
31-vjeçari Besian Xhixha, i arrestuar nga SPAK si i përfshirë në disa ngjarje të bujshme kriminale sipas dëshmive të dhëna nga Nuredin Dumani, foli gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë për lidhje të këtij të fundit me njerëz të pushtetshëm.
Xhixha foli për ministra, deputetë dhe prokurorë. Ai nuk përmendi emra ministrash e deputetësh, por përmendi emrin e një prokurori.
“Nuredin Dumani ka kryer 12 vrasje. Pas çdo vrasje, na ka thënë se nuk më gjen asgjë, pasi ka lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madhe më ka thënë që ka lidhje me prokurorin Altin Dumani. E ka njeriun e vetë dhe ndihej i mbrojtur”, tha Xhixha.

Altin Dumani është prokuror i SPAK, madje tre vite më parë konkurroi me Arben Krajën para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për t’u zgjedhur drejtues i kësaj strukture. Ai është pjesë e seksionit të Prokurorisë së Posaçme që heton krimin e organizuar.
Altin Dumani ka lindur në Shupenzë të Dibrës. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror, në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë.
Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Ai bëri bujë me qëndrimin që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.
