
Ish truproja e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Hekuran Marku është lënë në qeli nga Gjykata. Marku, është ekstraduar nga Gjermania, ndërsa SPAK kërkoi ekzekutimin e masës së sigurisë së dhënë në mungesë në kuadër të Operacionit “Shpirti”.
Pas seancës gjyqësore, avokati i Hekuran Markut, Tonin Prendi ka folur për mediet. Avokati u shpreh se Marku nuk ka lidhje me akuzat për të cilat është marrë i pandehur dhe se do ankimojnë vendimin. Për sa i përket njohjes me Elton Bregasin (i pandehur në këtë proces), Prendi tha se e ka njohur në vitin 2015 gjatë fushatës elektorale dhe njohja e tij përfundon po në këtë vit.
“Gjatë seancave dëgjimore që do zhvillohen do kundërshtojmë dhe do paraqesim fakte dhe rrethana që tregojnë se Hekuran Marku nuk ka lidhje me veprat për të cilat është marrë i pandehur. Me Eltjon Bregasin është njohur në vitin 2015 në fushatën elektorale. Njohja e tij përfundon vetëm në atë vit gjatë fushatës elektorale dhe asgjë tjetër. Se çfarë ka folur, se çfarë ka bërë Eltjon Bregasi, Hekuran Marku nuk ka lidhje dhe dijeni për çdo aktivitet dhe veprimtari që mund të ketë bërë. Njohja e tij përfundon vetëm në kuadër të fushatës elektorale, në vitin 2015″, tha Prendi.
Për sa i përket procesit lidhur me ish-truprojën tjetër Paulin Agustin Deda, avokati tha se po ndiqen rrugët ligjore dhe janë në pritje të përfundimit të procedurave për ekstradimin nga Franca.
Po ndjek rrugët ligjore. Do pritet që të përfundojnë procedurat e ekstradimit dhe pastaj do të vijë në Shqipëri dhe të përballet me drejtësinë” tha avokati.
Sot gjyqtari i gatshëm i komunikoi vetëm masën e arrestit Hekuran Markut apo edhe faktin që është marrë i pandehur?
“Sot ju komunikua vetëm masa e sigurisë që është marrë ndaj tij, në mungesë të tij. Për faktin që është i pandehur ai e di”, shtoi avokati.
Agustin Deda dhe Hekuran Marku, dolën në skenë në skemën e trafikut të drogës më 21 dhjetor të vitit 2016. Në dosjen hetimore thuhet se ata në bashkëpunim me Eltjon Bregasin (Pingio), Silvio Sidella, Raffaele Addante, Giuseppe Vispo dhe Alessio Venterella kanë transportuar në rrugë detare nga Shqipëria në Itali një sasi prej 1016 kg kanabis.
Lënda narkotike ishte kultivuar nga Bregasi, Deda dhe Marku dhe do të dorëzohej në Itali tek trafikantët italianë por përfundoi në duart e autoriteteve italiane të cilët ndaluan skafistët Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini.
Ngarkesa e cila transportohej me një gomone të bardhë rreth 8 metra të gjatë u ndalua më 21 dhjetor të vitit 2016. Në gomone gjendeshin 94 thasë me më shumë një ton lëndë narkotike. Ajdini dhe Seferi kanë rrëfyer se Malton Lleshi kishte bërë një atentat me tritol në lokalin e Ajdinit duke deklaruar se ai duhet t’i paguante 50 mijë euro për lëndën narkotike të sekuestruar nga policia italiane në momentin e transportit. Nga deklarimet e Fiqiret Seferit u zbulua se dy shoqëruesit e ish-ministrit bashkë me Elton Bregasin e kultivonin lëndën narkotike në Memaliaj, në një arë që ndodhej në anë të rrugës së paasfaltuar në pyll, në vazhdim të autostradës SH.
Seferi tha se plantacioni ishte në pronësi të Hekuran Markut, ku ishin angazhuar 20-30 punëtorë që paguheshin deri në 15 euro në ditë për të pastruar gjethet e marijuanës që ndodheshin në thasë të mëdhenj./
