Çfarë ndodhi herën e fundit, kur Perëndimi e braktisi vendin tim

Nga Srecko Latal

“The New York Times”

Një udhëheqës autoritar serb, i cili ka shfrytëzuar për vite me radhë ndjenjat etno-nacionaliste të qytetarëve për të fituar sa më shumë pushtet, zotohet publikisht që ta copëtojë vendin e tij, duke kërcënuar se do të nisë konfliktin në shkallë të gjerë.

I hutuar nga problemet e veta, Perëndimin mezi po e vë re atë që po përgatitet që të ndodhë. Jo, nuk është Jugosllavia e vitit 1991. Është Bosnje Hercegovina e sotme. Vendi, rendi kushtetues tejet kompleks i të cilit u negociua me përpikëri në kulmin e një lufte të përgjakshme që mori fund falë Marrëveshjes së Dejtonit, është tashmë në prag të shpërbërjes.

Në qendër të krizës është Milorad Dodik, udhëheqësi serb i Bosnjës dhe një separatist prej shumë kohësh. Në tetor, ai shpalli publikisht planin për të tërhequr Republikën Srpska të dominuar nga serbët, një nga dy njësitë administrative të vendit, nga institucionet kryesore shtetërore.

Nëpërmjet një lëvizjeje që de fakto është një shkëputje nga Bosnja, ai po synon që të krijojë një agjenci të veçantë tatimore, ushtri dhe forca lokale të sigurisë. Dhe për një rajon me një histori të kohëve të fundit të dhunës dhe konfliktit etnik, ky është një zhvillim i tmerrshëm.

Shkaku kryesor i lëvizjeve të tilla të Dodik 15 vitet e fundit, është tërheqja e vazhdueshme nga rajoni e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Në mungesë të tyre, ndikimet e huaja konkurruese – kryesisht të Rusisë – kanë shfrytëzuar boshllëkun e lënë pas, duke i inkurajuar udhëheqësit autokratë, dhe duke destabilizuar rajonin.

Për të shmangur shpërbërjen e Bosnjës, e cila mund të çojë në një luftë të re dhe një katastrofë gjithëpërfshirëse në rajon, Perëndimi duhet të ndryshojë menjëherë kurs, duke nisur riparimin e dëmeve të shkaktuara.

Gjatë viteve1990, Perëndimi ishte tepër i ngadaltë në reagimin e tij ndaj shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Pas shumë gjakderdhjesh, ai nisi sulmet ajrore kundër forcave serbe në Bosnje në vitin 1995, dhe në Serbi dhe Kosovë në vitin 1999, dhe vendosi dhjetëra mijëra trupa të NATO-s për të mbikëqyrur armëpushimin dhe stabilizimin e rajonit.

Në vitet që pasuan, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shpenzuan miliarda dollarë për të ndihmuar në rindërtimin e rajonit. Ndonëse kritikohen shpesh dhe me arsye për fokusimin tek zgjidhjet afatshkurtra, përpjekjet e tyre ishin kyçe për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit.

Por vitet e fundit vëmendja është zhvendosur diku tjetër. Shtetet e Bashkuara, të fokusuara më shumë tek operacionet e tyre në Afganistan dhe Irak, u tërhoqën thuajse tërësisht nga rajoni duke nisur që prej vitit 2010.

Uashingtoni ia kaloi përgjegjësinë Brukselit, që supozohej të garantonte stabilitetin afatgjatë të rajonit duke pranuar në bllok vendet e tij. Megjithatë, në vitin 2019, teksa Bashkimi Evropian po përballej me problemet dhe përçarjet e brendshme, u bë e qartë se kjo ofertë ishte hequr nga tavolina.

Të grabitur nga ëndrra e tyre evropiane dhe duke mos pasur një qasje të plotë në tregun e përbashkët të bllokut, liderët ballkanikë iu rikthyen nacionalizmit dhe populizmit të së kaluarës. Sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe parimet e tjera kyçe demokratike, përfunduan në fundin e listës së prioriteteve.

Në vendet multi-etnike me projekte kombëtare të papërfunduara si Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, janë thelluar ndarjet etno-politike. Gjithsesi, përgjegjësia kryesore për këtë është e vetë vendeve, dhe veçanërisht e përfaqësuesve politikë dhe e mediave të lidhura me ta, të cilët e bazuan popullaritetin e tyre në përhapjen e armiqësisë ndaj grupeve të tjera etnike.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, etnonacionalizmi ka qenë në qendër të skenës politike. Milorad Dodik nuk është i vetëm me mënyrat e tij radikale. Boshnjakët myslimanë, grupi më i madh etnik në vend, kanë bërë shpesh propagandë për një shtet unitar, ndërsa kroatët e Bosnjës kanë kërkuar një rajon autonom kroat.

Ç’është më e rëndësishmja, largimi i Perëndimit nga rajoni, lejoi jo vetëm hapat prapa në aspektin e demokracisë, por e hapi rajonin ndaj forcave të tjera të jashtme. Rusia ka shfaqur një interes të theksuar, duke ndërtuar një ndikim të fortë politik në të gjitha pjesët e populluara nga serbët e rajonit.

Ndërkohë Turqia, vendet e Gjirit Persik dhe Irani, kanë bërë të njëjtën gjë në zonat e populluara nga myslimanët. Duke përdorur pragmatizmin e saj politik dhe burimet e shumta ekonomike, edhe Kina është bërë shumë e pranishme në të gjithë rajonin.

Për më tepër, Kroacia dhe veçanërisht Serbia, kanë filluar të ndërhyjnë në politikën e brendshme të vendeve fqinje, duke shtuar tensionet rajonale. Përshkallëzimi i fundit në Bosnje është një rast i tillë. Dodik, dikur një liberal i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili iu rikthye nacionalizmit pjesërisht nga zhgënjimi ndaj premtimeve të pa mbajtura të Perëndimit, e ndërmori lëvizjen e tij separatiste vetëm pasi mori një dritë jeshile nga Rusia.

Nga ana e tyre, boshnjakët myslimanë, duke u ndjerë të braktisur nga fuqitë perëndimore, i janë drejtuar për ndihmë Turqisë, ndërsa kroatët e Bosnjës mbështeten plotësisht tek Kroacia, një anëtare e BE-së. Kjo është shumë e rrezikshme.

Me mosmarrëveshjet e saj etno-politike të thelluara dhe narrativat kontradiktore, situata në Bosnje është shumë e ngjashme me atë para se të shpërthente konflikti në vitin 1992. Në rast se Dodik vazhdon me planin e tij, kjo do të përfaqësonte një shkelje të qartë të marrëveshjes së paqes. Në kundërpërgjigje, udhëheqja kroate e Bosnjes mund të kërkojë të rivendosë rajonin e saj autonom të Herzeg-Bosnjës gjatë kohës së luftës, ndërsa boshnjakët myslimanë do të kërkojnë të mbrojnë Bosnjen me çdo mjet, madje edhe me armë.

Dhe me burimet ushtarake të ofruara nga mbështetësit ndërkombëtarë, është shumë e lehtë që të imagjinohet shpërthimi i luftës. Duket se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian,e kanë harruar çmimin që kanë paguar – me jetët e ushtarëve të vrarë dhe miliardat e dollarëve që janë investuar nga taksapaguesit e tyre – për t’i dhënë fund luftërave të përgjakshme të Ballkanit të viteve 1990.

Por më e keqja ka ende mundësi që të shmanget,dhe kjo nëse ata ri-angazhohen plotësisht, duke i kushtuar kësaj sfide serioze burimet e duhura dhe zyrtarë të profilit të lartë. Ata duhet që ta ringjallin strategjinë e tyre të “karotës dhe shkopit”- duke kombinuar sanksionet, koncesionet dhe burimet financiare, që i kanë përdorur me sukses në Ballkan në të kaluarën. Në këtë mënyrë, zyrtarët perëndimorë mund të ulin në tryezën e negociatave liderët kryesorë lokalë dhe rajonalë,ku mund të sheshohen dallimet, dhe të kontrollohet ndikimi i dëmshëm i vendeve të tjera në këtë proces.

Natyrisht, me këtë sfidë duhet të përballen më së pari udhëheqësit e Bosnje dhe Hercegovinës. Por kjo mund të ndodhë vetëm pasi Perëndimi të rivendosë një perspektivë afatgjatë evropiane në rajon. Fitili në “fuçinë e barutit” të Ballkanit është ndezur. Ai duhet të fiket para se rajoni madje edhe vetë Evropa, të përfshihet nga flakët.

Shënim: Srecko Latal, reporter i Associated Press gjatë luftës së viteve 1992-1995, ish-analist për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, aktualisht redaktor në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.

Leave a Reply

Your email address will not be published.