
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta.
Kreu i SPAK, Arben Kraja i është drejtuar me një letër Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
SPAK ka kërkuar formularin e dekriminalizimit për Metën, pas një padie në strukturën e posaçme.
SPAK kërkon kështu nga KQZ vënien në dispozicion të formularit në funksion të hetimit për kryetarin e Partisë së Lirisë.

“Për nevojë të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, të dorëzuar nga ish-deputeti Ilir Meta”, thuhet në kërkesën e SPAK.
Mësohet se SPAK ka nisur hetimet në lidhje me denoncimin e bërë nga ish deputeti Halit Valteri pak kohë më parë, ku akuzonte Ilir Metën dhe eksponentë të tjerë të LSI se kanë përfituar para nëpërmjet korrupsionit gjatë kohës që ka qenë në pushtet dhe këto i ka përdorur për lobim.
