
Të shtëna me armë zjarri në Fushë Krujë! Plagoset me armë zjarri Arben Dedja, pronar i një fasonerie në Fushë Krujë. Dedja ka shkuar vetë, rreth orës 18:50, për të marrë ndihmën e parë shëndetësore në qendrën shëndetësore në Fushë Krujë dhe nga aty është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 61-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën pasi ka marrë një plumb në këmbë. Ndërkohë që ka nisur punë për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Disa pika kontrolli janë ngritur në hyrje dhe në dalje të qytetit, ndërsa po ashtu janë sekuestruar dhe kamerat filmike të zonës, të cilat do të përdoren për të identifikuar autorin e plagosjes. Po ashtu janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohet se kanë dijeni lidhur me ngjarjen. Deri më tani, vetë i plagosuri nuk ka bërë me dije asgjë nga çfarë ka ndodhur, megjithatë dyshohet se gjithçka ka nisur si pasojë e një sherri të çastit.
NJOFTIMI I PLOTË: Më datë 01.05.2021, rreth orës 18:50, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi A. D., 61 vjeç, banues në Krujë, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri në këmbë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit për kapjen e autorit. Në ambientet e Policisë janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen si dhe janë sekuestruar pamjet filmike për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
