
“Të hetohet Enkelejd Alibeaj”! Ky është mesazhi që vjen nga Paraguaji, ku janë ngritur akuza ndaj ish-presidentit të Bankës Qendrore të këtij shteti, Carlos Fernández Valdovinos.

Diplomati paraguajan, Blas Oddone shkruan në Twitter se bankieri Valdovinos i ka dhënë mbështetje financiare dhe bankare, deputetit të PD, Alibeaj, shkruan RD-ja.

Ai thotë se organet hetimore të Paraguajit duhet të hetojnë transaksionet që Carlos Fernández Valdovinos ka kryer për interes të Alibeajt.
Nuk është e qartë se për çfarë veprimesh bankare bëhet fjalë dhe nëse ato janë kryer direkt në llogaritë e përfaqësuesit të Lulzim Bashës. Oddone e quan Alibeajn politikan të korruptuar që duhet të hetohet.
Por kërkesa e Blas Oddones nuk është e vetmja.

Edhe gazetari i njohur paraguajan, Pedro Escobar Medina i bën thirrje institucioneve të Asunción, të hetojnë politikanin shqiptar, Enkelejd Alibeaj, për mbështetjen financiare që ka përfituar nga ish-kryebankeri i Paraguajit, Carlos Fernández Valdovinos.
Reagimet
Blas Oddone
Ministria Publike e Republikës së Paraguajit duhet të hetojë mbështetjen financiare dhe bankare të Carlos Fernández Valdovinos dhënë politikanit të korruptuar shqiptar Enkelejd Alibeaj.
Pedro Escobar Medina
Ministria Publike e Republikës së Paraguajit duhet të marrë në konsideratë të hetojë mbështetjen e mundshme financiare dhe bankare të Carlos Fernández Valdovinos, që supozohet të jetë dhënë për politikanin shqiptar Enkelejd Alibeaj.
***
Carlos Fernández Valdovinos është një nga bankierët më të njohur në Paraguaji.
Ai ka shërbyer si Guvernator i Bankës Qendrore të Paraguajit nga viti 2013 e deri në 2018.
Në maj 2017 ai u zgjodh anëtar i Bordit të Guvernatorëve në Qendrën për Studime Monetare të Amerikës Latine, për periudhën 2015-2017 dhe përfaqëson Paraguajin në Bordin e Drejtorëve të Fondit të Rezervave të Amerikës Latine (FLAR) që nga viti 2014.
