Nga B. Quku/Një nga vendet më të lakmuara të bandave shqiptare në trafikun e drogës, kryesisht të kokainës drejt vendeve evropiane është Ekuadori. Përgjatë viteve të fundit, kryesisht pas vitit 2010, prania e shqiptarëve në Ekuador ka ardhur në rritje. Një nga emrat më të njohur të drejtësisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare është edhe ai i Dritan (Gramoz) Rexhepit i cili u arrestua në vitin 2014, i akuzuar për trafik droge dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Rexhepi përdorte emra të ndryshëm si Ioannis Dionysopoulos, Lulzim Murataj e Gramoz Rexhepi. Për Dritan Rexhepin ka pasur tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpoli, pasi ai ishte arratisur plot tre herë; në vitin 2006, nga Policia e Durrësit në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit, për t’u vendosur në pranga më 2014-n.

Ai u kap në Ekuador me 278 kilogramë kokainë dhe u dënua me 13 vjet burg në Lacatunga ndërsa ka fituar lirinë me kusht në muajin janar të këtij viti. Duke iu referuar raporteve të Interpolit, Dritan Rexhepi pavarësisht se ndodhej i burgosur ai arrinte që përmes komunikimeve të koduara koordinonte nisjen e ngarkesave të mëdha të drogës deri në çmontimin e organizatës së tij në Shqipëri në shtator të vitit 2020, kur u arrestuan më shumë se 100 persona. Rexhepi është një nga emrat e akuzuar si personi që porositi pengmarrjen e Jan Prengës në Kamzë për një ngarkesë prej rreth 283 kg kokainë në Angli ku i përfshirë është vëllai i viktimës, aktualisht në burg.

Nga ana e tij, Dritan Rexhepi e mohoi kategorikisht përfshirjen e tij në këtë ngjarje. “E vetmja gjë që më shkon ndërmend është që dikush u ka bërë presion në emrin tim. Unë kam 15 vite larg Shqipërisë, i arratisur nga burgu, i dënuar për vrasje, i burgosur në Ekuador, duket sikur i plotësoj elementet për tu përdorur si kërcënim”, u shpreh ai në një intervistë të vitit 2020 dhënë për gazetarin Artan Hoxha.
Shqiptarët në Amerikën Latine
Shqiptarët filluan të mbërrinin në vendet e Amerikës Latine, kryesisht në Kolumbi që prej vitit 2001. Me mbërritjen e tyre në vendet e Amerikës Latine, shqiptarët filluan të trafikojnë drogën që prodhonin kartelet. Në fillim të viteve 2000, shqiptarët operonin vetëm si ndërmjetës duke qenë se tregu i trafikimit të kokainës kontrollohej nga mafia italiane. Por shumë shpejt, mafia shqiptare fillon të fitojë terren dhe të marrë nën kontroll hyrjen e lëndëve narkotike në portet e ndryshme të Evropës. Portet më të favorizuara për trafikantët shqiptarë janë ato të Ekuadorit, veçanërisht ai i Guayaquilit. Ky vend u bë një vend tërheqës për shkak të kontrollit të dobët të kufijve dhe mangësive të sistemit gjyqësor por edhe ekonomisë vendase që lejon investime të shumta përmes të cilave kryhet edhe pastrimi i parave. Përgjatë 14 viteve të fundit, emisarët e grupeve të ndryshme kriminale kanë shumëfishuar marrëveshjet për furnizimin me kokainë mes furnitorëve kolumbianë dhe mafiozëve të ndryshëm evropianë.

Prokurori i Guayaquilit César Peña ka bërë të ditur se në 7 vitet e fundit ai ka hetuar një duzinë me të huaj duke përfshirë shqiptarë, shqiptarë të Kosovës, serbë, maqedonas dhe malazezë, pothuajse të gjithë për trafik droge. Për Ekuadorin, kontrolli i fluksit migrator nga Evropa Lindore është një sfidë më vete prandaj qeveria kërkon aleanca me vende të tjera, madje edhe me Kombet e Bashkuara. “Ne jemi në procesin e anëtarësimit në programin ATS Global, i cili do të na lejojë të njohim profilin e rrezikut të udhëtarëve përpara se të mbërrijnë këtu”, është shprehur gjenerali Fausto Olivo, nënsekretari kombëtar i migracionit. Organizatat kriminale të trafikut të drogës kanë edhe lidhjet e forta në rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht në Shqipëri. Drejtuesit e këtyre organizatave dërgojnë njerëzit e tyre që nga Shqipëria për në Amerikën e Jugut për të negociuar mbi dërgesat e drogës që vijnë nga Bolivia, Peruja, Ekuadori dhe Kolumbia.
Sipas raportimeve të medieve ekuadoriane, në këtë vend jetojnë rreth 3000 shqiptarë dhe shumë prej tyre janë përfshirë në trafikun e drogës. Disa prej tyre qëndrojnë në Ekuador si pengje të karteleve që kanë shitur drogën. Kjo ka prodhuar jo pak vrasje vitet e fundit dhe gjatë vitit 2021 u sekuestruan 210 tonë drogë. “Në momentin që dërgesa nuk arrin në destinacionin e saj, ndodh një vrasje”, thotë gazetarja Klodiana Lala. Në atentatet e ndodhura ndaj shqiptarëve në Amerikën e Jugut, asnjë nga të vrarët nuk ka rezultuar të jetë koka e grupit, pasi shumica prej tyre fshihen në Dubai. Vrasja më e fundit në radhët e trafikantëve shqiptarë është ekzekutimi i 34 vjeçarit Ergys Dashit. Ai u qëllua për vdekje më 22 janar të këtij viti në një restorant në veri të Guayaquilit. Dashi ishte një nga drejtuesit e një bande shqiptare të trafikut të kokainës dhe një nga të dërguarit e mafias shqiptare. Sipas raporteve të policisë ekuadoriane, Dashi ishte i përfshirë edhe në shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje edhe pse në Ekuador ai nuk kishte asnjë procedim penal të mëparshëm.
Ekspertët: Ja si funksionon mafia shqiptare në Amerikën e Jugut
Zëvendësdrejtor kombëtar i Hetimit të Policisë kundër trafikut të drogës, Byron Ramos thekson se operativët e mafies shqiptare janë përgjegjës për të kontaktuar me kartelet meksikane dhe kështu mund të dërgojnë drogën në Europë, Azi apo Afrikë. “Është zbuluar një marrëdhënie mes grupeve kolumbiane me mafien shqiptare, disidentët e FARC-ut mbajnë marrëdhënie me këto grupe shqiptare”.
Ramos shpjegon se ata jo vetëm përdorin Ekuadorin për të trafikuar drogën në vendet e Evropës “një pjesë e lëndëve nartkoitke të prodhuara në Kolumbi dhe Peru kalojnë nëpër Brazil dhe Venezuelë”. Ramos thekson se mafia shqiptare është e dhunshme duke marrë dominimin e territorit. Sipas tij, “ajo që merrej me trafikun e drogës në Europë ishte mafia italiane, por tashmë janë përplasur me ta (me mafien shqiptare). Të dhënat të migracionit, që nga viti 2017, më shumë se 700 shqiptarë kanë hyrë në Ekuador. Viti 2019 shënon edhe fluksin më të lartë të hyrjes së shqiptarëve në Ekuador.

Nga ana tjetër, ish-drejtori i inteligjencës ushtarake dhe analist ndërkombëtar i sigurisë dhe mbrojtjes Mario Pazmiño, shprehet se sipas burimeve të inteligjencës kolumbiane, rreth “37.5% e prodhimit të kokainës në Kolumbi kalon nëpër territorin ekuadorian”. Kjo përqindje e drogës, shpjegon ai, “është afërsisht e barabartë me 600 ose 700 tonë, nga të cilat ne kemi kapur 200 tonë, ndërsa pjesa tjetër kaluar nga portet e Ekuadorit. Me këtë të dhënë bie dakord edhe koloneli Ramos, “në Kolumbi në momentin që prodhohen 1300 ton kokainë, ato janë gati për t’u transportuar përmes vendit tonë drejt vendeve evropiane. Rasti i fundit i trafikimit të kokainës përmes bananeve nga Ekuadori për në vendet evropiane ishte në dhjetorin e vitit të kaluar kur u kapën 119 kg drogë në zonën e Vaqarrit. Droga prej 119 kilogramësh u gjet në kontejnerin me banane të nisur nga Amerika Latine, e cila kaloi transit në Itali dhe më pas në portin e Durrësit për t’u kapur nga policia në një nga magazinat e kompanisë së bananeve në periferi të Tiranës.
Kush janë shqiptarët e tjerë të arrestuar dhe ata që mbetën të vrarë në Amerikën Latine
Abër Çekaj
Një nga shqiptarët e parë që mbërriti në Ekuador ishte Arbër Çekaj. Në vitin 2009, Çekaj themeloi firmën e eksportit të bananeve në Ekuador, të cilën e përdorte për të fshehur lëndët narkotike përmes anijeve të mallrave. Në vitin 2015, ndaj Arbër Çekajt u hap një hetim për trafik droge.

Por pavarësisht procesit gjyqësor, ai vazhdonte të eksportonte drogë nga Ekuadori derisa në vitin 2018 u arrestua përfundimisht në Gjermani. Nga viti 2015 deri në vitin 2018, është verifikuar se ai ka eksportuar 3000 ton banane. Çekaj u ekstradua nga Gjermania për në Shqipëri ku aktualisht po vuan edhe dënimin.
Adriatik Tresa
Më pas, në vitin 2011 ishte Adriatik Tresa ai që mbërriti në Ekuador. Tresa do të mund t’i mbijetonte botës së krimit për vetëm 9 vite pasi në nëntor të vitit 2020 ai u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në La Aurora të Ekuadorit. Autorët të veshur si efektivë policie hyn lehtësisht në rezidencën e Tresës dhe e qëlluan atë për vdekje. Sapo mbërriti në Ekuador Tresa u bë pronar i një zdrukthëtarie dhe një farmacie.

Ai u pikas nga autoritetet ekuadoriane dhe emri i tij u përmend në lidhje me vrasjen e gazetarit Fausto Valdiviezo në vitin 2013. Që nga viti 2013, Tresa hetohej për pastrim parash, armë, drogë, madje edhe për vrasjen e gazetarit Fausto Valdiviezo. Ai u procedua për pastrim parash, pasi së bashku me një shtetas tjetër iu gjetën 39.100 dollarë dhe 72.500 euro cash. Por një vit më pas gjykata ekuadoriane e shpalli të pafajshëm. Megjithtë, Tresa nuk do të jetonte gjatë pasi u ekzekutua në nëntor të vitit 2020.
Vrasja e Ilir Hidrit dhe arrestimi i Adriatik Tresës
Në maj të vitit 2017, një tjetër shqiptar Ilir Hidri, u qëllua për vdekje në periferi të Guayaquilit. Hidri u ekzekutua nga persona të armatosur hipur mbi motoçikleta.

Po ashtu një tjetër shqiptar, tanimë nga Kosova, Remzi Azemi i cili ishte nipi i Hidrit – u plagos kur një person i armatosur e qëlloi atë teksa hapi xhamin e makinës së tij të blinduar për të pirë një cigare. Adriatik Tresa u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Ilir Hidrit pasi iu gjet edhe një armë në shtëpinë e tij, por gjykata e shpalli të pafajshëm. Më pas Tresa u ekzekutua në nëntor të 2020-s.
Vrasja e malazezit Fadil Kaçaniç dhe gruas së tij, ekuadorianes, Elsa G
Vrasja e Tresës ishte e ngjashme me atë të vitit 2018, kur u ekzekutua malazezi Fadil Kaçaniç bashkë me gruan e tij ekuadoriane Elsa G., e cila punonte në aeroport. Fadil dhe Elsa G. u rrëmbyen ndërsa ishin duke fjetur dhe u vranë në mars 2018, në Guayaquil, shkruan El Universo. Çifti u gjetën të vrarë në një nga rrugët që të çonin në bregdet.

Në shtëpinë e tyre mbërritën persona me veshje policie, të cilët i rrëmbyen dhe më pas i dërguan drejt bregdetit duke i qëlluar në kokë. Kaçaniç nuk ushtronte asnjë aktivitet ekonomik në Ekuador. Por ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës pasi në vitin 2010, atij iu gjetën 18 kilogramë kokainë në bagazhin e tij, në aeroportin e Guayaquilit me destinacion Amsterdamin. Ai u dënua me 12 vite burg për t’u vrarë më pas në 2018.
Vrasja e Ergys Dashit
Rasti më i fundit është ai i Ergys Dashit. Dashi u qëllua më 22 janar të këtij viti në një restorant në veri të Guayaquilit. Autori qëlloi në kokë Ergys Dashin duke e lënë të vdekur në vend, teksa kishte hyrë me një buqetë me lule në restorantin plot me klientë.

Dashi ishte një nga drejtuesit e një bande shqiptare të trafikut të drogës. Ai ishte me precedent penalë mbi trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje edhe pse në Ekuador ai nuk kishte asnjë procedim penal.
Vrasjet në shifra
Kamerat e sigurisë janë një nga elementët që policia ekuadoriane mbështetet për të gjetur autorët e krimeve të ndryshme, veçanërisht në qytetin e Guayaquilit ku vetëm vitin e kaluar ndodhën 1,365 vrasje nga vrasës me pagesë deri edhe tek vrasja e grave. Ndërsa vetëm në janar të këtij ky qytet regjistroi 183 vrasje, 108% më shumë se 88 vdekjet e raportuara në vitin 2021. Guayaquil është një nga qytetet me kriminalitetin më të madh në vend, dhe shumica prej tyre nuk janë kapur nga kamerat e sigurisë. Për këtë arsye autoritetet kanë ngritur alarmin për pajisjen e bizneseve dhe ambienteve tregtare, të mëdha e të vogla, me kamera sigurie të një cilësie të lartë. Deri më tani kamerat e sigurisë nuk mbulojnë zonat e rrezikshme duke iu dhënë hapësirë veprimi autorëve të krimeve të ndryshme apo vrasësve me pagesë. Sipas autoriteteve ekuadoriane, parashikohet që në Guayaquil të instalohen 15 mijë kamera ku 1,800 prej tyre do të kenë një sistem që mund të njohë fytyrat e kriminelëve në rrugë, duke i kërkuar me fotot e tyre në bazën e tyre të të dhënave. Këto pajisje, të cilat regjistrojnë audio dhe video, mund të zbulojnë gjithashtu të dyshuarit ose automjetet që kanë kaluar të njëjtin vend më shumë se një herë. Vetëm një muaj më parë u sekuestruan 18 tonë drogë në këtë vend. Ashtu siç është rritur sasia e drogës së sekuestruar, janë rritur edhe vdekjet e dhunshme në shkallë kombëtare. Të dhënat tregojnë se vrasjet janë trefishuar. 98% e drogës së sekuestruar është kokainë. Droga e sekuestruar vlerësohet në më shumë se 423 milionë dollarë në tregjet ndërkombëtare.