Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi/ Që kur në skenë doli bashkëpunimi i Sajmir Tahirit me bandat e trafikut të drogës e deri më sot janë dhjetra ministra e ish-ministra, dy zv, kryeministra, deputetë, kryetarë të bashkive dhe zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët kanë përfunduar pas hekurave ose janë në ndjekje penale. Të gjithë këta, sipas kryeministrit Rama “kanë ngrënë dardha pas shpinës së tij”! Dmth kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës pa dijeninë e padishahut tonë të madh. Edhe për shefen e SHISH tha se nuk i lexonte raportet e saj. Thjesht u hidhte një sy raporteve që kishin të bënin me shërbimet partnere, por kryeministri pranoi se nuk paska pasur interes për raportet e tjera.
Për këto dhe raportet që flisnin për bandat dhe trafikun e drogës, tha ai, kishte ngarkuar drejtoren e kabinetit. Dmth Valin. Në fakt gënjeu ditën për diell. Sepse për këto raporte ai kishte ngarkuar Ergys Agasin, madje e kishte autorizuar që t’i vinte në rrjesht të gjithë ministrat e tij e t’u diktonte atyre se kë duhej graduar e shpërblyer e kë jo. Nuk besoj se ka ndonjë shembull tjetër në qeverisjen e ndonjë vendi në planet, ku administrimi i shtetit delegohet te krimi dhe ku ministrat, shefi (shefja) i shërbimit sekret, drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe struktura të tjera të vendit të komandohen nga një koordinator i krimit të organizuar pranë kryeministrit. Kjo ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Politologët, sociologët e politikës, studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave të qeverisjes dhe administrimit, madje edhe filozofët do të gjejnë në Shqipëri një eksperiencë të simbiozës krim-qeveri, të cilën nuk mund ta gjejnë në asnjë shtet tjetër në botë. Të dh.fsha Niccolo Makiavelin. Asgjë nga këto nuk na ka thënë në romanin e tij të famshëm “Princi”! Kjo që ka adaptuar Edi Rama në metodat e qeverisjes e shk..dhen Makiavelin! As Georg Orwuelli nuk e shpjegon dot këtë batërdi qeverisjeje në Shqipërinë e Rilindjes së Edi Ramës. Ferma e kafshëve apo 1984 nuk i shkojnë as te thembra e këmbës asaj që ka ndodhur tek ne me Edi Ramën.
Idioti i Distejevskit apo Procesi i Kafkës janë shumë larg praktikës qeverisëse të Edi Ramës. Sokrati do të lemerisej me atë që do të shihte në Shqipëri. Bërtimat e tij do të zhdukeshin në ishujt grekë, para asaj piramide kriminale që ka krijuar Edi Rama pas 2500 vitesh në Shqipëri. Prandaj them se të gjithë teoricioinët e politikës dhe filozofosë do të çmendeshin pse nuk kanë fantazuar kaq shumë që të kapnin imagjinatën e kryeministrit të Shqipërisë. Të gjithë filozofët e politikës, nga Platoni e Aristoteli e deri te Hanna Ahrendt apo të tjerë pas saj, kanë folur për drejtësinë dhe legjitimitetin, për shtetin e pushtetin, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, si edhe për paqen e sundimin e ligjit. Modeli i qeverisjes dhe sundimit të Rilindjes dhe Edi Ramës në Shqipëri na dha një skemë të re, duke e përmbysur gjithë konceptin e derisotëm të filozofisë politike. Filozofia e Rilindjes dhe e kryeministrit të Shqipërisë është drejtësia për mafiozët dhe kriminelët dhe kërbaçi për viktimat e tyre. Eshtë legjitimiteti për bandat me koordinator pranë kryeministrit dhe delegjitimitet për pronën e shqiptarëve, për të drejtën e ekzistencës fizike të tyre, për mirëqenien dhe kujdesin social për ta. Eshtë sundim i ligjit të xhunglës mafioze dhe vendimmarrje në Aruba dhe kulisa të tjera e jo vendimmarrje me logjikën njerëzore e bazuar te e drejta ligjore.
Vlora Hyseni ishte shembëlltyra e fundit e kësaj panorame të shëmtuar të 13 viteve të shkuara. Shërbimi ndaj armiqve të Shqipërisë, pra ndaj Serbisë dhe Rusisë, ishte përkushtimi i Vlorës dhe vlonjatit Edi Rama. Se është kjo skemë e përmbysjes së vlerave në qeverisje dhe në karakterin njerëzor po them vetëm se kryeministri i Shqipërisë në rastin e emërimit të Vlora Hysenit ka shkelur çdo rregull normal e kriter të njohur si normë shtetërore. Ai e mori Vlorën dhe e solli në Shqipëri. Fillimisht si këshilltare e Sigurisë Kombëtare e pastaj në institucionin më të rëndësishëm të sigurisë së Shqipërisë, si drejtore e SHISH. E mori në kundërshti me çdo normë dhe rregull shtetëror. Edhe pse ajo ishte shkarkuar nga detyra e zv. drejtores se AKI-së në Kosovë. Madje për dyshime të arsyeshme se i kishte dhënë informacione BIA-s serbe në Beograd. E emëroi në postet më të rëndësishme të sigurisë sonë kombëtare, duke e udhëzuar që ajo të bashkëpunonte ngushtë me autoritetet e Serbisë. Aq sa Vlora vizitën e parë të saj e bëri në Beograd, ku për dhjetë ditë radhazi mori udhëzimet përkatëse se si dhe çfarë duhej të bënte në favor të interesave serbe në Kosovë, Shqipëri e në rajon.
Bashkëpunimi i kreut të SHISH-it me shërbimet armike të Shqipërisë ishte ushtrimi i duhur që ajo të mos kompleksohej me shërbimet që me urdhër të Edi Ramës duhej t’ia bënte organizatës kriminale dhe mafioze të narko-shtetit. Për këtë arsye u këshillua të vihej nën diktatin e koordinatorit të krimit dhe karteleve të drogës, Ergys Agasi. Vetëm në këtë mënyrë garantohej bashkëpunimi i frytshëm qeveri-krim-mafie dhe rritej buxheti personal i kreut dhe anëtarëve të organizatës mafioze. Ndonëse qeverisja e një vendi kudo në botë ka funksionet e saj themelore, mbrojtjen e sigurinë, mirëqenien e ekonominë, arsimin, shkencën e kulturën si dhe diplomacinë e politikën e jashtme, të gjitha këto funksione Edi Rama në Shqipëri i transferoi në rolin e një koordinatori dhe shefes së SHISH për t’u kujdesur për majmërinë e anëtarëve të organizatës.
Nëse SPAK dhe drejtësia nuk do të zbulojnë skemën e anti-qeevrisjes së Edi Ramës dhe Rilindjes së tij, nëse për të gjitha ato që kanë bërë dhjetra e qindra të arrestuar e të dënuar të Rilindjes nuk do të merret në përgjegjësi kreu i organizatës, nëse nuk do të ndiqen pasuritë dhe paratë e kësaj organizate mafioze dhe kriminale, atëherë shqiptarët kanë të drejtën e Zotit të përplasen edhe me drejtësinë, SPAK, GJKKO etj. Mesa duket po shkojmë drejt një narrative për përmbysjen e gjithçkaje në këtë vend.