
Eksperti i Sigurisë në Uashington Adrian Shtuni komentoi në emisionin Publikisht në RTSH sanksionet e SHBA ndaj Rusisë një ditë pas njohjes së pavarësisë së rajoneve rebele në Ukrainë. Shtuni u shpreh se qasja e Biden ishte shumë e qartë duke vendosur sanksione që nuk janë vënë kurrë më parë.
“Qasja e Biden ka qenë shumë e qartë. Besoj se i pamë edhe vetë që janë vendosur sanksione që nuk janë vënë më parë duke bllokuar qasjen në sistemin financiar perëndimor që do i vihen oligarkëve dhe familjeve të tyre. Qasja ka qenë e qartë dhe pa ekuivoke dhe shpresoj që mesazhi të shkojë aty ku duhet”, u shpreh ai.
Megjithatë ai theksoi se është skeptik ndaj sanksioneve në përgjithësi duke marrë shembuj të tjerë në botë që sipas tij nuk kanë pasur rezultat.
“Unë jam skeptik ndaj sanksioneve në përgjithësi sepse nuk kemi parë rezultate. Po ta shikoni në Siri akoma kemi të njëjtin person të sanksionuar. Edhe në Rusi sanksionet janë vënë më herët por nuk kemi pasur ndryshim në sjelljen e Rusisë. Akoma nuk është kaluar pika e kuqe. Nuk kemi parë kalim të trupave zyrtare ruse”, deklaroi Shtuni.
Nga ana tjetër Shtuni theksoi se lufta në mes dy vendeve ka filluar ndërsa komentoi edhe narrativën e Putin për zeruar ekzistencën e një populli.
“Dua të sqaroj diçka. Lufta ka filluar. Janë 14 mijë të vrarë. Është pasojë e një lufte ekspansioniste të Putin. Nuk është shumë i interesuar për të bërë dialog dhe për një qasje diplomatike. Jam skeptik që një qasje diplomatike do të mund të sillte një farë zgjidhje. Duke parë fjalimin e Putin ishte shumë shqetësuese narrativa që ai përdorte. Metaforat e zakonshme që përdori për një orë të gjatë që foli është ajo mendësia se një popull nuk ekziston por duhet t’i nënshtrohet një populli të mbijetojë.
Putin duket se ka ambicie për t’u hapur në kufijtë e Bashkimit Sovjetik. Putin po kthen në normalitet cenimin territorial të vendeve të tjera. Ai nuk i përgjigjet parlamentit të një shteti sovran”, tha ai.
