
Vendet baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia, u dakordësuan në parim për mbylljen e hapësirës së tyre ajrore për avionët rusë, tha ministri lituanez i Transportit, Marius Skuodis.
“Plani ynë është që ta hedhim hapin njëkohësisht”, shkroi Skuodis në Facebook.
Edhe Bullgaria, Polonia dhe Republika Çeke i kanë ndaluar fluturimet ruse mbi territoret e tyre.
Më herët, Rusia ka ndaluar të gjitha kompanitë britanike mbi hapësirën e saj ajrore, pasi Londra i ka ndaluar fluturimet në Britani të transportuesit rus, Aeroflot.
Holanda dërgon raketa tokë-ajër në Ukrainë
Qeveria e Holandës njoftoi se do të dërgojë 200 raketa Stinger në Ukrainë.
Ajo tha se vendimi u mor pas kërkesës nga Ukraina, për ta ndihmuar atë që të mbrohet kundër sulmeve të Rusisë.
Raketat Stinger janë armë tokë-ajër që mund të përdoren kundër avionëve dhe helikopterëve.
Holanda ka rënë dakord javën e kaluar për t’i ofruar armë dhe pajisje ushtarake Ukrainës, duke përfshirë snajperë, pajisje radari dhe detektorë të minave tokësore.
Qeveria tha se një pjesë e kontingjentit dërgohet sot (26 shkurt), ndërsa pjesa tjetër do të pasojë “sa më shpejt”.
Pak orë më parë, edhe Qeveria çeke miratoi dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë.
Ministria çeke e Mbrojtjes tha se ndihma kap vlerën e mbi 8.5 milionë dollarëve.
Lajmet e fundit deri tani, në ditën e tretë të pushtimit rus në Ukrainë janë këto:
Kryebashkiaku i Kievit zgjati shtetrrethimin në kryeqytetin e Ukrainës, i cili është duke u sulmuar rëndë nga forcat ruse.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se pjesa më e madhe e forcave ruse, të përfshira në ofensivën kundër Kievit, janë tani 30 km larg nga qendra e qytetit.
Trupat ruse pushtuan qytetin juglindor të Ukrainës, Melitopol, tha Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërsa Moska nisi sulme të koordinuara me raketa dhe artileri në disa qytete.
Së paku 198 ukrainas, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë si rezultat i pushtimit rus, citohet të ketë thënë ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Lyashko.
Flukset e refugjatëve vazhdojnë të rriten. Polonia tha se ka pranuar rreth 100,000 refugjatë në më pak se tri ditë. Ata kanë gjetur strehim të përkohshëm në sallat sportive dhe stacionet e trenave.
Vendimi për të shkëputur Rusinë nga sistemi global i pagesave SWIFT do të merret brenda disa ditësh, tha për agjencinë Reuters guvernatori i një banke qendrore brenda Eurozonës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në një video-adresim se forcat e vendit të tij kanë prishur një plan të Rusisë për ta kapur atë dhe për të sjellë një udhëheqës të tyre në krye të shtetit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i kërkoi ushtrisë së Ukrainës që të rrëzojë udhëheqjen e vendit dhe të negociojë paqen.
Ukraina dhe Rusia po diskutojnë për vendin dhe kohën e bisedimeve, tha zëdhënësi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në mediat sociale.
Kompania ruse e energjisë Gazprom tha se po vazhdon furnizimet me gaz nëpërmjet Ukrainës, në përputhje me kërkesat e konsumatorëve evropianë, pavarësisht konfliktit ushtarak./REL
