Izraeli dhe Druzët -“Miku i mirë në ditë të vështira”!

Jepi Share

Nga Fatjon Malaj/ Midis 13-18 korrikut në pjesët perëndimore dhe veriore të provincës jugore siriane Sueida u zhvilluan luftime midis një aleance të arabëve beduinë dhe forcave fisnore të  grupeve druze.

Druzët janë një popullsi prej afërsisht 1.5 milionë banorësh në të gjithë botën. Shumica e popullsisë druze jeton në rajonin Sueida të Sirisë, i njohur edhe si

“Jabal al-Druze” (Malet Druze).

Afërsisht 700,000 druzë  jetojnë në Siri, numri i lartë  i tyre në Siri i ka çuar ata në një  prani të konsiderueshme edhe në politikën siriane.

Libani njihet gjithashtu si vendi me komunitetin e dytë më të madh druzë. popullsia druze në Liban raportohet të jetë rreth 300,000.

Por qershia mbi tortë janë rreth 100,000 druzët të cilët jetojnë në Izrael, kryesisht në Lartësitë e Golanit.

Druzët kanë një sistem besimi që mbështetet në interpretime ezoterike të Islamit, por ka zhvilluar parimet e veta unike teologjike, të bazuara në thelb në konceptin e monoteizmit (unitetit të Zotit).

Në mozaikun kompleks dhe në ndryshim të vazhdueshëm të aleancave të Lindjes së Mesme, marrëdhënia midis Izraelit dhe komunitetit Druz përfaqëson një nga shembujt më konkretë dhe më të qëndrueshëm të shprehjes “miku i mirë në ditë të vështira”. Për Izraelin, i cili ë shtë  një shtet hebre i rrethuar nga bota arabe, Druzët përfaqësojnë partnerë besnikë dhe kolateral strategjik; për Druzët, kjo aleancë është bërë gurthemeli i një strategjie për mbijetesë dhe ekzistencë të vazhdueshme mes trazirave në rajon. Rëndësia e kësaj marrëdhënieje nuk kufizohet vetëm në bashkëpunimin ushtarak; ajo është e rrënjosur në rrënjë të thella historike, dinamika komplekse shoqërore dhe perceptime të përbashkëta të kërcënimit.

Ndërsa Druzët në Siri kanë pasur marrëdhënie të luhatshme me regjimin e Bashar AlAsad, ata në përgjithësi kanë tendencë të ruajnë autonominë e tyre. Për të siguruar besnikërinë e Druzëve, regjimi i Asadit u dha atyre autonomi të pjesshme dhe i përjashtoi nga shërbimi në  Ushtrinë Siriane. Ndoshta arsyeja më e rëndësishme për këtë përjashtim është mundësia se Druzët do t’i shërbenin Ushtrisë Izraelite në  rast se këta do tua kërkonin dhe mundësia e një rebelimi të  brendshëm nga ana e Druzëve në Ushtrinë Siriane në rast të një lufte, regjimi nuk u ka besuar kurrë  atyre pikërishtë  për shkak të  këtij raporti me Izraelin edhe pse i ka përkëdhelur në  thonjza. Për më tepër, pranimi i Druzëve, të cilët historikisht kanë pasur marrëdhënie të ngushta dhe të ngrohta me Izraelin, në ushtri vetëm sa do ta bënte më të lehtë punën e Mossadit për arsye informative dhe subversive.

Rrënjët e marrëdhënies izraelito-druze datojnë që përpara themelimit të Shtetit të Izraelit. Në atë kohë, si hebrenjtë ashtu edhe druzët e konsideronin veten pakicë brenda popullsisë shumicë arabe dhe ndanin shqetësime të përbashkëta për të ardhmen. Gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1948, shumë fshatra dhe udhëheqës druzë vendosën të bashkëpunonin me palën hebraike kundër forcave nacionaliste arabe. Ky vendim pasqyronte politikat pragmatike dhe mbijetuese të druzëve. Duke mos u besuar qëllimeve të shteteve dhe ushtrive arabe përreth, druzët formuan një aleancë joformale, të njohur si “vëllazëri gjaku”, me Izraelin, të cilin e shihnin si një aleat më të besueshëm.

Kjo aleancë u bë zyrtare pas themelimit të Shtetit të Izraelit. Në vitin 1957, me kërkesë të udhëheqësve druzë, u fut shërbimi i detyrueshëm ushtarak për burrat druzë në Forcat Mbrojtëse të Izraelit. Kjo u bë simboli më i fuqishëm i besnikërisë së druzëve ndaj shtetit dhe dëshirës së tyre për integrim, ndryshe nga popullsia shumicë arabe në Izrael. Që atëherë, druzët kanë shërbyer në të gjitha njësitë e IDF-së (Ushtria e Izraelit), madje edhe në njësitë më kritike dhe elitare, duke arritur grada të larta dhe duke luajtur një rol kyç në sigurinë e Izraelit. Për më tepër, gati gjysma e afërsisht 1,500,000 druzëve në të gjithë botën jetojnë në Siri. Kjo shihet nga Izraeli si një ushtri e mbajtur në gatishmëri kundër Sirisë, e cila ka përfunduar fshehurazi misionin e saj të vendosjes.

Pavarësisht integrimit të plotë në ushtri, komuniteti Druze në Izrael nuk mund të thuhet se gëzon të njëjtin nivel barazie në jetën civile. Ndërsa e konsiderojnë veten qytetarë besnikë të shtetit, ata shprehin diskriminim dhe neglizhencë të herëpashershme, veçanërisht në çështjet e ndarjes dhe planifikimit të burimeve shtetërore. Kjo është e pritshme, duke pasur parasysh strategjitë dhe pretendimet e kaluara të komunitetit hebre për një “Racë Kryesore”.

Një nga debatet më të rëndësishme mbi këtë çështje shpërtheu me “Ligjin e Shtetit-Komb”, të miratuar në vitin 2018. Ky ligj, i cili e përcaktonte Izraelin si “shtetin-komb të popullit hebre” dhe i hiqte statusin arabishtes si gjuhë zyrtare, shkaktoi zhgënjim dhe zemërim të konsiderueshëm brenda komunitetit Druze. Druzët, të cilët e konsideronin veten një element themelues të shtetit dhe derdhën gjakun e tyre për të, argumentuan se ky ligj i linte ata në statusin e qytetarëve të dorës së dytë. Kjo situatë vuri në pikëpyetje paktin e “vëllazërisë së gjakut” midis shtetit izraelit dhe komunitetit Druze dhe çoi në një marrëdhënie të tendosur. Edhe pse qeveria ka ndërmarrë disa hapa për të adresuar shqetësimet e druzëve, ndjenja e pasigurisë e krijuar nga Ligji i Shtetit Komb nuk është zhdukur plotësisht.

Marrëdhënia e Izraelit me Druzët po evoluon vazhdimisht paralelisht me ndryshimin e ekuilibrit të fuqisë në Lindjen e Mesme. Pasiguria në Siri, faktori Hezbollah në Liban dhe ndikimi në rritje i Iranit në rajon e rrisin më tej rëndësinë e kësaj aleance strategjike. Izraeli po përpiqet të krijojë një sferë ndikimi për veten si në Siri ashtu edhe në Liban dhe të balancojë armiqtë e tij duke përdorur kartën Druz.

Megjithatë, kjo marrëdhënie nuk është një marrëdhënie varësie e njëanshme. Druzët gjithashtu e shohin Izraelin si një mbrojtës kundër fuqive që i rrethojnë, të cilat i perceptojnë si kërcënime të mundshme. Ndërsa kjo marrëdhënie me interes të ndërsjellë mund të duket se ka tejkaluar parimin “armiku i armikut tim është miku im” dhe ka evoluar në një fat të përbashkët dhe strategji mbijetese, marrëdhënie të tilla me interes shpesh përfundojnë në zhgënjim. Drejtimi i ardhshëm i kësaj aleance do të varet si nga sinqeriteti i Izraelit në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve të tij Druz, ashtu edhe nga rrjedha e zhvillimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Por një gjë është e sigurt: kjo aleancë unike dhe strategjike do të vazhdojë të jetë një faktor i rëndësishëm në ekuacionin kompleks të rajonit e cila mund të  sjellë  për Izraelin në  emër të  mbrojtjes së  “vëllait të  gjakut “ përfshirjen në një  ose disa luftra në  të ardhmen e afërt në  këtë  rajon.

Vinkmag ad
Jepi Share

Read Previous

Autonomia Vendore, Stil Shqiptar

Read Next

A keni marrë ndonjëherë drogë? Rama befason me përgjigjen ndaj gazetarit gjerman

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular