
Nga Evarist Beqiri*/Në historinë e kombeve, më e kushtueshme se çdo agresion i jashtëm ka qenë vetëkënaqësia e brendshme. Në çdo shtet që aspiron stabilitet dhe zhvillim afatgjatë, marrëdhënia mes inteligjencës dhe vendimmarrjes është vendimtare. Kjo marrëdhënie duhet të bazohet mbi besim të ndërsjellë, profesionalizëm dhe integritet institucional, jo mbi vetëkënaqësi, besnikëri të verbër apo instrumentalizimin politik.
Historia ka treguar se kur sistemi i inteligjencës degradohet në një mekanizëm miratues për pushtetin, më shumë se sa një mjet për ta sfiduar me analiza, shteti bie në letargji strategjike. Shembulli i Iranit është tragjikisht ilustrues. Republika Islamike, në dekadat e fundit, ka prodhuar një aparat sigurie tepër të gjerë dhe të sofistikuar, por të kapluar në një kurth. Aty perceptimi i besnikërisë politike është ngritur në piedestal, ndërsa kompetenca është shndërruar në rrezik për hierarkinë. Kjo ka çuar në “budallepsjen” e aparatit të sigurisë, ku informacioni që pranohet është ai që i pëlqen lidershipit, jo ai që pasqyron realitetin.
Rasti i Republikës Islamike të Iranit është një paralajmërim dramatik për të gjitha shtetet që, për shkak të perceptimit të besnikërisë si virtyt suprem, mbjellin një sistem ku kompetenca fshihet nën hijen e bindjes. Sulmi masiv ndaj zemrës së aparatit të sigurisë iraniane dhe programit të tij bërthamor, ekspozoi jo thjesht një dështim operacional, por një kulturë të rrënjosur vetëkënaqësie dhe papërgjegjshmërie strategjike. Aty ku analizat sakrifikohen për servilizmin, inteligjenca bëhet dekor i pushtetit.
Ky mësim vlen edhe për Shqipërinë. Në një realitet gjeopolitik ku rajoni është kthyer në një skenë konkurrimi interesash, SHBA, BE, Turqi, Kina, Rusia, Irani, nuk ka luks më të rrezikshëm se injorimi i rolit që luan inteligjenca në vendimmarrje. Informacioni nuk duhet të jetë një pjatë e mirë gatuar servilizmi, që servir vetëm çfarë do të dëgjojë pushteti, por frymëmarrja e një shteti serioz që analizon, parashikon dhe vetëmbrohet.
Raporti ideal mes inteligjencës dhe vendimmarrjes ndërtohet mbi tri shtylla: 1) Pavarësia analitike, 2) Komunikimi i sinqertë, dhe 3) Respekti reciprok institucional. Në mungesë të tyre, pushteti verbohet dhe siguria degradohet në një ritual të pakuptimtë. Politika duhet të heqë dorë nga tundimi për ta shfrytëzuar inteligjencën si mjet për mbijetesën e saj afatshkurtër. Ajo duhet ta trajtojë atë si partner në udhëheqjen e shtetit. Nga ana tjetër, shërbimet inteligjente nuk duhet të udhëhiqen nga inatçorët, të dështuarit dhe intrigantët, por nga patriotët, profesionistët dhe të ndershmit.
Rreziku kryesor qëndron te ngushtimi i hapësirës për zëra që paralajmërojnë. Nëse sinjalet nuk dëgjohen, nëse përparësi merr besnikëria e verbër ndaj meritës dhe profesionalizmit, atëherë rrezikojmë që të kapemi në befasi. Jo nga mungesa e informacionit, por nga përdhosja e rolit të tij.
Rasti ideal është ai ku inteligjenca vlerësohet jo kur është e një mendjeje me politikën, por kur guxon ta sfidojë atë me argument. Në një shtet sovran, paanshmëria dhe profesionalizmi i inteligjencës është garant i besueshmërisë së vendimmarrjes. Vetëm kur pushteti dëgjon zërin e mendimit kritik, jo të atij servil, mund të themi se po ecim drejt një stadi tjetër, ku interesi kombëtar nuk është thjesht një slogan, por një mision fisnik.
Duhet të ndërtojmë një kulturë shtetërore ku inteligjenca nuk shërben për të ushqyer vetëbesimin e rremë, por për të përforcuar vendimet strategjike, sidomos në kohë pasigurie. Vetëkënaqësia është një luks që vetëm shtetet e degraduara mund ta përballojnë. Shqipëria nuk është një prej tyre. Dhe s’ka pse të bëhet.
* ish-drejtor i Institutit të SHISH
