Shtatë shqiptarë u arrestuan në Angli pasi u përpoqën të merrnin peng një anije japoneze në portin e Portlandit në Britaninë e Madhe.
Shqiptarët kanë qëndruar në bordin e “Chise Bulker”, ku dhunuan edhe pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit.
Sipas mediave britanike shqiptarët kishin hyrë në anije gjatë mesnatës, në momentin kur mjeti lundrues kishte ndaluar në portin e Ruenit në Francë, para se të kalonte në kanalin e La Manche.
Pasi anija doli në det, edhe shqiptarët lëvizën nga vendi ku edhe ishin fshehur duke sulmuar anëtarët e bordit të anijes. Megjithatë sinjali për gjithë çfarë ishte duke ndodhur u dha, duke vënë alarmin në Polici. Rreth orës 5:40 të mëngjesit, kohë kur anija u ankorua në Portland, Policia u përplas me shqiptarët, por askush nuk mbeti i plagosur, transmeton BBC.
Një zëdhënës i Policisë tha: Ne morëm një telefonatë në lidhje me një person që kishte nevojë për kujdes mjekësor në bordin e një anijeje tregtare. Pas hetimeve, u vërtetua se individë të paidentifikuar kishin hyrë në bordin e anijes. Kështu që 7 persona, dyshohet se janë shqiptarë, u arrestuan nga policia dhe do të përballen me autoritetet e emigracionit.