
Një nga kokat e kartelit famëkeq ballkanik, Rodoljub Raduloviç, rezulton me dy llogari bankare në bankën e Zvicrës “Credit Suisse”. Njëra prej këtyre llogarive dyshohej se përdorej për pastrimin e parave që vinin nga trafiku i drogës. Ndërsa llogaria tjetër, dyshohet se është përdorur për të justifikuar pasuritë e tij të paligjshme.
Raduloviç i njohur ndryshe edhe Misha Banana, është një nga të akuzuarit dhe i dyshuari kryesor për lidhjet me politikën. Ai kontrollonte dy llogari në Credit Suisse, ku njëra prej tyre shkonte deri në 3.4 milionë franga zvicerane. Banka Credit Suisse pranoi t’i hapte llogari serbit pavarësisht historisë së Raduloviçit, mbi përfshirjen e tij në mashtrimet financiare në SHBA.
Sipas dokumenteve të prokurorisë një llogari dyshohet se është përdorur për të pastruar miliona para që vinin nga trafiku i kokainës. Një tjetër llogari ishte e panjohur për prokurorët derisa gazetarët e gjetën atë. Raduloviç e kishte fshehur atë llogari përmes një kompanie që ai krijoi në Ishujt Marshall për të rimarrë asetet e mbajtura nga një kompani tjetër që ai kishte përdorur si mjet mashtrimi.
Raduloviç prej vitesh ndodhet në arrati ndërsa aktualisht po rigjykohet për kontrabandën e 1.8 ton kokaine nga Argjentina në Evropë. Duhet të kishte qenë e vështirë për Rodoljub Raduloviçin të hapte llogari bankare në Zvicër. Deri në vitin 2005, serbi kishte më shumë se 15 milionë dollarë borxh dhe ishte nën hetim nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC) dhe po përballej me padi të shumta të kreditorëve. Por pavarësisht këtyre flamujve të kuq, dega e Credit Suisse e Cyrihut me sa duket nuk pa asgjë të keqe kur hapi dy llogari për Raduloviçin: një në 2005, disa vjet pasi SEC filloi hetimin e saj dhe një tjetër në 2007, shkruan OCCRP.
Gazetarët zbuluan këto llogari, njëra prej të cilave mbante miliona franga zvicerane. Raduloviç dyshohet për përfshirjen në një kartel kryesor ballkanik të drogës të drejtuar nga Darko Shariç, baroni malazez i drogës, dhe përballet me akuza për trafik kokaine që datojnë që në vitin 2012, në ngarkesën prej 1.8 tonë, shkruan Panorama.
Raduloviç, i njohur ndryshe si “Misha Banana” për prirjen që kishte në fshehjen e e kokainës mes dërgesave të bananeve, nuk do t’i mbyllte llogaritë e tij në Credit Suisse deri në maj të vitit 2010, pothuajse një dekadë pasi KSHZ-ja nisi hetimet për punët e tij dhe një muaj pasi u akuzua Darko Shariç. Në vitin 2012, vetë Raduloviç u akuzua për të njëjtin rast – por ai ishte arratisur dhe nuk është parë që atëherë. Ndërsa të dyja llogaritë e tij duket se janë mbyllur pak para se t’i ngushtohej laku për trafikun e kokainës. Ekspertët thonë se fakti që ai ishte në gjendje t’i hapte ato lehtësisht shumë kohë pasi u bë objektiv i autoriteteve amerikane, ngre pyetje serioze të kujdesit që ka treguar Credit Suisse. Raduloviç, vendndodhja e të cilit mbetet e panjohur, u dënua në mungesë me 10 vjet burg për akuzat ndaj tij për trafik droge. Dënimi i tij u anulua më vonë për arsye procedurale dhe tani vijon rigjykimi në Beograd.

Raduloviç, i cili jetoi në Florida për vite me radhë, fitoi rreth dhjetëra miliona nga të ashtuquajturat manipulime dhe mashtrime në bursë. Ndër zotërimet e tij kryesore ishte firma e tij Ramoil Holding, e regjistruar në Ishujt Kajman. Në procesverbalet e gjykatës amerikane, Ramoil përshkruhet si një kompani “mashtruese” e krijuar për të lëvizur para dhe përfitime të paligjshme të Radulović-it – ndërmjet firmave të tij të ndryshme përmes transaksioneve ndërkombëtare. Në tetor 2001, SHBA akuzoi Raduloviçin, disa nga bashkëpunëtorët e tij dhe një kompani me bazë në Nevada që kishte po ai nën zotërim, Ramoil Management, për një “skemë manipulimi në treg prej 3.3 milionë dollarësh”, si dhe mashtrime të letrave me vlerë.
