Çfarë di dhe fsheh Mero Baze për marrëdhëniet e Sali Berishës me “Gazprom”

Jepi Share

Mero Baze ka botuar një editorial me titull “Përse Berisha nuk kishte fuqi t’ i merrte paratë ruse kundër TAP”, ku komenton historinë që tregon Sali Berisha për ofertën që iu bë nga Gazprom me anë të një biznesmeni turk, kur ishte kryeministër. Mero Baze thotë se Sali Berisha nuk e pranoi ofertën ruse sepse ishte i vetëdijshëm që amerikanët do ta rrëzonin nga pushteti për 24 orë. Por Mero Baze di shumë më tepër se ç’ thotë për këtë çështje dhe është shumë interesante që Meroja për herë të parë qëkurse është prishur me Sali Berishën, po fsheh një aferë ku është përzier Shkëlzen Berisha. Për këtë çështje kam dhe unë një dëshmi timen nga koha kur shkruaja në gazetën e Mero Bazes “Tema” dhe këtë dëshmi do ta tregoj sot për herë të parë, sepse tani që foli Berisha munda ta plotësoj mozaikun e fakteve, me ato që më kishin munguar. Në këtë histori, të dy, si Sali Berisha dhe Mero Baze lenë pa thënë diçka. Meroja e di se cfarë fsheh dhe tjetërson Berisha por nuk e thotë se ka qenë bashkëfajtor me të, ose më saktë me djalin e Sali Berishës, Shkëlzenin. Ajo gjë që Sali Berisha e le pa thënë apo edhe e tjetërson është se Moska nuk i kërkoi që të sabotonte TAP-in por t’ i bashkohej projektit rus të Rrjedhës së Jugut. Rusisë nuk i prishte punë TAP-i sepse në Europë kishte treg edhe për gazin rus edhe për atë azer. Dhe ndryshe nga ç’ tha Sali Berisha, oferta e Gazprom nuk ka qenë për një zgjatim gazsjellësi nga Igumenica në Greqi, në veri në territorin e Shqipërisë, pasi nuk ka pasur asnjë projekt të Gazprom që të shpinte gazin rus në Igumenicë, në bregdetin jonian. Në të vërtetë Greqia ka bërë përpjekje që dalja e TAP të ishte në Igumenicë dhe jo në bregdetin shqiptar, gjë që nuk u pranua sepse kështu do të dyfishohej segmenti detar i gazjellësit. Duke i lidhur ngjarjet në paskqyrje mund të them se oferta e Gazprom për Berishën kishte të bënte në të vërtetë me gazjellësin Rrjedha e Jugut, që duhet të shpinte gazin rus nga Rusia nëpër Detin e Zi, në Bullgari dhe më tutje në Europën Qendrore. Gazprom donte që një zgjatim i Rrjedhës së Jugut të vinte në Shqipëri nëpërmjet Maqedonisë dhe pastaj nga Shqipëria të kalonte në Itali, saktësisht nëpër itinerarin që ndjek sot TAP që nga bregdeti shqiptar në atë italian. Sipas projektit të Gazprom, duhet të kishte një zgjatim verior që kalonte nga Shqipëria, paralel me bregdetin për në Mal të Zi, Republikën Serbe të Bosnjë-Herzegovinës dhe Kroaci. Lobisti kryesor te Sali Berisha për përfshirjen e Shqipërisë në këtë projekt ka qenë Kristian Naumov, djali i ish-ambasadorit bullgar në Shqipëri, Stefan Naumov, i cili ka pasur miqësi familjare me Sali Berishën dhe vazhdoi të jetonte familjarisht në Shqipëri duke marrë edhe shtetësinë shqiptare edhe pasi përfundoi detyrën. Kristian Naumov ishte bashkëstudent dhe mik me Shkëlzenin, djalin e Sali Berishës dhe e përdorte Shkëlzenin për të marrë miratimin e të atit. Kristian Naumov me anë të për shkak të lidhjeve që kishte në atdheun e tij, në Bullgari ishte bërë lobist në Shqipëri i Rrjedhës së Jugut. Qartësisht Shkëlzen Berisha donte të merrte paratë e Gazpromit, me anë të mikut të tij Kristian Naumov, dhe Mero Baze donte të përfitonte gjithashtu. Mero Baze deri në fillim të vitit 2008 ka qenë shumë i afërt me Shkëlzen Berishën dhe me mikun e këtij të fundit Kristian Naumov. Në fillim të vitit 2005, para zgjedhjeve parlamentare të atij viti në Shqipëri, që do ta sillnin Berishën në pushtet, pikërisht në zyrën e Mero Bazes kam dëgjuar nga z. Kristian Naumov të shpjegojë përfitimet që do të kishte Shqipëria nga Rrjedha e Jugut për të cilën ishte duke u folur shumë në Bullgari në atë kohë. Meroja shprehte dyshime për reagimin e amerikanëve ndaj këtij projekti, ndërsa z. Naumov ngulmonte se nuk kishte kundërshtim amerikan për të, gjë që në fakt ishte e vërtetë deri kur Rusia pushtoi Krimenë në 2014. Zhvillimet sa i përket realizimit të projektit të gazsjellësit Rrjedha e Jugut sa kohë që Berisha ishte në pushtet, tregon se Meroja gënjen kur thotë se Berisha nuk bëri marrëveshje me Rusinë për Gazsjellësin Rrjedha e Jugut, sepse i druhej reagimit amerikan. Faktet tregojnë se SHBA qëndroi krejt pasive kur vendet e tjerë të Ballkanit dhe Europës Jugore e Qendrore bënë marrëveshje me Rusinë, për Rrjedhën e Jugut. Në 22 nëntor 2007 u nënshkrua një marrëveshje mes kompanisë italiane ENI dhe Gazpromit për ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha e Jugut”. Kompania e përbashkët u regjistrua në Zvicër. Marrëveshja ndërqeveritare mes Rusisë dhe Bullgarisë për ndërtimin e gazjellësit u nënshkrua në 18 janar 2008, pikërisht në ditën kur u nënshkrua dhe marrëveshja ndërqeveritare mes Rusisë dhe Hungarisë për ndërtimin e segmentit të Rrjedhës së Jugut nga Serbia në Hungari. Marrëveshja ndërqeveritare mes Rusisë dhe Serbisë për ndërtimin e segmentit serb të gazjellësit u nënshkrua në 25 janar 2008. Marrëveshja ndërqeveritare mes Rusisë dhe Greqisë për ndërtimin e segmentit grek të gazjellësit u nënshkrua në 29 prill 2008. Në 15 maj 2009 në Soçi të Rusisë, u nënshkrua marrëveshja pesëpalëseshe ndërqeveritare ruso-bullgaro-greko-serbo-italiane për ndërtimin e gazjellësit Rrjedha e Jugut. Të pranishëm ishin Putin dhe kryeministri Italian i kohës Berlusconi.Në 14 nëntor 2009 u nënshkrua marrëveshja ndërqeveritare ruso-sllovene për zgjatimin e gazjellësit në Slloveni dhe Italinë e Veriut. Në 2 mars 2010 u nënshkrua marrëveshja ndërqeveritare ruso-kroate për zgjatimin e Rrjedhës së Jugut në Kroaci. Në 28 dhjetor 2011 Turqia dha miratimin që gazjellësi të kalonte pjesërisht në ujërat e saj territorial në Detin e Zi. Në 25 korrik 2013 u nënshkrua marrëveshja ndërqeveritare ruso-maqedone për zgjatimin e gazjellësit në Maqedoni.Siç shihet nga projekti për Rrjedhën e Jugut mbetën jashtë Shqipëria dhe Mali i Zi, por kuptohet se këtyre vendeve iu bënë oferta por edhe presion që të bashkoheshin me Rrjedhën e Jugut. Ajo që Berisha nuk e thotë është se këtë gjë ia kërkoi edhe Berlusconi, i cili donte që të shmangte Greqinë si rrugëkalim të gazjellësit për në Itali. Kryeministri bullgar në vitet 2005-2009, socialisti Sergei Stanishev, i premtoi Berishës mbështetjen bullgare për integrimin në Bashkimin Europian (Bullgaria do të anëtarësohej në 2007) nëse Shqipëria i bashkohej Rrjedhës së Jugut.Të mendosh se Berisha e shihte si terren të minuar marrëveshjen me Gazprom për Rrjedhën e Jugut, kur atë e kishin bërë tashmë disa vende të NATO-s përreth Shqipërisë si Italia, Greqia, Sllovenia, Bullgaria, Turqia, do të thotë t; i japësh Berishës aftësi parashikuese për ngjarjet që do të ndodhnin pas largimit të tij nga pushteti në 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë dhe Rrjedha e Jugut vdiq si projekt.Lobisti i deklaruar i “Gazprom” në Shqipëri, në kohën e qeverisjes së PD-së (2005-2009) ishte miku i Mero Bazes ministri i ekonomisë, energjitikës dhe tregtisë, Genc Ruli, i cili në prill të vitit 2006, pas një takimi me homologun maqedon i çoi një letër të përbashkët drejtorit të “Gazprom” Aleksej Miller, ku i kërkonin që “Gazprom” të ndërtonte një linjë gazjellëse nëpër territorin e të dy vendeve. Genc Ruli, i cili ironikisht kishte qenë i përkëdheluri i ambasadës amerikane në Tiranë dhe i USAID dhe OJF e të cilit, Instituti i Studimeve Bashkëkohore, përmbytej në dollarë nga USAID, më vonë si ministër u shfaq si një lobist i paguar i “Gazprom”. Që Genc Ruli ishte miku i ngushtë i Meros, kjo u vërtetua nga fakti që Ruli ishte i vetmi ministër i qeverisë së Berishës të cilin Meroja nuk e satirizoi kurrë në këndin e tij satirik “Antena brenda familjes”.Meroja sipas natyrës dinake të tij, nuk u shpreh por priti të shikonte se a do të kishte ofertë edhe për të, duke menduar që ta rriste çmimin e vetes nëse i jepej mundësia të ishte në lojë. Është interesante se tre vjet më vonë, kur nisën përplasjet e Meros me PD-në tashmë në pushtet, ai nuk ia përmendi kurrë Shkëlzenit aferën e Gazpromit madje në fillim bënte përgjegjës publikisht Lulzim Bashën si njeriun i cili donte që të nxiste Sali Berishën kundër tij.Kur gazeta e Partisë Demokratike “Rilindja Demokratike” bëri sulmin e parë tronditës ndaj Mero Bazes, në 5 janar 2008, në një editorial të nënshkruar nga kryeredaktori Bledi Kasmi, ku Mero Baze quhej Mero Braçe, Meroja ia ngarkoi këtë sulm Lulzim Bashës. Në përgjigjen e tij me titull “Sqarim për politikanin Lulzim Basha”, të botuar tek gazeta e tij “Tema” në 6 janar 2008, Meroja e quajti Lulzim Bashën autorin e artikullit, duke i thënë se ka përdorur emrin e kryeredaktorit të RD, Bledi Kasmi si pseudonim. Ja si shkruante Meroja:“Lexova dje shkrimin tuaj të botuar në gazetën RD, me pseudonim, ku rreshtoje një sërë shpifjesh të rëndomta ndaj meje pa asnjë gjë të vërtetë dhe më duhet të të sqaroj për disa elemente që nuk kanë të bëjnë me të, por me profilin tuaj si politikan… Në atë kohë përdorej rëndom pseudonimi Dylejman Karaj, tani është gjetur një pseudonim më i pranueshëm”. (gazeta “Tema”, 6 janar 2008, f. 1)Mero Baze di shumë më tepër se ç‘ thotë për lidhjen e Gazprom me familjen Berisha por nuk i leverdis të flasë./Kastriot Myftaraj

Vinkmag ad
Jepi Share

Read Previous

A do të vizitojë Biden Ukrainën javën e ardhshme? Shtëpia e Bardhë çfarë pritet të ndodh javën e ardhshme

Read Next

Zelensky i gatshëm për negociata me Rusinë: Nëse nuk merremi vesh nis…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular