Fijet dhe lidhjet e Ervis Martinajt në Policinë e Shtetit, sipas një postimi të gazetares së kronikës, Anila Hoxha shkojnë aq larg sa i shumëkërkuari nga policia, për të cilin ka dyshime se është vrarë, mund të shkarkonte edhe efektivët e forcave elitare të Policisë së Shtetit.
I tillë është rasti që tregon Anila Hoxha, pasi paralajmëron se jeta e Jeton Lamit, ish-efektivit të njësisë FAST të arrestuar për shoqërimin e Ervis Martinajt, është në rrezik.
“Jeton Lami njeh policë, prokurorë e gjyqtarë që paguheshin nga Ervis Martinaj. Emra të atyre që bënë sikur nuk panë gjë, mbasi një oficer i RENEA-s kur kontrolloi biznesin e të shumëkërkuarit, mbas një incidenti aty dhe mbasi kishte qëlluar me shuplakë Martinajn, u dorëhoq nga detyra, sepse dikush e tregoi emrin e tij”, shkruan gazetarja.
“Kështu që, përpara se të jetë shumë vonë, të dalë dikush të ruajë një ish-polic të cilin nëse ekziston pak drejtësi dhe dikush që e do këtë vend ku jetojmë, ta mbrojë atë dhe familjen e tij. Deri sa ai të thotë se kush janë ata të shitur, të korruptuar dhe që ne ju kemi lënë drejtësinë në duar”, shton Hoxha.