti të dhunshëm, të komanduar në çdo qelizë të tij nga autokrati Edi Rama. Dhuna policore, gazi lotsjellës, uji me përbërje kimike, shkopi policor, zvarritja në rrugët e Tiranës, thyerja e eshtrave, të gjitha këto ishin shfaqja më mizore policore që kemi parë deri më sot. Dhe askush nuk dyshon për faktin se arkitekt i dhunës është vetë kryeministri.

Nesër kryeministri do të flasë për këtë ngjarje. Do të thotë se “këta janë mashë e armiqve të Shqipërisë”. Mundet edhe t’i gjuajë me fyerje dhe batuta denigruese protestuesit. Mundet që sërishmi t’u thotë shqiptarëve se “Llogarinë e paska me historinë”! Ka gjithashtu mundësi që të thotë se “fajin e kishte drejtori i Përgjithshëm i Policisë”! Por e sigurt është se ai do të tregojë sërishmi forcë. Dhe nëse do të ndodhi kjo, atëherë forca e shtetit do të ballafaqohet me forcën e popullit! Prej ditës së sotme forca do të jetë i vetmi mjet zgjidhjeje, nëse shteti nuk do të prapset. Prapsje e shtetit do të thotë që të pranohet përgjegjësia e keqeverisjes dhe anulim i të gjitha ligjeve që janë votuar për ta nxjerrë Shqipërinë në ankand.

Sot, më 13 tetor, nisi kthesa e re në historinë tonë. Për këtë historia do t’i përulet studentëve, të rinjve dhe të gjithë protestuesve kurajozë për çliruar Shqipërinë nga sundimi dhe politikat kërcënuese të qeverisë së vet. Fundi i Edi Ramës dhe shpresojmë edhe i narko-shtetit që ai ndërtoi tek ne duket se është afër. Tmerri që po përjeton narko-regjimi është i paimagjinueshëm. Prandaj duhet jo vetëm qëndresë, por edhe mençuri dhe kurajo! Vetëm dorëheqja e Edi Ramës e çliron Shqipërinë prej tij!

Vinkmag ad
Jepi Share

Read Previous

Cilët janë “miqtë” (armiqtë) që Edi Rama i solli Shqipërisë?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular