
Policia e Tiranës ka bërë të mundur finalizimin e operacionit policor të koduar “Pinet”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Kanë dalë edhe pamjet nga “shtëpia e barit” në Ndroq të Tiranës. Siç shihet nga videoja, shtëpia ndodhet e veçuar nga banesat e tjera, ndërsa është e rrethuar me tel.
Në pamjet nga banesa, shihet në oborr është djegur lënda narkotike, e cila kultivohej me llamba elektrike. Gjithashtu në pamjet tregojnë momentin kur efektivët e shtrijnë në tokë dhe i vënë menjëherë prangat, ndërsa shihet edhe mënyra si ishte përshtatur shtëpia për kultivimin e kanabisit me llamba elektrike.
Ndërkohë që gazetarja e News24, Doriana Bezat, ka qenë me grupin e xhirimeve në vendin e ngjarjes ajo është kërcënuar me sopatë nga një banor i zonës me pretendimin se po shkelin në pronën e tij. E gjendur në këto rrethana gazetarja ka ndërprerë lidhjen direkte dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Personi ju ka kërkuar me insistim atyre që të largohen nga aty dhe më pas i ka kërcënuar me një sëpatë, duke mos i lejuar që të filmonin. Të përfshirë në trafik ishin edhe dy punonjës të OSHEE, një polic dhe kryeplaku i fshatit Pinet, ku edhe ndodhej “shtëpia e barit”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– E. D., 29 vjeç për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim;
– Q. H., 47 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– E. M., 26 vjeç, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Gjithashtu u procedua penalisht kryeplaku i fshatit Pinet, shtetasi E. K., 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu, nga ana e Drejtorisë Rajonale e AMP Tiranë u procedua në gjendje të lirë punonjësi i Policisë së Komisariati Nr. 6:
– A. M., 39 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet, në zonën e Ndroqit.
