
Tao Çela është cilësuar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë, ndërkohë që vazhdon të gëzojë lirinë. Pamfleti do të bëj një profil të Tao Çelës, emri i të cilit qarkullon në medie që prej grabitjes së parave të Rinasit dhe vrasjeve zinxhirë për konfliktet e shpërndarjes së parave të vjedhura.
Vrasja e dy vëllezërve Haxhia
Më 27 Prill 2020, tek rruga e tregut të makinave në Durrës, u ekzekutuan me breshëri plumbash vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia. Në momentin e ekzekutimit, viktimat ishin duke lëvizur me të njëjtin automjet. Për këtë vrasje Policia ka akuzuar Tao Çelën, ku dyshon se motivi i përplasjeve mes tyre ka qenë grabitja e Rinasit. Por një akuzë të tillë i shumëkërkuari nga Elbasani e ka mohuar, duke thënë se i kishte miq viktimat. “Për një kohë të gjatë jam strehuar në banesën e Besmir dhe Viktor Haxhia, teksa isha në kërkim për grabitjen e parave të Rinasit në vitin 2019. Për këtë arsye, nuk kam patur motiv që t’i vras vëllezërit Haxhia pasi kisha njohje personale. Në momentin që ka ndodhur vrasja, unë kam qenë në shtëpinë e tyre, me të ëmën, të atin dhe hallën”, tha Çela gjatë një interviste për mediet.
Përfshirja e Tao Çelës në grabitjen e Rinasit
Talo Çela akuzohet se është i përfshirë në grabitjen e ndodhur në Rinas në Prill të vitit të shkuar. U akuzua se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, për tu futur lehtësisht në pistën e Rinasit, atje dhe ku ndodhi grabitja. Pjesë e grabitjes kanë qenë edhe vëllezërit Haxhia, ku Viktori dyshohet se mori pjesë në modifikimin e furgonit.
Si lindi konflikti mes Tao Çelës dhe vëllezërit Haxhia
Ka qenë 22-vjeçari Klevis Alla, ai që ka “zbërthyer” grupin kriminal, duke treguar edhe organizatën në të cilën bënte pjesë. I penduari i drejtësisë Klevis Alla, akuzohet si është bashkautor i katër vrasjeve. Ai ka zbuluar emrat e përfshirë në grabitjen e Rinasit. Besimir Haxhia sapo ishte licencuar si avokat dhe ka qenë i dënuar më parë në Greqi për drogë, me emrin e rremë Pëllumb Rusi. Ai ka vuajtur dënimin në burgun ku ndodhej edhe Admir Murataj, ideatori kryesor i grabitjes së Rinasit dhe i vrarë nga policia gjatë ndjekjes. Vëllai i tij Viktori drejtonte biznesin e shitjes së automjeteve, ku u modifikua furgoni që do shërbente për grabitjen e Rinasit. Përveç strehimit të një prej autorëve, ata kishin dijeni dhe për vendin e fshehjes së parave dhe ky ka qenë një nga arsyet kryesore të vrasjes së tyre. Kështu që Tao Çela akuzohet se ka porositur vrasjen e vëllezërve Haxhia sepse ata nuk po i jepnin paratë që grabitën bashkë në Rinas.
Skenari si ndodhi vrasja e vëllezërve Haxhia
Klevis Alla i tregoi Prokurorisë edhe vendin ku ishin fshehur armët. Ai ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit. Sipas rrëfimit të Klevis Allës, ditën e ngjarjes së vrasjes së dy vëllezërve Haxhia, ai ka qenë shofer të një automjeti “Toyota” të vjedhur. Ndërsa Altin Ndoci, ka qenë me armë kallashnikov në sediljen e parë të makinës.
Ndërsa në sediljen e pasme kanë qenë të pajisur me dy kallashnikovë, Nuredin Dumani dhe Talo Çela. Gjithmonë sipas Klevis Allës, ata kanë mbajtur në mbikëqyrje dy vëllezërit dhe sapo objektivi i tyre është larguar nga prona e tyre “Echange” në Durrës, ata i kanë ndjekur nga pas dhe i kanë qëlluar. Dy personat që i kanë qëlluar ishin Nuredin Dumani dhe Talo Çela, ndërsa sipas bashkëpunëtorit Altin Ndoci, nuk ka hapur zjarr.
Vrasja e Bujarir, vëllait të Tao Çelës
Për vrasjen e Bujar Çelës nga Elbasani, policia ka akuzuar edhe 37-vjeçarin nga Dibra, Nuredin Dumani i cili është banues në Durrës. Gjithashtu Dumani është i akuzuar si autori i vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Durrës dhe Klevis Kapllanajt në Rrogozhinë. Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga policia, ata shoqëroheshin bashkë në publik. Ai akuzohet se është i implikuar edhe në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktima, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Avdyli nuk ka pasur lidhje me ngjarjen, por qëlloi aksidentalisht në vendin e ngjarjes.
