
Analisti Mustafa Nano ka komentuar ditën e sotme në MCN TV dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike. Nano tha se Basha ka qenë një kukull në duart e Berishës dhe se ai nuk fitoi kurrë pasi nuk bëri dot shkëputjen nga ai dhe nuk krijoi një epokë të re.
NANO: Basha dhe Berisha kanë pasur një pakt mes tyre, në mënyrë që të drejtonin bashkë PD. Basha ka qenë kryetari de juro, ndërsa Berisha kryetari de facto. Basha nuk kishte asnjë lloj presioni në 2017 për dorëheqje. Basha ka qenë një kukull, dhe koha më dha të drejtë. Unë kam pritur që Basha të merrte distancë nga Basha që në krye të herës. I kam thënë në një bisedë telefonike (të vetmen që kemi realizuar) Bashës që publiku do që të shkëputesh nga Berisha dhe të fillosh një epokë të re. As nuk e çonte në mendje këtë bisede. Basha ka qenë kukulla, fijet e së cilës i lëviste dikush tjetër në prapaskenë. Ishte Berisha që e komandonte.
Dorëheqja e Bashës është një dorëheqje normale, nëse biem dakord që ka qenë dorëheqje. Por, nëse jepet dorëheqja, njeriu del mënjanë dhe mua nuk më pëlqeu garancia që ai tha se do vazhdojë të mbështesë bashkimin e PD-së.
Atë që Berisha ka bërë me Bashën, ai kërkon ta bëjë me dikë tjetër. Ma çon në mendje deklarata që tha: Unë do jap kontributin që partia të qëndrojë e bashkuar. Partia do bashkohet për Berishën nëse bashkohet dhe kjo nuk i vlen askujt. Ka një marifat nga vetë fakti që është lënë një vit kohe afat. Më duket një shpikje e Bashës. Basha po jep kohë vetes. Zgjidhja do të ishte që Basha ta deklarojë pa ekuivok largimin e tij dhe të thotë qartësisht që shansin do ta kenë të tjerët. Dhe kjo i hapte rrugën një gare të vërtetë.
