
Kanë dalë pamjet nga operacioni i RENEA në banesën e 62-vjeçarit, Ramiz Muçollari, i cili u ekzekutua nga forcat speciale mëngjesin e sotëm (12 Gusht) pasi nuk pranoi të vetëdorëzohej.
Siç shihet në video banesa e viktimës është bërë shoshë nga plumbat dhe forcat RENEA të armatosura deri në dhëmbë ndodhen brenda ambienteve të shtëpisë.
Në pamjet e publikuara nga policia, 52-vjeçari shihet në dysheme i mbuluar me gjak.
Ndërsa pranë tij ndodhet arma me të cilën qëlloi drejt forcave speciale gjatë negociatave për t’u vetëdorëzuar, por që dështuan.
Operacioni policor nisi mbrëmjen e së shtunës (11 gusht), pasi kryefamiljari plagosi me thikë gruan dhe të birin, të cilët u dërguan në spitalin e Korçës.
Ç’ndodhi në Maliq
Forcat e policisë kishin mbajtur prej më shumë se 8-orësh të rrethuar banesën e viktimës në fshatin Qesarakë, pasi ky i fundit mbrëmjen e së premtes (11 gusht) plagosi me thikë bashkëshorten dhe djalin e tij, Pëllumbesha e Kamber Muçollari.
Pas plagosjes së dyfishtë Ramiz Muçollari u mbyll në banesë dhe nuk i’u përgjigj thirrjes së policisë Vendore për t’u dorëzuar, por ka qëlluar me mitraloz të lehtë në drejtim të tyre.
Në vendngjarje kanë shkuar Forcat Speciale “Renea”, të cilat kanë marrë nën kontroll perimetrin e afërt të sigurisë, ndërsa policia lokale është pozicionuar në perimetrin e largët të sigurisë.
Përgjatë natës, “Renea”, i ka bërë thirrje për t’u dorëzuar, por 62-vjeçari nuk i është bindur thirrjeve dhe ka vijuar të qëllojë me armë zjarri drejt Policisë.
Në mëngjesin e sotëm, Forcat Speciale kanë mundur të hyjnë deri në katin e dytë të banesës, por Ramiz Muçollari ishte ngjitur në papafingon e banesës dhe ka hapur sëriah zjarr në drejtim të “Renea”.
Përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit dhe 62-vjeçari ka ndërruar jetë.
Sipas Policisë, Ramiz Muçollari, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë për vizitë me familjarët në spitalin psikaitrik, por nuk është shtruar në spital, dhe në mbrëmje kur janë kthyer në banesë ka nisur konfliktin me familjarët.
