Klanizimi i medias dhe politikës

Jepi Share

Nga Bardhi Quku/Strukturat klanore kanë gjetur një përhapje mjaft të gjerë në vend, veçanërisht në media dhe politikë. Ngritja e një mediumi sot, qoftë audioviziv apo i shkruar kryhet nga qëllime përfitimi dhe jo shërbimi.

Televizionet dhe gazetat janë ndërtuar mbi bazën e përfitimeve reciproke me pushtetin politik dhe jo në shërbim të opinionit publik.

Pronarët e mediave janë shndërruar në instrumente të politikanëve, ashtu si gazetarët janë shndërruar në instrumente të pronarëve. Vendosja e marrëdhënies së pronarit të një mediumi me politikanin kryhet mbi bazën e përfitimit reciprok.

Politikani nga ana e tij, me pushtetin që zotëron arrin ta përçojë mesazhin dhe imazhin e tij në media falë lehtësisë së krijuar nga pronari i medias dhe ky i fundit përfiton nga mbrojtja politike dhe juridike e politikanit.

Në këtë mënyrë, biznesi mediatik rrjedh i qetë. Ai që e pëson është gazetari dhe opinioni publik i cili merr një mesazh të deformuar, duke u mbingopur nga informacione boshe. Kjo mbingopje kthehet në frenetizëm që shkakton reagim të dobët të qyetarit përballë mesazhit politik. 

Në këtë rast, mesazhi politik vendoset në një marrëdhënie vertikale me opinionin publik. Media nuk mund t’a devijojë këtë marrëdhënie për shkak të raporteve të vendosura me pushtetin politik. Raporti apo marrëdhënia e medias me politikën është ndërtuar mbi bazën e bashkekzistencës. Marrëdhënia e tyre është simbiotike,- kështu ka qenë e kështu do të jetë.

Por, problemi nuk qëndron tek simbioza e tyre, por tek keqpërdorimi dhe abuzimi i pushtetit mediatik dhe atij politik. Pronari i medias dhe politikani e kanë ndërtuar veprimtarinë e tyre mediatike dhe politike mbi bazën e abuzimit të pushteteve. Kjo ndërthurje e pushtetit politik me atë mediatik bën të mundur krijimin e klaneve dhe kastave brenda pushteteve, si në politikë ashtu edhe në media.

Mediat, të cilat duhet të jenë zëri i opinionit publik, janë shndërruar në altorparlante të një grupi të caktuar që i japin zë pushtetit politik. Ky grup ka ndërtuar rregullat e lojës së tij. Kjo kastë mediatike dhe klanore ka përcaktuar një logjikë për secilin medium që zotëron. Logjika e medias në këtë rast operon në bazë të rregullave të vendosura nga lart – poshtë, me konsensusin e binomit politikan – pronar. Ai që del kundër kësaj logjike, ndëshkohet.

Brezat e gazetarëve që vijnë njëri pas tjetrit nuk kanë potencialin e duhur për ta thyer këtë nyjë, pasi ata janë të detyruar t’i nënshtrohen kësaj logjike. Edhe pse shumica e gazetarëve të rinj kanë në kokë një projekt për një gazetari ndryshe, e gjitha kjo shuhet sapo gjenden në një media. Ata duhet të bëhen pjesë e logjikës së vendosur nga kasta drejtuese.

Në të kundërt, janë të destinuar të hidhen në rrugë. Kështu që, gazetari në media është i detyruar të bëjë konsensus, megjithëse deformimi i profesionit dhe personalitetit të tij është më se i sigurt.

Vendosja e konsesusit e bën atë pjesë të klanit mediatik, dhe gazetari këtu shikon që hierarkia e vlerave apo meritokracia ka “vdekur”. Ajo që mbijeton është pushteti i parasë. Në këtë rast, pushteti prodhon paranë dhe paraja mban në këmbë pushtetin. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, ku materializmi është bërë pjesë e qenies njerëzore, dhe sistemi i vlerave është lënë jashtë saj.

Këtu fillon edhe “lufta” për pushtet, për të mbizotëruar në tregun mediatik. Ambiciet e shfrenuara për të pasur dominim në një medium, bëjnë që të krijohen kasta brenda kastave. Por, këto grupe klanore të reja, në shumicën e rasteve zhduken dhe mposhten nga grupi më i madh, që në gjenezën e tyre, pasi “peshku i madh e ha të voglin”.

Kjo vlen të përmendet edhe për partitë politike shqiptare. Kur dikush shfaq një mendim opozitar ndaj liderit dhe ky mendim fillon të formësohet, kjo nuk do të thotë se ka demokraci të brendshme. Në shumicën e rasteve, mendimi ndryshe në parti, niset për të formuar grupin e tij klanor, niset nga interesa për pushtet, dhe lideri i këtij grupi u premton pozicione të caktuara mbështetësve të tij nëse vjen në krye të një partie apo qeverie.

Rasti “Blushi dhe Malaj” përballë Edi Ramës, në Partinë Socialiste është shembulli më i qartë i këtij fenomeni. Deputetët, Malaj dhe Blushi donin dorëheqjen e Ramës nga drejtimi i PS-së për të ndërtuar një kastë të tyre. Por, harruan se kasta e ndërtuar nga Edi Rama më parë, ishte më e fortë, ishte dhe vazhdon të jetë shtylla ku qëndron Partia Socialiste.

Grupi klanor i Ramës mposhti atë të Blushit dhe Malajt, pasi udhëheqja e një partie mbi bazën dhe logjikën e një lideri absolut është e vetmja mundësi e mbajtjes së pushtetit në Shqipëri. Ndërtimi i kastave, apo krijimi i franksioneve të shumta brenda partisë do të thotë shkatërrim për liderin, i cili teoritë politike kërkon t’ia imponojë me çdo kusht grupit të tij dhe kastës që i kundërvihet, e cila nëse nuk i pranon është e destinuar të qëndrojë jashtë ose të formojë një parti të re.

Por, kjo kërkon mbështetje të gjerë në strukturat e gjithë partisë si dhe në strukturat vendore të saj. “Peshku i madh”, Edi Rama ka zënë një hapësirë të gjerë “ujore” dhe nuk lejon që në territorin e tij të hyjë një frymë e kundërt me atë që ka ndërtuar ai. Por, edhe kjo frymë në dukje e “re”, nuk kërkon gjë tjetër, veçse pushtetin. Ky pushtet do t’i jepte “peshqëve të vegjël” si Blushi e Malaj, legjitimitetin për të ndërtuar një kastë solide në parti, kastë e cila do të mundësonte krijimin e projekteve të mëtejshme klanore.

Ndërsa në Partinë Demokratike, kryetari i saj, Sali Berisha është treguar po aq pragmatist në drejtimin e kësaj force. Madje, më pragmatist se Rama. Ai jo vetëm që ka ndërtuar kastën e tij në këtë parti që nga krijimi i saj, por nuk u ka dhënë mundësi qoftë edhe një herë të vetme eksponentëve të caktuar për të ngritur zërin. Të gjithë citojnë Berishën kur flasin. Askush nuk i del kundër, sepse e kanë kuptuar logjikën e funksionimit të partisë.

Në rastet, kur deputetët si Preç Zogaj, Aleksandër Biberaj dhe Besnik Mustafaj ngritën zërin, menjëherë e panë veten jashtë strukturave dhe funksioneve drejtuese. Fjala e liderit për anëtarët e Partisë është si ajo e Biblës dhe e Kuranit. Një e vetme dhe një e vërtetë. Mendimi ndryshe dhe opozitar nuk ekziston. Një logjikë e tillë është përdorur në regjimet totalitare dhe pasojat vazhdojnë të ndihen edhe sot.

Në ditët e sotme nuk mund të flasim për demokraci të brendshme të partive, kur liderët e tyre e kanë ndërtuar jetën e tyre politike mbi bazën e të qenit absolut, për të dominuar mbi gjithçka. Kush nuk kundërshton liderin ka mundësi të përfitojë nga pushteti politik, kush flet ndryshe është i destinuar të qëndrojë jashtë tij.

Pra, si përfundim, si media ashtu edhe politika kanë ngritur strukturat e tyre klanore, që vështirë të minimizohen. Të gjithë e kanë kuptuar tashmë, se për të hyrë në media apo në politikë duhet të mbështesësh atë që thotë dhe bën pronari i medias dhe lideri i partisë. Nëse vepron kundër vullnetit të drejtuesve do ta shohësh veten jashtë këtyre institucioneve.

Kjo kastë e dyfishtë do kohë dhe mund që të rrëzohet. Duhet të krijohet një kastë tjetër e bazuar mbi hierarkinë e vlerave dhe jo të interesave të ngushta. Rrëzimi i kësaj kaste media – pushtet politik, mund të vijë nga poshtë – lart, por duke qenë se fati i atyre poshtë përcaktohet nga ata lart, atëherë gjithçka mbetet njësoj si më parë.

Vinkmag ad
Jepi Share

Read Next

Clock is companies underage ticking for e-cig users

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular