Si një diktator paranojak, Vladimir Putin ka mbijetuar duke eliminuar këdo që mund të përbënte kërcënim për të dhe pushtetin e tij. Tani ai ka ngjallur instinktin e mbijetesës së Evropës dhe Perëndimit. Bota po hyn në një fazë të re e të rrezikshme të konfliktit ekzistencial
Nga Mark Leonard /Në librin e tij të vitit 1960, “Turmat dhe Pushteti”, Elias Cannetti vërejti se autokratët paranojakë që arrijnë të mbijetojnë do të rrethohen nga hapësira boshe. Ata i druhen çdo lloj rreziku që mund t’u afrohet. Të vetmit njerëz të besueshëm për ta janë të vdekurit. Në çdo ekzekutim që urdhëron diktatori, ai grumbullon atë ashtuquajtur “forcë e mbijetesës”. Autokrati rus, Vladimir Putin preferon të ulet i vetëm në fund të një tryeze të gjatë të bardhë – duke lëshuar ultimatume, duke nisur pushtimet dhe duke urdhëruar arrestimin (ose vrasjen) e kundërshtarëve të tij politikë.
Putini e ka krijuar dhe ndërtuar fuqinë e tij përmes luftërave të përgjakshme në Çeçeni, Gjeorgji, Siri dhe Ukrainë. Mbijetesa e tij varet nga përfundimi i ekzistencës së të tjerëve. Por tani, Putini ka nxitur instinktet e mbijetesës së të tjerëve. Aktori i kthyer në president i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shfaqur si heroi që mishëron luftën ekzistenciale të kombit të tij. NATO është ringjallur nga “vdekja e trurit”. Dhe Bashkimi Evropian është transformuar papritmas nga një projekt paqeje me shikim të brendshëm në një komunitet sovraniteti dhe sigurie. Siç më tha një diplomat i lartë evropian këtë javë, “Rusia është shumë e madhe dhe shumë e lidhur me ne për t’u lejuar të sillet si një njeri arrogant, i çliruar nga të gjitha normat. Ose përgjigja jonë ndaj kësaj lufte do ta ndalojë atë ose bota jonë do të shembet.”
Kriza që Putini ka krijuar për Evropën nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë. Është filozofike. Projekti evropian u ndërtua mbi idenë se armiqtë e mëparshëm mund të bëheshin miq nëpërmjet ndërvarësisë ekonomike, ligjore dhe përfundimisht politike. Nga jashtë, lufta në Ukrainë duket si një ndërhyrje ushtarake e shekullit të njëzetë. Por ky konflikt nuk po shpaloset në një perde të hekurt. Ai përfshin palë që janë plotësisht të lidhura me njëra-tjetrën, dhe po zbatohet jo vetëm me avionë dhe tanke, por edhe me sanksione, flukse financiare, njerëz, informacione dhe vetë botën dixhitale. Kjo hiperlidhje e bën të pamundur të ketë paqe të qëndrueshme. Evropa do të duhet të përgatitet për përçarje dhe çrregullime të vazhdueshme, të paktën për sa kohë që Putini mbetet në pushtet. Në ridimensionimin e rendit evropian, politikëbërësit duhet të përballen me një sërë pyetjesh. Së pari, ku duhet të qëndrojnë kufijtë e Evropës dhe NATO-s? Për vite me radhë, kur evropianët kanë menduar për kufijtë, ka qenë në kontekstin e heqjes së tyre nga brenda (ose lehtësimit të tyre për të njohur Kosovën të pavarur). Skajet e sakta të Bashkimit Evropian dhe NATO-s ishin disi të paqarta. Por tani do të ketë një debat të madh se kush është brenda dhe kush është jashtë.
Kristalizimi i këtyre dallimeve do të rezultojë në një Perëndim pak më të vogël, por më të konsoliduar. Suedia dhe Finlanda mund t’i bashkohen NATO-s, por do të ketë më pak tolerancë për vendet që përpiqen të kalojnë gardhin: Hungaria, Turqia dhe Serbia do të duhet të zgjedhin një anë. Do të ketë gjithashtu një debat të madh për vendet që duan të anëtarësohen në BE, por nuk janë gati për anëtarësim: Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Ballkani Perëndimor. Disa diplomatë evropianë kanë filluar të flasin për një Evropë me shumë shpejtësi, ku këto vende mund të kenë akses të kufizuar në tregun e vetëm, bashkimin e energjisë ose Marrëveshjen e Gjelbër. Pyetja e dytë është nëse Evropa është e gatshme për një rend rajonal të bazuar në një ekuilibër fuqie, dhe jo në ligje dhe institucione. Vizioni i vjetër i një rendi me Rusinë është zëvendësuar nga ai kundër Rusisë, pa institucione apo besim të përbashkët. Do të ketë një shtytje të madhe drejt riarmatimit, një proces që ka filluar tashmë në Gjermani dhe Danimarkë. Do të ketë gjithashtu një debat të ri për bazat ushtarake dhe armët bërthamore, të cilat do të largojnë vëmendjen (dhe ndoshta burimet) evropiane nga angazhimi shumëpalësh global.
Së treti, a ka Europa një bazë politike për ndërtimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe shoqërore? Në– konfliktet midis fuqive të ndërvarura – çelësat e suksesit janë durimi dhe aftësia për të duruar. Ndërsa aktualisht ka shumë mbështetje publike për sanksionet kundër Rusisë, kjo mund të mos zgjasë nëse çmimet e naftës dhe gazit vazhdojnë të rriten, duke nxitur një recesion. Pas krijimit të një fondi masiv rimëkëmbjeje për të parandaluar që COVID-19 të copëtojë BE-në, institucionet evropiane tani po shqyrtojnë mekanizma të rinj solidariteti për të ndihmuar konsumatorët të përballen me rritjen e çmimeve të energjisë dhe efektet e tjera të dëmshme nga sanksionet. Në një mënyrë apo tjetër, Evropa do të ristrukturojë tregjet e saj të energjisë, zinxhirët e furnizimit dhe financat, me implikime të mëdha globale.
Pyetja e fundit e madhe është nëse Evropa është pjesë e një rendi rajonal apo global. Deri pak javë më parë, Evropa shihej si një shfaqje gjeopolitike në garën përcaktuese të shekullit të njëzetë e një. Por rishfaqja e luftës në kontinent dhe ngushtimi i partneritetit midis Kinës dhe Rusisë, e kanë vënë Evropën dhe “Eurazinë” përsëri në qendër të vëmendjes. Siç argumenton Jeremy Shapiro i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, NATO-s tani do t’i duhet të lidhet me demokracitë aziatike, duke koordinuar politikat dhe madje duke detyruar pozicione në teatrot evropiane dhe të Paqësorit. Shumë vëzhgues kanë theksuar se Putini, me fantazitë e tij historike dhe frikën e rrethimit, po jeton në një botë tjetër. Por kjo metaforë përgënjeshtron faktin se fatet tona janë të ndërthurura. Nuk ka rëndësi se në cilën botë (ose periudhë kohore) Putin mendon se po jeton. Për sa kohë që ai është në Kremlin, Evropa nuk është e sigurt. Udhëheqësit evropianë do të duhet të pajtojnë botën në të cilën duan të jetojnë me atë që Putini ka krijuar mbi ta. Disa do të thonë se përparimi drejt një bote të bazuar në rregulla dhe të ndërgjegjshme ekologjike do të ishte gjithmonë iluzion. Por unë vazhdoj të besoj se bashkimi i sovranitetit midis evropianëve, zhvillimi i regjimeve rregullatore mbikombëtare dhe bashkëpunimi për teknologjinë, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin përfaqësojnë përparime të mëdha për qytetërimin tonë. Gjeopolitika në Euroazi është kthyer në një garë për mbijetesë. Pyetja përfundimtare, pra, është se si të ruhen vlerat e paqes së përhershme kantiane brenda BE-së, duke u mbrojtur gjithashtu kundër kërcënimeve që vijnë nga xhungla e jashtme./Project Syndicate/