Një atentat fatmirësisht pa viktima ndodhi mbrëmjen e së shtunës dhe si objektiv kishte kushërinjtë Preçi. ‘A kam plumba në kokë?!’ Ky është reagimi i parë i Blerim Preçit, pak pasi i shpëtoi atentatit një ditë më parë në Lezhë, i cili në gjendje të rëndë psikologjike pyet nëse është plagosur apo jo. Në videon e postuar në rrjetet sociale, pak pasi i riu bashkë me kushëririn e tij, Klisman Preçi, i kishin shpëtuar mrekullisht plumbave, që u shkrepën në drejtim të makinës Mercedes Benz tip ‘ML’ me të cilën po udhëtonin. Blerim Preçi del i traumatizuar nga makina dhe qytetari dëgjohet teksa këshillon 28-vjeçarin që të futet në lokal, ndërsa ka telefonuar ambulancën dhe policinë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në Ishull-Lezhë, ku 28-vjeçari Blerim Preçi nga Miloti i cili po udhëtonte bashkë me kushëririn e tij, ranë pre e një atentati, ndërsa ende nuk ka asnjë autor të identifikuar.
Si ndodhi ngjarja?
Atentati me armë zjarri i së shtunës në mbrëmje në Lezhë ndaj kushërinjve Preçi nga Miloti, vijon të mbetet pa autor. Gjatë natës Policia ka ushtruar kontrolle në zonën e bregut të Matës dhe fshatrat e Kurbinit, por pa arritur të bien në gjurmët e atentatorëve të cilët pas ngjarjes, u larguan përgjatë superstradës në drejtim të Milotit. Gjithashtu janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, por deklarimet e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjen dhe ata janë lënë sërish të lire. Në media u mësua se në lëvizje e sipër, një Audi gri u është afruar në parakalim dhe një person nga sedilja e pasme qëlloi me pistoletë ndaj makinës së tyre. Dyshohet se autorët i kanë ndjekur dy kushërinjtë Preçi, derisa u janë afruar dhe qëlluan, fatmirësisht pa ju shkaktuar dëme. Sipas dëshmitarëve, Blerim Preçi, që ishte në timon, u hodh nga makina në lëvizje, e cila me pas devijoi dhe doli nga rruga. Ndërsa kushëriri i tij mbeti në makinë, ku ishte i ulur në sediljen e parë. Asnjë nga dy kushërinjtë nuk është plagosur nga të shtënat me armë, megjithëse disa plumba kanë goditur makinën e tyre sidomos në pjesën e përparme.
Kush është shënjestra, Blerim Preçi?
Nga informacionet paraprake, 28-vjeçari kishte pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika dhe një nga pistat kryesore në të cilën po heton policia është pikërisht e shkuara e tij dhe aktiviteti i tij jashtë vendit, teksa nuk ka precedentë penale në Shqipëri. Policia ka ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve, për të cilët nga sa mësohet janë larguar me shpejtësi në drejtim të Laçit me mjetin tip ‘Audi’ ngjyrë gri. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan rreth 15 gëzhoja, ndërsa janë marrë dhe do të analizohen kamerat e sigurisë të bizneseve në zonë të cilat mendohet se kanë filmuar makinën e autorëve. Sipas burimeve në dëshminë e tyre para hetuesve, Blerim dhe Klisman Preçi kanë deklaruar se nuk kanë konflikte, ndërsa dyshimet janë se shënjestër e atentatit të ketë qenë 28-vjeçari Blerim Preçi i cili sapo ishte kthyer nga Belgjika. Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek e shkuara e tij dhe të vëllait në vendet e Bashkimit Evropian, por pa përjashtuar edhe ndonjë konflikt të mundshëm në vendin tonë.