
Dy statujat e realizuar gjatë periudhës së komunizmit të diktatorëve sovjetikë, Vladimir Iliç Lenin dhe Josif Visarionoviç Stalin janë vendosur te vila qeveritare ‘30 përballë kryesisë së Kuvendit, ashtu siç paraqitet edhe nga fotot e siguruara nga ‘Agora News’. Ky është një skandal më vete duke qenë se Shqipëria sipas Kushtetutës pretendon të jetë një vend demokratik.

“Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut…”, theksohet që në hyrje të Kushtetutës.
Ndërkaq, ka edhe një projektligj të propozuar nga opozita që parashikon ndalimin e simboleve komuniste, sipas të cilit “të ndalohet çdo simbol komunist, siç është flamuri i Partisë Komuniste të Shqipërisë, me yll pesë cepash, drapër e çekan, portretet e diktatorit Enver Hoxha si dhe çdo portret tjetër që lidhet me të shkuarën e diktaturës.”

Pavarësisht se komunizmi ka rënë që prej 32 vitesh në Shqipëri, duket se nostalgjia e qeveritarëve të sotëm dhe kryesisht e kryeministrit Edi Rama vijon të mbetet tek e shkuara komuniste duke përdorur në një rezidencë qeveritare simbolet dhe portretet e dy diktatorëve komunistë, Leninin dhe Stalinin, statujat e të cilëve janë vendosur në një largësi të caktuar nga njëra-tjetra, në hyrje të vilës qeveritare ’30 përballë Kryesisë së Kuvendit.

Gjithashtu, figurat e Stalinit dhe Leninit qëndrojnë pak metra nga monumenti i babait të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit.

Kjo e ngarkon edhe më shumë dozën e këtij skandali ku në qendër të institucioneve të vendit, siç është kryesia e Kuvendit dhe Kryeministria rikthehen figurat e dy diktatorëve komunistë si Lenini dhe Stalini, dy ideologët dhe praktikuesit e sistemit diktatorial komunist që u importua në Shqipëri për më shumë se 45 vite, ku përmes ideologjive të dy të parëve, diktatori Enver Hoxha mbolli terror, vrasje dhe masakra ndaj shqiptarëve.
