Teksa vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike, ndërtimet pa leje vijojnë të lulëzojnë në periferi të Tiranës.
Banorët e pallatit “Aleksandros”, rruga: “Rexhep Shala”, pranë “KMY”-së kanë denoncuar mbylljen me dhunë që po i bëhet tarracës së pallatit dhe muret e betonit që janë ngritur në vendin qe ka shërbyer si ajrosje për banorët.





Më konkretisht firma “MARATEB.Al” me administrator z. Ferit Gjergji, po kryen punime duke ngritur mure betoni, ndërkohë që nuk ka leje ndërtimi për këto punime.

Banorët denoncojnë faktin që ky subjekt ka marrë një leje në Njësinë administrative Kashar për punime që kryen brenda ambienteve të shtëpisë, dhe jo ndryshim strukture, mbyllje me mur dhe betonizim të tarracës.

Sipas banorëve, para 6 muajsh te ky pallat ra zjarri dhe shpëtimi i tyre u bë pikërisht kjo tarracë që sot është betonizuar.

Pavarësisht ankesave në Policinë Bashkiake dhe Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit, këto institucione nuk kanë marrë asnjë masë, ndërkohë që administratori i “MARATEB.Al” vijon të betonizojë taracën duke sfiduar hapur institucionet shtetërore dhe urdhrin e kryeministrit Rama.
