Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar rastin e një qytetari nga Përrenjasi që hedh dyshime se autoritetet shëndetësore i kanë injektuar një vaksinë Pfizer të skaduar.
Në mesazhin që ai i ka dërguar Berishës, e ka shoqëruar edhe me foto ku flakoni i vaksinës që ai pretendon se ka marrë mban datën “tetor 2021”.
“Jam nga Përrenjasi. Sot kam bërë vaksinën, dozën e dytë Fajzer mirëpo pasi e bëra unë konstatova se vaksina më duket e skaduar sipas muajit që ka në flakon. Kjo qeveri çfarë sigurie na jep që na bën vaksina të skaduara. Jam bërë shumë nervoz. S’kemi ku ta qajmë hallin prandaj po të shkruaj dhe po të çoj dhe foto të vaksinës” – thuhet në mesazhin që ka publikuar Berisha.
Deri tani nuk ka pasur ende një reagim nga Ministria e Shëndetësisë. Edhe në të kaluarën ka pasur dyshime nga qytetarët për skadencën e vaksinave që përdoren në Shqipëri.