Përgjatë muajit korrik të këtij viti në portin e Durrësit u kapën në kontejnerë tre herë radhazi sasi të ndryshme të kokainës, të cilat vinin nga Amerika Latine. Sipas policisë, kontejnerët ku është kapur kokaina përgjatë muajit të kaluar i përkasin kompanisë së bananeve ‘Alba Exotic Fruit’, ndërsa administratori i saj, Eduard Dauti është shpallur në kërkim. Ndërkaq, është arrestuar dhe është lënë në burg nga Gjykata e Durrësit ortaku i tij, Barjon Gumeni i cili është edhe pronar me 10% i kompanisë. Pas largimit nga Shqipëria, Dauti reagoi për mediat duke thënë se nuk ka gisht në këtë histori.
Gjashtë ditë para se të kapej sasia prej 12 kilogramësh në portin e Durrësit, në kompaninë ‘Alba Exotic Fruit’ mblidhet asambleja e kësaj e kompanie e cila përveç shqyrtimit të veprimtarisë tregtare dhe treguesve financiarë asambleja merr vendimin për të shtuar si bashkë-administrator, Ermal Arapin, në prani të ortakëve, Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni. Ata vendosin që kompaninë e bananeve ‘Alba Exotic Fruit’ t’ia kalojnë 34 vjeçarit Ermal Arapi, duke e bërë bashkë-administrator të kësaj kompanie. Sipas burimeve të sigurta të ‘Agora News’, Ermal Arapit i është vendosur ekspuls në një nga shtetet e Bashkimit Evropian, në Holandë, një vend që njihet si ndër pikat kryesore të kalimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
“Në bazë të nenit 95/5 ligjit “Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare” vendosi të ngarkojë administratorin e shoqërisë ‘Alba Exotic Fruit’ z. Ermal Arapi, të veprojë i vetëm në lidhje me veprimet me të tretët ashtu siç janë veprimet përpara institucioneve bankare apo institucioneve shtetërore dhe çdo detyrë tjetër apo të drejtë tjetër që ligji i njeh administratorit”, thuhet në vendimin e datës 7 korrik të asamblesë së kësaj kompanie duke i paraprirë asaj që do të ndodhte më 13 korrik, ku u kapën 12 kilogramë kokainë në kontejnerin e ‘Alba Exotic Fruit’.
Kalimi i kompetencave të kompanisë te Ermal Arapi vërehet edhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit me afat emërimi deri në 7 korrik 2026. (Shiko dokumentin këtu: EkstraktHistorik-8_31_2021
Përveç veprimeve të kryera me kompaninë e tij, Dauti kishte bërë edhe një lëvizje tjetër më parë, konkretisht në muajin prill të këtij viti. Dauti iu kishte drejtuar një kërkesë institucioneve për të shtuar sigurinë në portin e Durrësit.
Këtë kërkesë drejtuar institucioneve, Dauti e kishte bërë pasi në shtatorin e vitit 2019, në kontejnerët e kompanisë së tij u kapën 137 kg kokainë. Ndërsa këtë radhë kërkonte t’i paraprinte ngjarjeve, nëse do të kapej sërish drogë. Në fakt ashtu ndodhi.
Pasi u kishte shkruar institucioneve shtetërore në muajin prill dhe një javë pasi Eduard Dauti së bashku me ortakun Barjon Gumeni kaluan kompetencat e kompanisë te Ermal Arapi, në portin e Durrësit (më 13 korrik) u kap një sasi prej 12 kilogramësh kokainë në kontejnerin e kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’, ndërsa më 23 korrik në portin e Durrësit policia gjen 6.5 kilogramë kokainë po në kontejnerin e kompanisë cila importon banane nga Amerika Latine.
Megjithëse i shpallur në kërkim nga policia dhe i arratisur jashtë vendit, kjo nuk e pengon Eduard Dautin që të kryejë veprime, duke firmosur dhe vulosur për kompaninë e bananeve ‘Alba Exotic Fruit’.
Më 21 korrik të këtij viti, Eduard Dauti autorizon shtetasen Oksana Kajon për të kryer veprimet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, edhe pse veprimet e mëparshme në QKB mbajnë datën 7 korrik (shiko dokumentin e mësipërm).
Ndërkaq, të njëjtin veprim për autorizim në QKB ka bërë edhe administratori i ri kësaj kompanie, Ermal Arapi, konkretisht më 28 korrik 2021.
Ashtu siç paraqitet edhe nga dokumenti i siguruar nga ‘Agora News’, Eduard Dauti ka firmosur dhe vulosur në cilësinë e administratorit të kompanisë më datë 21 korrik, ndërkohë që ai është i shpallur në kërkim nga policia dhe ka pohuar për mediat se ndodhet në Francë.
E gjithë procedura e ndjekur nga Dauti ngre hije dyshimi për falsifikim të firmave dhe datave, pasi ai ndodhet jashtë vendit dhe në të njëjtën kohë firmos dhe vulos për kompaninë ‘Alba Exotic Fruit’. Ndërsa kompaninë ia ka kaluar Ermal Arapit, një person me precedent në vendet e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, policia kap sërish drogë në portin e Durrësit. Më 29 korrik 2021, sekuestrohet mbi 7 kilogramë kokainë, po në kontejnerët e kompanisë së bananeve “Alba Exotic Fruits”, duke shënuar herën e tretë brenda muajit korrik. Megjithatë, kjo nuk është hera e vetme që në kontejnerët e kompanisë është kapur drogë dhe ku kompania “Alba Exotic Group” është lakuar në lidhje me trafikimin e narkotikëve, pasi në një operacion të koordinuar mes policisë greke, asaj shqiptare dhe DEA-s amerikane, në shtator të 2019-s u kapën 137 kg kokainë në kontejnerët e saj në Portin e Durrësit./Agoranews.al/