
Trafikantë të qenieve njerëzore, bosë të trafikut të drogës, bosi i bursës së Hong Kongut i burgosur për ryshfet, një miliarder që urdhëroi vrasjen e të dashurës, yllit të popit libanez, drejtues që plaçkitin kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë, politikanë të korruptuar nga Egjipti në Ukrainë, por edhe njerëz të Vatikanit, që shpenzuan 350 milion euro në një investim në disa prona në Londër, por që në fakt rezultoi mashtrim, ku i përfshirë është edhe një kardinal; të gjithë këta janë pjesë e një skandali të madh të rrjedhjes së të dhënave të llogarive të bankës zvicerane.
Ka qenë një burim anonim ai që i ka dërguar të dhënat gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung. “Unë besoj se ligjet zvicerane të sekretit bankar janë imorale” i tha burimi gazetës. “Preteksti i mbrojtjes së privatësisë financiare është thjesht një gjethe fiku që mbulon rolin e turpshëm të bankave zvicerane si bashkëpunëtorë të evazionit fiskal.”
Credit Suisse tha se ligjet e rrepta të sekretit bankar të Zvicrës e pengojnë atë të komentojë pretendimet në lidhje me klientët individualë.
Në reagimin e saj “Credit Suisse kundërshton me forcë pretendimet dhe konkluzionet në lidhje me praktikat e supozuara të biznesit të bankës,” duke argumentuar se çështjet e zbuluara nga gazetarët bazohen në “informacione selektive të marra jashtë kontekstit, duke rezultuar në interpretime tendencioze”
Këtë muaj, Credit Suisse u bë banka e parë e madhe zvicerane në historinë e vendit që u përball me akuza penale – të cilat ajo i mohon – në lidhje me pretendimin se ndihmoi në pastrimin e parave nga tregtia e kokainës në emër të mafies bullgare. Megjithatë, pasojat e rrjedhjes mund të jenë shumë më të gjera se një bankë, duke prodhuar një krizë për Zvicrën, e cila ruan një nga ligjet më të fshehta bankare në botë, shkruan në investigimin e saj The Guardian.
Institucionet financiare zvicerane menaxhojnë rreth 7.9 trilion franga në asete, gati gjysma e të cilave u përket klientëve të huaj. Projekti i sekreteve Suisse hedh një dritë të rrallë mbi një nga qendrat më të mëdha financiare në botë, e cila është mësuar të operojë në hije. Të dënuarit dhe personat që pastronin paratë ishin në gjendje të hapnin llogari bankare, ose t’i mbanin ato të hapura për vite pas zbulimit të krimeve të tyre. Ky skandal zbulon se si ligjet e famshme të sekretit bankar të Zvicrës ua kanë bërë edhe më të lehtë drejtuesve apo politikanëve që të grabitin vendet në zhvillim.
