
Pasi ka degraduar gjithë sistemin e transportit urban të kryeqytetit Erion Veliaj ka vizituar pasagjerët që i shpëtuan vdekjes mbrëmjen e së premtes kur urbani i Tiranës përfundoi në lumin e Lanës.
Veliaj ka vizituar në spitalin e Traumës 5 personat e lënduar nga aksidenti ku autobusi i “Unazës së Re” përfundoi në lumin e Lanës.
E pranishme prej disa orësh tashmë është dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. “I keni lidhur aq shumë fije se nuk ka nga del më”, u shpreh Veliaj ndërsa pa nda afër gjendjen shëndetësore të të lënduarve, ndërsa shtoi: “I ka ruajtur Zoti”.
Një prej personave të lënduar, i ka kërkuar kryebashkiakut telefonin e tij pasi i ka ngelur në makinën e aksidentuar. Veliaj më pas i ka kërkuar një prej anëtarëve të stafit që t’i sjellin telefonin të lënduarit. “Njëri nga çunave i ka ngelur celulari brenda në makinë. Të futet një nga zjarrëfikëset me mrrokllat e tyre dhe tja marrin. Ka gjërat e veta aty” – tha Veliaj.
Policia njofton se të plagosur kanë mbetur 5 persona, mes tyre shoferi i autobusit shtetasi M.K. 62 vjeç, fatorino 61-vjeçar me iniciale A.K. dhe një pasagjere e autobusit, shtetësja F.Ç. 64 vjeçe.
Të lënduar mbetën dhe drejtuesi i mjetit tip “Benz”, shtetasi J.R. 27 vjeç dhe shtetasi A.H. pasagjer i mjetit.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, se në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një mjet dhe si pasojë ka rënë në Lumin Lana, bëjmë me dije se janë paraqitur për kontroll mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shtetasit M. K., 62 vjeç, (drejtuesi i autobusit), A. K., 61 vjeç, (faturino), pasagjerja e autobusit, shtetasja F. Ç., 64 vjeçe, shtetasi J. R., 27 vjeç (drejtuesi i mjetit) dhe shtetasi A. H., 27 vjeç, (pasagjeri i mjetit).
