
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, gjatë një deklarate në Kuvend, kritikoi ashpër Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxhën, për veprime që, sipas tij, nuk përfshihen në detyrën funksionale të Policisë së Shtetit.
“Sërish i drejtohem ministrit të Brendshëm: Çfarë pune ka Policia e Shtetit në rolin e përmbaruesit privat? Pse merr përsipër të zbatojë vendime që lidhen me toka publike, të patjetërsueshme dhe të paprekshme në emër të shtetit? Kjo nuk është detyra e saj,” deklaroi Braçe.
Më tej, Braçe ngriti shqetësimin për gjendjen e ujërave që përdoren për vaditjen e tokave bujqësore, duke theksuar se ndotja nga ujërat e zeza përbën rrezik serioz për sigurinë ushqimore.
“Në krahun tjetër elementi kyç janë ujërat, nëse ne duam të flasim për shëndet të bimëve, doemos që duhet të flasim për ujërat, për cilësinë e tyre, që përdoren edhe për vaditje. Të dy lumenjtë edhe Semani edhe Shkumbini në krahun tjetër janë nën agresionin e ujërave të zeza. Që i derdh kushdo në të.” tha ai.
