
Me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dy tenorët e njohur, Kastriot Tusha dhe Josif Gjipali kanë sjellë ditën e sotme për publikun shqiptar, këngën e titulluar “Për Flamur”.
Në këngën ku interpretojnë dy tenorët, Tusha dhe Gjipali i ngrihet himn aktit historik dhe patriotik të Ismail Qemalit, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.
Përveç zërit të mrekullueshëm të dy tenorëve, ajo që bie në sy është teksti i këngës i shkruar nga poeti Maliq Lila, ku më poshtë po paraqesim videoklipin e këngës dhe disa prej vargjeve të poetit Lila, të shkëputura nga libri me poezi “Jashtë hënë e pjekur”.
Burrat me palcë guri
Vetëtimat hapën retë,
Dallgët, detit, hapën udhë,
U ulën mallet e sertë
Të puthnin në Vlorë, flamurë!
Malo, si të ishe djalë,
S’e peshove pleqërinë,
Sikur mbaje diell në dorë
Kur valëvitje kuq e zinë.
Gjithë burrat me palcë guri,
Renden me ty te flamuri,
Boletin, Dedë Gjo Luli,
Gurakuq e Bajram Curri.
Thinjat e maleve bore,
Ç’u ngrenë mbi vetull kurorë
Ja, ngrejmë flamurin në Vlorë
“Ja të vdesim, ja të rrojmë!”
Besa besë tok e bënë,
Kokën mbi flamur do vëmë
Dhe një po të mbetet në këmbë
Shtizën duhet ta mbajë me dhëmbë.
Poezia “Burrat me palcë guri ” i autorit Maliq Lila ✍ nga libri me poezi “Jashtë hënë e pjekur”, Botimet Toena
