
Më 13 qershor të këtij viti, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e të shumëkërkuarit të drejtësisë Suel Çela i cili kishte bërë rekurs ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit mbi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personi nën hetim Marjus Sula alias Suel Çela, kundër vendimit nr. 64, datë 26.04.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Posaçme e Apelit dha masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, pas dëshmive të dy të penduarve të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe ushtarit të tij, Henrik Hoxhaj.
Por, Çela e bëri rekursin nga arratia teksa mbi të rëndojnë një sërë veprash penale, ku e fundit lidhet me atentatin ndaj administratorit të shkollës “Wilson”, Lulzim Masha, më 18 janar 2022. Ky i fundit arriti t’i shpëtojë ekzekutimit.
Për porositjen e këtij atentati, Suel Çela i njohur edhe me emrin Marjus Lulaj u shpall në kërkim nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi ndaj tij masën e arrestit me burg në mungesë.
Megjithëse Suel Çela mbart një sërë ngjarjesh kriminale në shpinë ai vijon të jetë i arratisur dhe megjithëse është shpallur në kërkim nga drejtësia e i dënuar me burg në mungesë.
Duke qenë se Gjykata e Kundër Krimit dhe Korrupsionit së bashku me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë nga ana procedurale e kanë mbaruar detyrën për dënimin e Suel Çelës, ajo që mbetet tashmë është lëvizja e policisë e cila nuk po vepron.
Tashmë është detyra e policisë që të bëjë kërkimet e duhura për Suel Çelën me mbështetjen e Prokurorisë së Posaçme për ta çuar përpara drejtësisë bosin e krimit në Elbasan. Apo edhe tashmë kur Suel Çela është shpallur në kërkim dhe ka një vendim gjykate për “arrest me burg” ndaj tij, policia i bën sytë qorr ashtu si në 18 shtatorin e vitit 2017, kur Suel Çela mori përpara makinat e policisë me “Audin” e tij të blinduar duke e bërë inekzistent Policinë e Shtetit në qytetin e Elbasanit.
Përplasja me policinë në tregun agro-ushqimor
Në 18 shtatorin e vitit 2017, policia e Elbasanit kishte marrë informacion mbi një grup të rrezikshëm që lëvizte në qytet dhe se ky grup po përgatitej të trafikonte një sasi të konsiderueshme droge.
Për këtë arsye, në orët e mbrëmjes së 18 shtatorit të atij viti, në lagjen “Syrja Dylgjeri” të Elbasanit, para tregut agro-ushqimor, efektivët e Policisë së bashku me ish-zëvendës drejtorin Gjergji Oshafi ndaluan automjetin “Range Rover”, në të cilin po udhëtonin Klement Xhaferri, Enea Bekteshi dhe Ledio Zabeli.
Efektivët e policisë kishin pikasur një radio të dyshimtë në automjet dhe ndaluan dy personat që udhëtonin në “Range Rover”, në pronësi të biznesmenit Petrit Çela. Të ndaluarit nuk iu bindën urdhrit të Policisë. Në këtë mënyrë, policia ndërhyn për të bërë shoqërimin e tyre. Por në këtë çast, në vendngjarje ka mbërritur një automjet tip “Audi” i blinduar, që dyshohet se drejtohej nga i shumëkërkuari i drejtësisë Suel Çela, djali i biznesmenit, Petrit Çela.
Audi i blinduar përplas makinën e ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi dhe automjetin tjetër të policisë. Pas përplasjes së automjeteve të policisë, Audi i drejtuar nga Suel Çela largohet dhe hyn në brendësi të tregut agroushqimor. Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur ish-zëvendësdrejtori i policisë, Gjergj Oshafi, i cili drejtonte operacionin dhe dy efektivë të tjerë.
Në procesin gjyqësor për këtë ngjarje ndodh edhe e çuditshmja; të gjithë oficerët e policisë të marrë si dëshmitarë në gjyq, të cilët ishin të pranishëm në çastin kur “Audi” përplasi makinën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit nuk e identifikuan Suel Çelën si autor. Në këtë mënyrë, Çela u shpall i pafajshëm dhe arriti t’i shpëtojë drejtësisë.
Vrasja e parë
Skeda kriminale e Suel Çelës nis shumë më herët se ngjarja e vitit 2017 kur emri i tij u lakua gjerësisht në media. Problemet e Suel Çelës datojnë që në vitin 2006, kur u akuzua për vrasjen me armë zjarri të Roland Mustës në Elbasan. Në atë kohë, Suel Çela ishte vetëm 20-vjeç dhe ndaj tij u ngritën akuzat e vrasjes me paramendim dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Në fund të shqyrtimit të dosjes së kësaj vrasjeje, policia deklaroi pavlefshmërinë e procesverbalit të sekuestrimit të provave materiale, pavlefshmërinë e këqyrjes së një karte telefonike, pavlefshmërinë e procesverbaleve të dokumentimit të përgjimeve, pavërtetësinë e deklarimeve të prindërve të viktimës dhe të dëshmitarëve të tjerë.
Në këtë mënyrë, Suel Çela u la i lirë në sallën e gjyqit. Vendimi u kundërshtua ashpër nga familjarët e viktimës.
Nën objektivin e OFL-së
Në shkurt të vitit 20220, Suel Çela do të vihej sërish nën prozhektorët e drejtësisë. Këtë radhë ai do të evidentohej në publik si i vendosur nën shënjestrën e Operacionit Forca e Ligjit (OFL), teksa rezultonte i dënuar edhe në Itali për trafik droge.
OFL i kërkoi në atë kohë Suel Çelës që të justifikonte pasurinë e tij, megjithëse nuk figuron asnjë biznes i regjistruar me emrin e Suel Çelës në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit.
Suel Çela, i njohur si djali i Petrit Çelës, biznesmenit që zotëron tregun agro-ushqimor në qytetin e Elbasanit, OFL kishte një arsye më shumë për të kërkuar justifikimin e pasurisë së tij, nisur edhe nga ngjarja e 18 shtatorit 2017 kur përplasi makinën e oficerëve të policisë me audin e tij të blinduar.
Megjithatë, më pas nuk pati asnjë komunikim zyrtar nga Operacioni Forca e Ligjit se çfarë ndodhi me pasuritë e Suel Çelës dhe babait të tij.
“Plumbi i artë” nxjerr zbuluar Suel Çelën
Në maj të vitit 2022 Suel Çela u shpall në kërkim ndërkombëtar pas operacionit të koduar “Plumbi i Artë”. Emri i Suel Çelës do të dilte sërish në skenë, dhe këtë radhë nga serial-killeri Nuredin Dumani i cili në dëshminë e tij rrëfente se si Suel Çela kishte porositur vrasjen e Elton Kilës. Ky i fundit kishte qenë në shënjestrën e disa atentateve të dështuara në qytetin e Elbasanit.
Sipas dëshmisë së dhënë përpara prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Nuredin Dumani rrëfeu se Suel Çela i njohur edhe si Marjus Lulaj, i kishte dërguar fotot e Elton Kilës (i njohur ndryshe edhe si “Oti i Elbasanit”) me qëllim për ta ekzekutuar.
Në rrëfimin e tij, Nuredin Dumani thekson se vrasja do të kryhej nga Henrik Hoxhaj kundrejt një pagese prej 70 mijë eurosh, por duke qenë se ai nuk e kreu dot ekzekutimin, Dumani erdhi vetë nga Kosova. Vrasja ishte planifikuar të kryej më 29 mars të vitit 2022, atë ditë kur vetë Nuredim Dumani mbeti i plagosur gjatë përplasjes me armë zjarri me Tao Çelën në Elbasan, ngjarje në të cilën u vendos në pranga bashkë me Dumanin edhe Henrik Hoxhaj.
Një tjetër krim që dyshohet se është porositur nga Suel Çela është edhe atentati ndaj administratorit së shkollës private “Wilson” Lulzim Masha. Çela kishte porositur Nuredin Dumanin për të kryer vrasjen, por ky i fundit kishte gjetur dy persona për ta realizuar porosinë, Henrik Hoxhajn dhe Skerdi Tasen.
Atentati ndaj Lulzim Mashës ndodhi më 18 janar 2022 kur 31-vjeçari Skerdi Tase i shoqëruar nga Henrik Hoxhaj, qëlloi me armë zjarri ndaj makinës së administratorit të shkollës “Wilson”, por ky i fundit arriti t’i shpëtojë ekzekutimit. Tase u arrestua dhe u akuzua për “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.
Edhe në këtë rast është vrasësi serial Nuredin Dumani ai që nxjerr në skenë emrin e Suel Çelës si porositës së këtij atentati: “Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në ‘Matrix’ më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës ‘Wilson’. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës ‘Wilson’ për shumën 150.000 Euro.
Më kishte dërguar disa foto, garazhin e banesës (i cili ishte me hyrje dhe dalje të ndryshme), në zonën e Bllokut, foton e personit që kishte shkollën, foto ku ishte së bashku me gruan dhe djalin e tij në një restorant. Unë fillimisht që të kryeja këtë punë i kërkova 200.000 Euro. Ai më ofroi shumën prej 150.000 Euro.
Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhajn (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej ‘nipçja’ dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë.
I thashë Rikut që do t`i jepja 100.000 Euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix”. Rikun në ‘Matrix’ e kam regjistruar ‘kusho’. Riku pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që mi kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen.
Henriku më ka treguar se pronari i shkollës ‘Wilson’ e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit. Riku ka ardhur në Kosovë me një makinë ‘Wolksvagen Passat’ ose ‘Pheiton’ dhe në bisedë me të i thashë për objektin që duhej të vriste si dhe i dhashë një armë ‘skorpions’ 7.65 mm të cilën e mbaja vetë.
Mbaj mend që Riku ka ardhur edhe një herë tjetër dhe më ka takuar në Kosovë ku ishte së bashku me nipçen. Kur ka ardhur me nipçen Rikut i kam dhënë edhe një pistoletë. Organizimin e vrasjes së këtij personi e ka bërë Riku”.
Për këtë ngjarje Suel Çela u shpall në kërkim nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Ndërsa së fundmi Gjykata e Lartë rrëzoi edhe kërkesën e tij për rekurs mbi këtë masë sigurie. Kjo ka bërë që tashmë gjyqësori t’ia kalojë “topin” policisë për të vepruar dhe për të sjellë përpara drejtësisë të shumëkërkuarin, Suel Çela.
