
Vështirësia në gjetjen e fjalëve shpesh shfaqet shumë kohë përpara se të fillojnë ndryshimet më të dukshme të plakjes, si thinja e flokëve apo nevoja për syze leximi.
Në përditshmërinë tonë, mund të mësojmë të minimizojmë këtë vështirësi, por ekspertët paralajmërojnë se edhe këto ndalesa të vogla në të folur janë shenja të hershme të ndryshimeve në funksionin njohës të trurit. Pauzat dhe vështirësitë në gjetjen e fjalëve që ndodhin rregullisht mund të ndihmojnë mjekët të identifikojnë problemet në rrjetet e kujtesës vite përpara se të shfaqen simptomat e tjera më serioze.
Studimet e zhvilluara nga Universiteti i Torontos dhe Baycrest Health Sciences kanë treguar se vështirësia për të kujtuar fjalë lidhet me ndryshime në rrugët nervore të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit. Madje, është zbuluar se ngadalësimi i të folurit është një tregues më i besueshëm i shëndetit njohës sesa gabimet e rastësishme në të shprehur.
Shpejtësia e të folurit lidhet me jetëgjatësinë
Shpejtësia dhe rrjedhshmëria e të folurit janë gjithashtu të lidhura me jetëgjatësinë. Të rriturit që ruajnë një të folur të qetë dhe të shpejtë priren të jetojnë më gjatë sesa ata që shfaqin hezitime të shpeshta.
Tre teori për vështirësinë në gjetjen e fjalëve
Ekzistojnë tri teori kryesore që shpjegojnë këtë fenomen:
-Ngadalësimi i përpunimit nervor;
-Vështirësia për të frenuar mendimet e parëndësishme;
-Pamundësia për të transmetuar elementët gjuhësorë, duke krijuar shkëputje mes kuptimit dhe shqiptimit të fjalës.
Eksperimentet me figura dhe fjalë (p.sh., një figurë e një qeni dhe fjala “mace” ose “mjegull”) ndihmojnë në analizimin e këtyre vështirësive. Duke u zhvilluar online, këto eksperimente mundësojnë pjesëmarrje më të gjerë dhe matje më të saktë të kohës së reagimit. Në një studim me 125 pjesëmarrës u konstatua se ngadalësimi në kujtesën e fjalëve lidhet më shumë me shpejtësinë e përgjithshme të përpunimit sesa me pengesa specifike semantike apo fonologjike.
Një shenjë paralajmëruese e hershme
Shpejtësia e të folurit në jetën e përditshme pasqyron shëndetin e përgjithshëm të trurit. Ndërsa një pauzë e shkurtër është normale në procesin e plakjes, një ngadalësim i vazhdueshëm në rrjedhën e të folurit mund të jetë një shenjë paralajmëruese e hershme e rënies njohëse.
Sot, matja e shpejtësisë së të folurit po konsiderohet për t’u përfshirë në testet standarde të funksioneve njohëse. Teknologjitë moderne të analizës së të folurit mund të zbulojnë ndryshime të imëta dhe të ndihmojnë mjekët të veprojnë në kohë.
Si ta mbajmë trurin aktiv
Përdorimi i vazhdueshëm i gjuhës përmes bisedave, tregimit të historive, lojërave me fjalë dhe mësimit të gjuhëve të reja ndihmon në aktivizimin e rrjeteve nervore dhe ruajtjen e shëndetit njohës.
Kur një i afërm apo mik has vështirësi në gjetjen e një fjale, më shumë se ndihma për ta përfunduar fjalinë, vlejnë durimi dhe dhënia e kohës së nevojshme. Trurit i duhet hapësirë për të funksionuar – dhe bisedat lulëzojnë kur lejohen të ‘marrin frymë’.
Studimi i plotë mbi këto gjetje është publikuar në revistën shkencore Aging, Neuropsychology, and Cognition.
