Fitorja e madhe olimpike kineze mbi frikën pandemike

Jepi Share

Fundjava e shkuar shënoi përfundimin e Lojërave Olimpike Dimërore të mbajtura këtë vit në qytetin e Pekinit. Kësaj here, organizimi i kësaj veprimtarie madhështore të sportit botëror, ishte i veshur me vështirësinë e shtuar të përballjes me pandeminë e COVID-19. Shuarja e Zjarrit Olimpik pas një shfaqjeje dinjitoze mbyllëse, duket se ka lënë një shije të mirë veçanërisht për Kinën, por përgjithësisht për krejt komunitetin botëror të sportdashësve dhe fansave kudo në botë.

Me mbajtjen e lojërave olimpike dimërore këtë vit Kina u bë vendi i parë që organizon në të njëjtin qytet si lojërat dimërore, ashtu edhe ato verore. Lojërat Olimpike Verore të mbajtura në 2008 u shoqëruan asokohe me një jehonë të pashoqe, dhe ishin si një këmbanë që lajmëronte daljen e Kinës nga një dekadë izolimi dhe fillimin e një epoke të re edhe në kontekstin global, por edhe në perceptimin ndërkombëtar në përgjithësi..

Megjithë reminishencat e përligjura të Lojërave Olimpike të 2008-ës, panorama e sivjetshme e situatës globale ishte tërësisht e ndryshme.

Sigurisht, mbajtja e Lojërave të këtij viti ishte një tjetër mundësi që Kina kërkoi ta shfrytëzonte për t’i lënë mbresa botës, por gjithashtu ishte e drejtuar në mënyrë të veçantë edhe drejt popullit kinez dhe raporteve ndërnjerëzore në hapësirën ndërkombëtare.

Suksesi i Lojërave ishte një frymë që ndihmoi unitetin e brendshëm kombëtar dhe forcoi edhe më tepër pozitën politike të presidentit Xi, i cili po bëhet gati për të siguruar një mandat të tretë të paprecedentë në drejtimin e vendit. Gjithashtu, dëshira e Kinës ishte që këto Lojëra të rezultonin me një interes të shtuar të popullit kinez ndaj sporteve dimërore, që do të ndihmonte edhe ekonominë vendase.

Vendimi që lojërat të mbaheshin në Pekin u shoqëruan fillimisht me polemika dhe një valë të theksuar skepticizmi. Dimrat në Pekin janë të ftohtë dhe të thatë, pa rreshje të shumta dëbore. Kina gjithashtu nuk është shquar më parë në sportet dimërore, të cilat nuk kanë qenë traditë dhe nuk kanë shijuar shumë popullaritet. Megjithatë, Kina po i konsideronte këto Lojëra Olimpike si një mundësi për ta ndryshuar këtë status quo dhe për ta shndërruar Pekinin në një destinacion global për sporte dimërore edhe në të ardhmen.

Kjo ngjarje e përbotshme sportive u konkretizua përmes një investimi të madh prej miliarda dollarësh nga qeveria kineze. Përveç shfaqjes sportive në qendër të të gjithë organizimit, protagoniste ishte edhe shfaqja e zhvillimit teknologjik të Kinës. Për të sfiduar vështirësitë klimaterike, u përdorën makineri për të krijuar dëborë artificiale në përmasa të mëdha. Tunele të reja u hapën për t’u hapur rrugë hekurudhave për linja të reja të trenave të shpejtë. Këto lojëra ishin edhe hera e parë që vizitorët e huaj mundën të përdorin në masë monedhën e re dixhitale të Kinës.

Përballja me pandeminë ishte padyshim një kosto e shtuar për organizimin e këtyre lojërave. Si asnjëherë më parë, u morën në mënyrë të mirëorganizuar masa të shumta për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë. Gjithë spektakli sportiv u zhvillua në një “flluskë olimpike”, që siguronte izolimin në një kuartier të sportisteve dhe sportistëve nga pjesa tjetër e Kinës. Për më tepër, dhjetëra mijëra testime për të gjithë pjesëmarrësit u kryen çdo ditë, çfarë siguroi identifikimin dhe kontrollimin e rasteve. Lufta me pandeminë mund të konsiderohet si fitorja më e madhe gjatë këtij evenimenti, duke qenë se shumë pak sportistë nuk morën dot pjesë në kompeticion dhe në shumë ditë asnjë test nuk rezultoi pozitiv.

Përveç frikës së pandemisë, një tjetër frikë e pranishme gjatë gjithë vijueshmërisë së eventit ishte ajo e skandaleve ose e politizimit të eventit, që do të zbehte mesazhin unitar pishtar i të cilit ka qenë përherë sporti. Megjithëse që në marrjen e vendimit që Lojërat Olimpike të mbahen në Kinë dhe në vijim polemikat ishin të shumta, çështjet e nxehta politike kaluan në sfond dhe ia lanë skenën sportit. Për fat të mirë incidentet ishin të pakëta dhe nuk e njollosën ose larguan vëmendjen nga arsyeja kryesore e këtij organizimi.

Divergjenca mes Perëndimit dhe Kinës u vërejt edhe në vëmendjen që ju kushtua Lojërave Olimpike. Ndërkohë që Amerika dhe vende të tjera si Kanadaja ose Britania shfaqën një rënie të ndjeshme shikueshmërie, në Kinë situata ishte krejtësisht e ndryshme. Rreth 600 milionë kinezë ndoqën Lojërat Olimpike në televizor, duke e shndërruar ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike në programin televiziv më të ndjekur në këtë dekadë.

Një burim entuziazmi për popullin kinez ishin edhe rezultatet e mira të sportistëve vendas. Pavarësisht faktit që historikisht Kina nuk ka performuar po aq mirë në sportet dimërore, investimi i saj në vitet e fundit për të krijuar një skuadër kompetitive sportistësh u kurorëzua me nëntë medalje floriri dhe një shumë prej 15 medaljesh gjithësej. Kësioj, Kina shijoi në të njëjtën kohë edhe rezultatin e saj më të mirë të të gjitha kohërave në Lojërat Olimpike Dimërore.

Në përfundim të kësaj ngjarjeje spektakolare, të përmasave kaq të mëdha, pavarësisht ndryshimeve të mendimit dhe distancave të qëndrimeve politike, u arrit që të mos cënohet sporti. Kostoja e madhe e Lojërave Olimpike u përligj nga suksesi në mirëorganizimin tyre duke mposhtur edhe pengesën e madhe të pandemisë. Përfaqësimi dinjitoz në organizim dhe entuziazmi i shtuar i popullit kinez ndaj Lojërave, ishin medalja më e dëshiruar për vendin organizator. Sporti si në shumë kohë të jetës njerëzore, edhe kësaj here në Pekin, ia doli të sfidojë klimën apo kufizimet që sjell politika globale dhe sidomos ajo e ndarjes dhe interesave gjeopolitike.

Vinkmag ad
Jepi Share

Read Previous

“Turp më të madh s’ka!”, Bushati nxjerr dokumentin me firmën e Ramës, reagon ashpër kryeministri: Mos më ‘nxirrni nga lëkura’ se do shihni…

Read Next

Edi Rama zbulon problemin shëndetësor nga i cili vuan: Është një rast i veçantë që kam udhëtuar drejt Amerikës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular