
Ulja e lindshmërisë dhe emigrimi i popullsisë kanë ndikuar në uljen e numrit të të rinjve në vend. Papunësia e përkohshme ose afatgjatë është shoqëruar me një sërë pasojash si: rritja e dëshirës për të emigruar, rritja e kriminalitetit dhe rritja e shkallës së varfërisë. Në Shqipëri, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 71,6% të këtij target-grupi duke qenë ekonomikisht jo-aktivë, sipas INSTAT.
Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë në kuadër të projektit “Qëndro”, financuar nga Ambasada Italiane dhe zbatuar nga UNICEF Shqipëri trajnoi punonjës socialë në 5 bashki të vendit duke synuar zhvillimin e aftësive të punës me të rinjtë në vështirësi..
Punonjësit socialë dhe profesionistë të punës me të rinjtë në Tiranë morën pjesë në sesionet e trajnimeve “Mbrojtja Sociale për të rinjtë në vështirësi” dhe ngritën kapacitetet e tyre për metodat e kërkimit shkencore dhe të aktivizmit social në punën me të rinjtë. Në bashkinë Kamëz punonjësit social u trajnuan për të mbështetur ndërhyrje programatike në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror për të rinjtë në vështirësi. Cikli i trajnimeve përfshiu module të fokusuara në sistemin e mbrojtjes sociale dhe tipologjinë e shërbimeve, punën me të rinjtë në komunitet dhe trajtimi i tyre nëpërmjet menaxhimit të rastit.
Ndërkohë, në bashkinë Elbasan cikli i trajnimeve u fokusua ndër të tjerash në rolin dhe përgjegjësitë e profesionistëve në menaxhimin e rastit të problematikave të të rinjve. Pjesëmarrës në trajnim ishin profesionistë të qendrave komunitare me fokus punën me të rinjtë, mbrojtjen e fëmijëve dhe monitorimin e shërbimeve sociale.
Punonjës socialë dhe profesionistë të shërbimeve sociale të Bashkisë Durrës u trajnuan rreth metodave dhe praktikave në punën e tyre me të rinjtë në vështirësi nën aspektin e mbrojtjes dhe fuqizimit për të ulur shkallën e rrezikut dhe vulnerabilitietin.
Në bashkinë e Krujës profesionistët e shërbimeve sociale u trajnuan për identifikimin e sfidave profesionale dhe institucionale që hasin punonjësit e kujdesit shoqëror në punën e tyre me të rinj/të reja në situata në vështirësi si dhe sjelljen e qasjeve të reja në zhvillimin e aftësive e shprehive në punën me të rinjtë/ të rejat duke patur në fokus komunikimin fuqizues dhe përforcimin e rrjetit të sistemit të ndihmës për të rinjtë e të rejat në vështirësi.
Profesionistët pjesëmarrës në këto aktivitete pohojnë se adresimi i këtyre sfidave kërkon një qasje gjithëpërfshirëse për fuqizimin e të rinjve që përfshin arsimin, aftësimin profesional dhe krijimin e vendeve të punës, përfshirjen sociale dhe nismat kundër diskriminimit.
