Përgjatë vitit 2021, sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, janë vënë në përgjim 3412 persona në të gjithë vendin. Në raport thuhet se përgjimet kanë sjell arrestimin e 640 shtetasve, ndërsa nën vëzhgimin e autoriteteve kanë rezultuar të jenë më shumë personat e dyshuar për kultivimin, shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
“Në shifra të përgjithshme, gjatë vitit 2021 janë ekzekutuar gjithsej 1534 vendime për përgjim të autorizuar nga gjykata në hetimet paraprake dhe 741 autorizime dhe urdhra të prokurorit. Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 3664 pajisje fundore në përdorim të 3412 personave, të përfshirë në veprat penale”, thuhet ndër të tjera në raport.
Sipas Prokurorisë, oficerët e sektorit të përgjimeve kanë mbajtur 14 mijë e 364 procesverbale transkriptimi të shoqëruara nga 3505 disqe ju janë hedhur bisedat e përgjuara.
“Në total janë ekzekutuar nga Bërthama Komanduese Elektronike 1534 vendime të Gjykatës nga të cilat 610 janë vendime lejimi përgjimi marrë mbi kërkesën e prokurorit; 455 raste janë vendime të gjykatës e cila ka vleftësuar kërkesën e prokurorit për rastet kur është aplikuar neni 222, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale, në 469 raste është miratuar nga gjykata zgjatja e afatit të lejimit të përgjimit dhe vetëm në 2 raste gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorit për lejimin e përgjimit. Në 58 raste të lejimit të përgjimit, vetë prokurori ka urdhëruar ndërprerjen e tij me akt të motivuar. Në përballje me volumin më sipër, oficerët e policisë gjyqësore të sektorit kanë mundësuar përgjimin dhe në përfundim rezulton të jenë prodhuar 14.364 procesverbale transkiptimi të shoqëruara nga 3505 CD/DVD”, thote raporti.
Vrasjet, plagosjet dhe krimet e tjera ndaj personit janë në vendin e tretë për të cilat kërkohen përgjime nga grupi hetimor.