
Avokati Gylsen Zhllima, duke iu referuar polemikave që ka nxitur drafti i ri i Kodit Penal ka propozuar që në Kodin e ri Penal të shtohet si vepër penale edhe veprimet e zyrtarëve kur ata kanë si “qëllim instalimin e një regjimi që dëmton liritë e çdo shtetasi shqiptar dhe duke trazuar stabilitetin politik, legjislativ dhe gjyqësor, dënohet me burgim të përjetshëm”.
Sipas Zhllimës, po kjo vepër penale referuar nenit të propozuar prej tij, 73/a të përfshihet në Kodin Penal edhe në rastet kur zyrtarët e lartë “propozojnë drafte të cilat trazojnë me dashje, direkt, indirekt ose tërthorazi opinionin publik, duke cenuar me draftin e tyre sigurinë juridike të çdo shtetasi…”
“Po kjo vepër penale, kur kryhet nga zyrtarë të lartë duke propozuar drafte që trazojnë me dashje, direkt, indirekt ose tërthorazi opinionin publik, duke cenuar me draftin e tyre sigurinë juridike të çdo shtetasi dhe duke bërë përzierjen e ligjeve materiale me qëllim keqdashës për të bërë keqinterpretime të rendit kushtetues dhe demokratik, si dhe duke prishur me dashje, direkt, indirekt ose tërthorazi jurisprudencën e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, dënohet me burgim të përjetshëm”, thuhet në reagimin e avokatit Zhllima.
Zhllima shton se kjo dispozitë penale nuk parashkruhet kurrë në mënyrë që të mbrojë demokracinë dhe qytetarët shqiptarë nga instalimi i regjimeve autoritare apo përpjekjet për të goditur shqiptarët.
Reagimi i plotë:
Në aplikim të nenit 81 Kushtetues, propozoj te 20.000 mijë zgjedhës si më poshtë:
Në Kodin aktual të shtohet:
Neni 73/a
Propozimi ose normimi i akteve kundër sistemit demokratik, politik dhe shoqëror në Shqipëri.
Propozimi ose normimi i ligjeve që bien ndesh me konventat ndërkombëtare të ratifikuara në Republikën e Shqipërisë, ose duke hequr ose/dhe kufizuar të drejta dhe duke krijuar me dashje, direkt ose indirekt, keqkuptime në komunitet, si dhe duke nxitur urrejtje ndaj sistemit demokratik, dënohet me burgim të përjetshëm.
Po kjo vepër, kur kryhet ndaj popullit, duke krijuar rrethana të frikës, poshtërimit dhe cenimit të vlerave demokratike, dënohet me burgim të përjetshëm.
Po kjo vepër penale, kur kryhet nga zyrtarë të lartë me qëllim ndryshimin e sistemit demokratik të vendit, si dhe me qëllim instalimin e një regjimi që dëmton liritë e çdo shtetasi shqiptar dhe duke trazuar stabilitetin politik, legjislativ dhe gjyqësor, dënohet me burgim të përjetshëm.
Po kjo vepër penale, kur kryhet nga zyrtarë të lartë duke propozuar drafte që trazojnë me dashje, direkt, indirekt ose tërthorazi opinionin publik, duke cenuar me draftin e tyre sigurinë juridike të çdo shtetasi dhe duke bërë përzierjen e ligjeve materiale me qëllim keqdashës për të bërë keqinterpretime të rendit kushtetues dhe demokratik, si dhe duke prishur me dashje, direkt, indirekt ose tërthorazi jurisprudencën e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, dënohet me burgim të përjetshëm.
Kjo dispozitë penale nuk parashkruhet.
Ky propozim mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nga armiqtë e saj.
